Magazine

“I dashur mik…”. Letra e Mahatma Gandit, drejtuar Adolf Hitlerit

Ne kërkonim mjetet e duhura për të luftuar dhunën më të organizuar në botë, që është fuqia britanike. Ti e ke sfiduar. Mbetet për të parë se cila është dhuna më e organizuar, gjermania, apo britanikia? Ne, racat joeuropiane të botës, e dimë se si ndihesh nën thundrën e britanikëve. Por nuk do të donim asnjëherë, që t’i jepnim fund sundimit britanik, përmes ndihmës gjermane. Tek jo-dhuna, ne kemi gjetur një forcë që, nëse organizohet, mundet padyshim t’i bëjë ballë kombinimit të forcave më të dhunshme të botës

Screen Shot 2015-08-27 at 2.53.47 PM

I dashur mik,

Nuk është formalitet, që të drejtohem si mik. Gjatë 33 viteve të fundit, puna kryesore në jetën time ka qenë të fitoj miqësinë e të gjithë njerëzimit, pavarësisht nga raca, ngjyra apo besimi.

Shpresoj se do të kesh kohën dhe dëshirën, për të ditur se si një pjesë e mirë e njerëzimit, që jetojnë sipas doktrinës së miqësisë universale, i sheh veprimet e tua. Ne nuk kemi aspak dyshim për trimërinë apo devotshmërinë tënde ndaj atdheut, as nuk besojmë që ti je monstra që përshkruajnë kundërshtarët e tu. Por vetë gjërat që ti thua dhe deklaratat që ti bën, si dhe ato të miqve dhe admiruesve të tu, lënë shumë pak vend për dyshime, se shumë prej veprimeve të tua janë monstruoze dhe të pahijshëm për dinjitetin njerëzor, sidomos në vlerësimin për njerëz si unë, që besojnë në miqësinë universale. Të tillë janë poshtërimi që i ke bërë Çekosllovakisë, përdhunimi i Polonisë dhe “gëlltitja” e Danimarkës. Jam i vetëdijshëm që, nga mënyra si e sheh ti jetën, këto veprime duken si të moralshëm. Por, që në fëmijëri na kanë mësuar që t’i shohim si akte që degradojnë njerëzimin. Kështu që, nuk mundemi t’u urojmë sukses armëve të tua.

Por i yni është një pozicion unik. Ne i rezistojmë imperializmit britanik, jo më pak se sa nazizmit. Nëse ka një dallim, ky qëndron tek shkalla e veprimeve. Një e pesta e racës njerëzore është vënë nën thundrën e britanikëve, përmes mjeteve që nuk do të hetohen. Rezistenca jonë ndaj tij, nuk nënkupton se duam t’ bëjmë keq popullit britanik. Ne duam t’i konvertojmë, dhe jo t’i mposhtim në fushëbetejë. E jona është një revoltë e paarmatosur kundër sundimit britanik. Por i konvertojmë ose jo, ne jemi të vendosur që ta bëjmë sundimin e tyre të pamundur, përmes mosbashkëpunimit jo të dhunshëm. Eshtë një metodë që për nga natyra e vet, është e pambrojtshme. Bazohet mbi dijen që, asnjë plaçkitës nuk mund ta arrijë qëllimin e tij, pa një shkallë të caktuar bashkëpunimi, i vullnetshëm apo i detyruar, nga ana e viktimës. Sundimtarët tanë mund të kenë tokën dhe trupat tanë, por jo shpirtërat tanë. Ata mund të kenë tokat dhe trupat vetëm përmes shkatërrimit total të çdo indiani – burri, gruaje, fëmije. Eshtë e vërtetë që jo të gjithë mund të ngrihen në nivelin e heroizmit, dhe një sasi e caktuar frike mund ta sprapsë revoltën, por nuk është kjoë erëndësishmja. Sepse, nëse në Indi do të gjendet një numër domethënës burrash dhe grash, që do të ishin të përgatitur të jepnin edhe jetën dhe të mos gjunjëzoheshin para tyre, atëherë këta do të tregojnë rrugën e lirisë, dhe të largimit nga tirania e dhunës. Të kërkoj të më besosh, kur them se do të gjesh një numër të paimagjinueshëm burrash dhe grash të tilla në Indi. Janë përgatitur gjatë njëzetë viteve të fundit.

