HistoriMAIN

Historia e pa rrëfyer e Kozakëve, populli që stërvitet vazhdimisht për luftëra

Në shekullin XVI-të, stepa e madhe midis khanatit tatar të Krimesë, atij të Poloni-Lituanisë dhe të rusëve të Moskovës, ishte një rajon shumë i rrezikshëm për të jetuar. E megjithatë brenda atij mjedisi u formua një popull i frikshëm luftëtarësh, që do të dominonin territoret kufitare të quajtura Ukraina, ose “në kufi”.

Këta njerëz të pavarur dhe luftarakë të ashpër njihen si Kozakë, nga fjala turke kazak, që do të thotë “njeri i lirë” ose “aventurier”. Kozakët jetonin dhe rrezikonin jetën midis vijave kufitare, pasi refuzuan të jetonin si bujkrobër nën sundimin e mbretërive aty pranë.

Në fillim, ata thjesht jetonin përmes gjuetisë, peshkimit dhe kërkimit të mjaltit. Por më pas ata u bashkuan për të forcuar një forcë luftarake mbresëlënëse. Pasi u bashkuan, Kozakët e ruajtën pavarësinë e tyre dhe e mbrojtën me sukses rajonin nga pushtimet. Kur rusët nisën ta kuptonin se sa efektivë ishin këta luftëtarë kundër sulmeve tatare, ata rekrutuan një numër të madh kozakësh në ushtritë e tyre duke e zgjeruar territorin rus.

Kozakët e hershëm nuk ishin vetëm një etni

Shumica ishin sllavë të krishterë, por midis tyre kishte edhe një numër të madh polakësh, moldavësh, grekësh, hebrenjsh dhe tartarë myslimanë. Në fakt, kozakët e parë përbëheshin pothuajse tërësisht nga tatarët, derisa nisi të dominojnë grupet e fshatarëve nga Polonia, Lituania dhe Rusia.

Për ata që donin t’u bashkoheshin Kozakëve, nuk kishte rëndësi nga vinin, por duhej të përballeshin me 7 stërvitje të fuqishme luftarake. Ata duhet t’i përdornin ato aftësi për të mbrojtur bashkëluftëtarët më të rinj, dhe të ishin të gatshëm të mbronin kishën e krishterë ortodokse.

Praktikonin ndëshkime brutale për të parandaluar shkeljen e rregullave

Një traditë e Kozakëve ishte lënia gjithmonë hapur e dyerve të kasolleve të tyre, në mënyrë që të hynin miqtë, udhëtarët ose kushdo tjetër të mund të kërkonte strehë ose një vend për të gatuar sa herë që i nevojitej, edhe nëse pronari i shtëpisë nuk ishte aty. Por kishte edhe kufizime. Kështu nëse kapeshin hajdutët lidheshin në një shtyllë dhe më pas varroseshin të gjallë ose rriheshin egërsisht deri për vdekje.

Mes tyre kishte magjistarë paganë të quajtur “kharakternyks”

Besimi i krishterë ortodoks ishte një pjesë e rëndësishme e identitetit kozak. Por kjo nuk do të thotë se ishin elemunuar të gjitha aspektet e besimeve të tyre pagane sllave. Një mbetje nga e kaluara e lashtë ishte prania e magjistarëve të njohur si “kharakternyks”.

Ndër aftësitë e ndryshme mitike që ata supozohej se kishin, ishte fuqia për të kapur plumbin me duar para së të godiste trupin, për t’u shndërruar në kafshë dhe për të marrë frymë shumë gjatë nën ujë. Legjendat thonë se magjistarët ishin pasardhës të priftërinjve paganë, të cilët dikur ishin shumë të respektuar në shoqërinë ruse derisa Princi Vladimir i Madh miratoi krishterimin si fe zyrtare për Rusinë e Kievit në vitin 988. Pasi humbën statusin e tyre të shquar, magjistarët paganë shkuan në stepë ku përdorën njohuritë dhe aftësitë e tyre në shërbim të kryekomandantëve të fiseve kozake.

Napoleoni ishte i impresionuar nga aftësitë luftarake të kozakëve

Në vitin 1812, Napoleon Bonaparti ishte në kulmin e fuqisë së tij ndërsa udhëhiqte Perandorinë Franceze që dominonte pjesën më të madhe të Evropës. Nga ai pozicion mbresëlënës, gjenerali mori vendimin katastrofik për të pushtuar Rusinë me një ushtri gjigante që arrinte deri në 612.000 burra.

Ushtria Perandorake Ruse që u përball me pushtuesit përfshinte edhe 107 regjimente kuajsh kozakë dhe 2 kompani artilerie kozake. Në përgjithësi, shumica e rrëfimeve mbi atë luftë flasin me admirim për aftësitë e mëdha luftarake të kozakëve. Gjithsesi niveli i tyre i disiplinës dhe organizimit linte për të dëshiruar. Paçka kësaj Napoleoni tha në atë kohë: “Kozakët janë trupat këmbësore më të mirat në botë. Nëse do t’i kisha në ushtrinë time, do të pushtoja me ta gjithë botën”.

Kanë kryer shumë masakra, bolshevikët i persekutuan dhe i shpërndanë

Rebelimi i madh kundër Polonisë, u shoqërua me masakrat e Kozakëve ndaj komuniteteve hebreje lokale. Të dhënat në lidhje me sulmet e Kozakëve të vitit 1648 flasin për mbi 20 mijë të vrarë. Kur kozakët u integruan plotësisht në ushtrinë ruse, u urdhëruan të kryenin disa masakra të tjera gjatë fundit të shekullit XIX-të dhe fillimit të shekullit X-të, duke përfshirë edhe ato gjatë Luftës Civile të Ukrainës pas Revolucionit Rus në vitin 1919.

Duke ditur rrezikun e tyre, regjimi sovjetik nisi persekutimin dhe shpërndarjen e tyre. Bolshevikët nisën zbatimin e një politike të quajtur “de-kozakizim” që çoi në vrasjen e qindra mijëra kozakëve.

Kozakët e sotëm rusë e mbështesin shumë regjimin e Vladimir Putinit

Pas dekadash persekutimi, shtypjeje dhe mërgimi, qeveria ruse nën udhëheqjen e presidentit aktual rus Vladimir Putin, e ndryshoi drastikisht mënyrën e trajtimit të kozakëve, duke i motivuar ata ta mbështesnin fuqishëm regjimin e ri. Në fillim, ata shërbyen si një lloj policie ndihmëse në disa qytete të vendit, dhe u vlerësuan shumë nga konservatorët dhe nacionalistët.

Shumë më e rrezikshme është përfshirja e Kozakëve edhe në luftën aktuale në Ukrainë, ku ata kanë shërbyer si një forcë paraushtarake. Kozakët ishin ndër të parët që e ndihmuan Rusinë në pushtimin dhe aneksimin e Krimesë, por ata kanë formuar njësi që pushtuan shumë qytete dhe fshatra në Ukrainën Lindore.

Marrë me shkurtime nga Grunge – Bota.al

Back to top button