Sport

I ka shënuar Spanjës nga 40 metra larg, Sokol Kushta: Shqipëria të mos dridhet nga frika si në Shkodër

Sokol Kushta u kthehet pas kujtimeve. Legjenda e futbollit vlonjat sjell në kujtime ndeshjen e 22 shtatorit 1993. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Kushta flet për emocionet, udhëtimin e gjatë deri në Tiranë dhe golin që i ka shënuar Spanjës. Ai analizon edhe ndryshimet mes dy kohëve.

“Spanja ka qenë gjithnjë ekip i madh edhe atëherë kur ne luajtëm, edhe sot e tillë është. Vështirësia jonë dikur, sidomos në atë ndeshje, ishte mbledhja e ekipit në Tiranë. Unë për shembull kam ardhur nga Kreta ku luaja. Unë kam ardhur për gjithë natën me makinën time bashkë me Lefter Millon, me lekët tona, që të martën të ishim prezent dhe mbërritëm në Tiranë, bashkë me lojtarët e tjerë, që shumica ishin nga kampionati grek.

Sot, janë më komodë në këtë drejtim. Unë në atë ndeshje i kam shënuar një gol nga 40 metra Spanjës dhe kam qenë kapiten. T’i shënoje Zubizaretës, ishte pak e vështirë dhe prandaj golat me të tilla ekipe kanë vlera të mëdha individuale. Sot, kanë ndryshuar gjërat, luksi është rritur, koha është ideale për një profesionist të luajë në Kombëtare.

Atëherë ne mendonim deri te gjetja e fanellave ose si do vinim në Tiranë, sot duken qesharake. Ne nuk kishim organizim, ishim më shumë vullnetarë, hallexhinj, që kishim marrë përsipër të mbronim ngjyrat e Shqipërisë me dinjitet dhe besoj se nga viti në vit e bëmë Kombëtaren që sot të jetë e respektueshme në Europë”, tha fillimisht Kushta.

SHANSET

Sokol Kushta mendon se Shqipëria mund t’ia dalë përballë Spanjës. Legjenda këshillon që futbollistët të luajnë pa komplekse. Një humbje me lojë të mirë përballë Spanjës, nuk është fundi i botës, por nëse mundet thellë, atëherë është kapitullim.

“Unë dëshiroj që të luajnë bukur, pa komplekse dhe nganjëherë kur luan kështu, merr frytet e punës. Por, edhe kur vjen një humbje nga Spanja, nuk është fundi botës. Mua nuk më pëlqen të humbasim si në Shkodër. Jam anti asaj loje dhe asaj humbjeje.

Ekipi ka një dinjitet dhe kur humbet, nuk dridhet nga frika që para ndeshjes, siç ndodhi në Shkodër. Shqipëria, po të luajë pa komplekse në Spanjë, mund t’ia dalë. Po të shkojë me mendim që mos të hamë shumë, atëherë kapitullimi është më keq se humbja e thellë”, u shpreh legjenda.

GOLI

Që goli i Kushtës, 24 vite më parë, të mos mbetej një kujtim i largët, ai ka dëshirë që të përsëritet sërish. Ka shumë besim se historinë do ta përsërisë Armando Sadiku, por beson edhe te Roshi.

“Për mua, Sadiku është shumë afër golit, por edhe Roshi më pëlqen. Pavarësisht se Roshi nuk po e vë në eficiencë atë armë të fortë që ka, shpejtësinë. Janë pak lojtarë që e kanë atë shpejtësi, por duhet ta shfrytëzojë mirë”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën, Sokol Kushta. / Panorama Sport

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close