Gjatë gjysmëshekullit të fundit, ne jemi përpjekur të rrëzojmë sundimin britanik. Lëvizja për pavarësi nuk ka qenë asnjëherë kaq e fortë, sa sot. Organizata politike më e fuqishme, e kam fjalën për Kongresin Kombëtar Indian, po përpiqet ta arrijë këtë qëllim. Kemi arritur një sukses jo të vogël përmes përpjekjes pa dhunë. Ne kërkonim mjetet e duhura për të luftuar dhunën më të organizuar në botë, që është fuqia britanike. Ti e ke sfiduar. Mbetet për të parë se cila është dhuna më e organizuar, gjermania, apo britanikia? Ne, racat joeuropiane të botës, e dimë se si ndihesh nën thundrën e britanikëve. Por nuk do të donim asnjëherë, që t’i jepnim fund sundimit britanik, përmes ndihmës gjermane. Tek jo-dhuna, ne kemi gjetur një forcë që, nëse organizohet, mundet padyshim t’i bëjë ballë kombinimit të forcave më të dhunshme të botës. Tek teknika e jo-dhunës, siç e kam thënë, nuk ekziston një gjë e tillë si humbja. Eshtë “bëje ose vdis”, por pa vrasje dhe lëndime. Mund të përdoret praktikisht pa para, dhe padyshim, pa patur nevojë për ndihmën e shkencës së shkatërrimit, që ti e ke përsosur kaq shumë. Jam shumë i habitur, që ti nuk e kupton se nuk është monopoli i askujt. Nëse mos britanikët, ndonjë fuqi tjetër do të përmirësojë me siguri metodën tënde, dhe do të të mundë me armën tënde. Ti nuk po i lë popullit tënd një trashëgimi, për të cilën të jetë krenar. Populli yt nuk mund të gjejë krenari në një recital veprimesh mizore, sado me mjeshtëri të jenë planifikuar. Kështu që, në emër të njerëzimit, të bëj thirrje t’i japësh fund luftës. Nuk do të humbasësh asgjë, nëse çështjet e diskutueshme mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, ia kalon një gjykate ndërkombëtare, që do e zgjidhnit sëbashku. Nëse arrin sukses në luftë, kjo nuk do të vërtetojë se ishe në anën e duhur. Do të provojë vetëm se fuqia jote shkatërruese ishte më e madhe. Ndërkohë që një vendim nga një gjykatë e paanshme, do të tregojë për aq sa është njerëzisht e mundshme, se cila palë kishte të drejtë.

E di që jo shumë kohë më parë, i bëra thirrje çdo britaniku që të pranonte metodën time të rezistencës pa dhunë. E bëra sepse britanikët më njohin si mik, ndonëse rebel. Unë jam i huaj për ty dhe popullin tënd. Nuk e kam kurajën që të të bëj thirrjen që i bëra çdo britaniku. Jo se nuk do të kish vlerë për ty, po aq sa kishte për britanikët. Por propozimi im është shumë më i thjeshtë, sepse është shumë më praktik dhe i njohur.

Në këtë stinë, kur zemrat e popujve të Europës kërkojnë paqen, ne e kemi pezulluar edhe luftën tonë paqësore. A mos është shumë të të kërkoj të bësh një përpjekje për paqe, gjatë një kohe që për ty personalisht mund të mos ketë asnjë domethënie, por që ka një domethënie të madhe për miliona europianët, thirrjet e të cilëve për paqe unë i dëgjoj, sepse veshët e mi janë gati të dëgjojnë thirrjet e milionave? Kisha ndërmend të të drejtohesha ty dhe Z. Musolini, të cilin pata privilegjin ta takoj kur isha në Romë, gjatë vizitës time në Angli si delegat në Konferencën e Tryezës së Rrumbullakët. Shpresoj se ai do e marrë këtë letër sikur i adresohet edhe atij, si dhe do të bëjë ndryshimet e nevojshëm. / Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close