Fotografia më e famshme e babait të teorisë së relativitetit u shkrep në 1951, krejt rastësisht
Më 25 korrik 2017, një kopje me autograf e asaj që ndoshta është fotografia më e famshme e Albert Ajnshtajnit doli në ankand: shkencëtari i madh i nxjerr gjuhën fotografit Arthur Sasse.
Fotografia është bërë më 14 mars 1951, me rastin e 72 vjetorit të Ajnshtajnit dhe për pak muaj ajo bëri xhiron e botës. Edhe disa fitues çmimesh Nobel, të argëtuar, kërkuan një kopje me autograf nga kolegu i tyre.
Nuk është hera e parë që kopje me autograf të fotografisë kanë dalë në ankand: në të kaluarën janë shitur me shuma jo të vogla, të tilla si ajo e shitur në vitin 2009 për 74,324 dollarë. Në ankandin e korrikut të këtij viti, fotografia u shit për një rekord prej 125,000 dollarë.
Por pse një personazh me kaq autoritet dhe i respektuar bëri një fotografi kaq të pazakontë për vitet ’50?
Fotoja u shkrep në dalje të Princeton Club, ku një grup kolegësh kishte organizuar një festë për ditëlindjen e Ajnshtainit.
Arthur Sasse ishte një prej shumë fotografëve që merrnin pjesë dhe Ajnshtajni la festën për ta fotografuar. Kur e pa të hyjë në makinë me Frank Aydelotte, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara, dhe bashkëshorten e tij, fotografi nxitoi, duke i kërkuar me këmbëngulje që të buzëqeshte për një çast.
Por Ajnshtaini, i cili gjatë gjithë mbrëmjes kish dhënë qindra buzëqeshje për dhjetëra foto, ishte dukshëm i lodhur: për t’i dhënë të kuptojë Sasses që nuk duhej ta ndiqte më, i tregoi gjuhën.
Pra asgjë e organizuar, vetëm një reagim spontan i asaj që në vitet e mëvonshëm do të bënin shumë VIP-a përballë gazetarëve.
KARTOLINA
Jo të gjithë ishin dakord që fotografia të publikohej, në të vërtetë. Disa gazeta u menduan gjatë. Klima serioze e viteve të Luftës së Ftohtë dhe Makartizmi, sigurisht që nuk favorizonin ironinë.
Por vetë Ajnshtajni ishte i kënaqur me idenë e fotografisë dhe kërkoi kopje për përdorim personal. Pas prerjes së fytyrave të bashkëshortëve Aydelotte, ai bëri kartolina për t’ua dërguar miqve.
Kontributi në suksesin e fotografisë vinte ndoshta edhe nga fakti që Ajnshtajni vdiq katër vjet më vonë, më 17 prill 1955, në moshën 76 vjeçare, duke i lënë botës një kujtim të një gjeniu absolut, i cili gjithashtu dinte të ishte simpatik dhe “njerëzor” .