Në kohën e Rrugës së lashtë të Mëndafshit, duheshin 2 vjet për të shkuar nga Chang’a (sot Xi’an) në Kinën lindore deri në Romë. Sot, një treni mallrash i duhen 14 ditë nga Zhengzhou në qendër të vendit, deri në Hamburg, duke kaluar nëpër qytetin rus të Kaliningradit, dikur Königsberg, qyteti i lindjes së Immanuel Kantit në Prusi. Për të thënë se Kina, gjithmonë e largët dhe ekzotike mbi të gjitha nga pikëpamja kulturore, ka hyrë përfundimisht në horizontin tonë të përditshëm, siç e tregojnë edhe blerjet e kompanive evropiane nga ana e kinezëve.
Sidomos nga 11 marsi 2018, mjafton emri i një njeriu të vetëm për të përmbledhur këtë dinamikë historike: Xi Jinping, që shqiptohet (Shi gingpin) (në vitin 2014 një gazetare televizive indiane e ngatërroi Xi me njëmbëdhjetën romake dhe u pushua nga puna). Në atë datë, udhëheqësi i ri shfuqizoi ligjin e vënë në zbatim nga Ten Hsiaopin, pionieri i ringjalljes së Kinës që kufizonte detyrën e presidentit në dy mandate, dhe ashtu si Napoleoni vendosi mbi krye kurorën e perandorit të kuq, me duart e veta. Një biografi e kohëve të fundit e quan Mao i ri. Dhe në fakt, askush nuk kishte kaq shumë pushtet në duart e veta, që nga koha e Timonierit të Madh. Eshtë e ditur që hierarkitë lindin edhe në regjimet, të cilët duan t’i eleminojnë. Në Kinën ku të gjithë udhëheqësit mbanin xhaketa alla Sun Yat Sen (më vonë alla Mao), shtresëzimet sociale kristalizoheshin përreth partisë, por pa i shtypur gjithësesi lidhjet tradicionale familjare dhe të tarafit.
Xi lindi si pinjoll i fisnikërisë së kuqe: i ati Xi Zhongxun është një udhëheqës i lartë i partisë, shef i propagandës, veteran i Marshimit të Madh. Në fillim të viteve pesëdhjetë familja jetonte në Pekin, në lagjen Zhongnanhai, rezidenca ekskluzive e funksionarëve në perëndim të Qytetit të Ndaluar. Nën një ideologji të vendosur për të eleminuar të kaluarën, stabiliteti i fisnikërisë së kuqe është tejet i pasigurt: babai do të gëlltitej shumë shpejt nga mekanizmi i verbër i spastrimeve, ndërsa Kina eksperimentonte egërsinë e Maoizmit që pagëzon idenë e njeriut të ri marksist me zhvlerësimin e vlerës së lashtë kineze të individualizmit. Në vitin 1920, Emilio Cecchi e përgjithësonte në mënyrë brilante: “Një evropian mund të harrojë natyrën. Por një oriental do të harronte më kollaj njeriun”.
Në një vend ku njerëzit vdisnin nga uria, familja e Xi njohu turpërimin, kampet e internimit dhe punën e detyruar. Do të arrinte të kalonte në një farë mënyre vitet delirantë dhe të përgjakshëm të Revolucionit kulturor falë lidhjeve klanore dhe fisnore, që kanë zënë vend në thellësinë e shpirtit kinez. Vdekja e Maos në vitin 1976 dhe rikthimi në skenë i Ten risollën në majat e pushtetit shumë drejtues që ishin zhdukur në qendrat e riedukimit, mes tyre edhe Xi Zhongxun.
Xi Jinping, i dëbuar në një zonë bujqësore, ia doli pas shumë tentativash që të anëtarësohej në partinë komuniste, duke nisur kështu një ngjitje të pandalshme në pushtet.
Vitet e vuajtjeve do të shfrytëzoheshin më pas nga propaganda për t’i dhënë atij imazhin e një politikani që vjen nga baza, pavarësisht origjinës. Megjithatë, do të ishte e padrejtë të mos i njihej udhëheqësit kinez një talent të jashtëzakonshëm organizativ dhe një karakter të hekurt, që i mundësuan të mbijetonte edhe përballë vështirësive të tmerrshme.
Falë miqësive të të atit, besnikërisë absolute ndaj partisë dhe aftësisë ndërmjetësuese, do të ngjitej në majë të pushtetit në vitin 2012, duke ribashkuar postet kryesore komuniste: Sekretar i Partisë, President i Republikës dhe Komandant i ushtrisë. Ngjitja e Kinës në rolin e Fuqisë së Madhe është misioni i tij.
Një ndër mbështetësit kryesorë të globalizimit, ai vetë thotë: “Ekonomia private është bërë një lule ekzotike në kopshtin e socializmit me tipare kineze”. Rrugë e lirë tregut, kontroll i hekurt i partisë, harrojeni demokracinë. Harton një dokument zyrtar ku konteston ekzistencën e vlerave universale, mes të cilave të drejtat e njeriut. Kina e sotme, krenarisht nacionaliste, ka rimarrë nga e shkuara një sens superioriteti racor dhe nuk i pranon më paradigmat e kulturës perëndimore. Fakti që ekspansioni i saj është kryesisht tregtar, bën që kolonizimi i saj i sotëm në Afrikë të jetë shumë më pak mizor se sa ai i evropianëve shekuj më parë. Nga ana tjetër, ndërkohë që kinezët bëjnë marrrëveshje tregtare në Afrikë, amerikanët ndërtojnë baza ushtarake (34 të tilla, të mëdha dhe të vogla sipas një dokumenti zyrtar të 2018).
Nëse i druhen “hyrjeve sekrete” në sistemet e komunikimit të Huaëeit, ia vlen të kujtohet se prodhuesit kryesorë të SHBA që tani ia garantojnë këtë lloj qasjeje në të dhëna qeverisë së tyre. Historia, e parë nga Pekini është shumë e ndryshme nga ajo që rrëfejmë ne. Duhet që të vetëdijësohemi, por pa i harruar vlerat tona. / La Stampa – Bota.al