AnalizaBotaMAIN

Humbja e Armenisë prish ekuilibrat në Kaukaz

Nga Pierre Haski

Pas një muaji luftë për fatin e enklavës së Nagorno-Karabakut, kemi një fitues ushtarak, Azerbajxhanin dhe dy fitimtarë politikë:Rusinë dhe Turqinë. Lufta u nis nga Azerbajxhani për t’i dhënë fund “konfliktit të ngrirë’ mbi Nagorno- Karabakun, një territor i vendosur brenda vendit, por i populluar kryesisht nga armenët.

Situata ishte e bllokuar për 30 vjet, pas një lufte të fituar dikur nga Armenia. Por sot ekuilibri i forcave ka ndryshuar:Azerbajxhani, i forcuar nga paratë që i vijnë nga nafta dhe gazi, dhe nga një popullsi 3 herë më e madhe se ajo armene, e ka modernizuar ushtrinë e saj, dhe për pasojë ka arritur të imponohet në fushën e betejës.

Armët moderne që zotëroheshin nga ushtria azere, ishin furnizuar nga Turqia, por edhe nga Izraeli. Dhe ato bënë diferencën. Për të shmangur humbjen totale, qeveria armene pranoi një plan poshtërues paqeje të propozuar nga Rusia.

Përveç kësaj, në Jerevan nuk kishin zgjidhje tjetër. Kjo ngjarje ka zgjuar zemërimin e popullatës armene, që ndihet e tradhtuar dhe e cilëson të kotë gjakun e derdhur nga mijëra viktimat e këtij konfliktit.

Por këto reagime emocionale, injorojnë faktin se alternativa ishte të zhvillohej një luftë e pamundur për t’u fituar. Prandaj, fituesi ushtarak është Azerbajxhani. Por siç u përmend, ka edhe dy fitues politikë.

I pari është “kumbari” i Baku-së, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, shumë i kritikuar për këtë aventurë të re jashtë kufijve të vendit, por i shpërblyer nga një sukses i shpejtë.

Erdogan mori përsipër rrezikun e veprimit në një zonë me ndikim rus, duke e thyer statuskuonë.

Ndërsa dërgonte armë, këshilltarë dhe madje mercenarë përkrah ushtrisë azere, presidenti turk shmangu një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë. Tani përfundimi i luftës, e kthen Turqinë në një fuqi me një rol vendimtar në Kaukazin e Jugut.

Në frontin rus, Vladimir Putin qëndroi në fillim pasiv, duke befasuar shumëkënd pasi e lejoi luftën të vazhdonte, dhe duke u kufizuar me deklarimin si të paprekshëm të territorit të Armenisë.

Rusia hyri në veprim, vetëm pasi Azerbajxhani mori shpërblimet e ofensivës së saj, sikur në një moment të caktuar të kishte vendosur të provonte se Moska e zotëron ende rajonin. Në fund, Kremlini e forcoi ndikimin e tij në rajon, pasi marrëveshja e paqes parashikon praninë e trupave ruse për të siguruar hapjen e një korridori midis Armenisë dhe Karabakut, të privuar nga zonat përreth.

Armenia, pasi shpresoi shumë që Moska të nxitonte ta ndihmonte, tani e sheh veten më të varur se kurrë nga Rusia. A mos vallë kryeministri armen Nikoll Pashinjan, e pagoi rëndë koston e ardhjes në pushtet pas njërës prej atyre “revolucioneve me ngjyra”, kaq shumë të urryera nga Vladimir Putin?

Kjo është ajo që beson shumëkush sot në Jerevan. Kjo luftë e shekullit XXI, rrënjët e së cilës janë të lashta dhe të thella, e ka përmbysur situatën gjeopolitike të një rajoni strategjik, pa fjalën e Evropës apo Perëndimit, dhe pa pasur mundësinë që ato të luanin ndonjë rol aktiv. Kjo lufte ishte simboli i një bote post-perëndimore, ku rregullat e lojës janë ato të dhunës. / “Internazionale” – bota.al

Leave a Reply

Back to top button