Bota

“I lodhur” / Trekëndëshi i Vajmarit, 25 vjet më vonë po lëkundet

Screen Shot 2016-08-29 at 06.16.47

Trekëndëshi i Vajmarit i themeluar para 25 vitesh lëkundet: Koha e euforisë politike kaloi. Aleancës së Varshavës, Berlinit e Parisit i kanë shteruar impulset. Megjithatë ai është i rëndësishëm

Adelheid Feilcke

Para 25 vitesh – më 28 dhe 29 gusht 1991 – u takuan në Vajmar, Turingji ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, Hans-Dietrich Genscher, Roland Dumas dhe Krzysztof Skubiszewski – ora e lindjes së trekëndëshit të Vajmarit. Vizioni i të tre ministrave u mishërua në një deklaratë të përbashkët me 10 pika për “të ardhmen e Europës”. Bëhej fjalë për përgjegjësinë e përbashkët për një të ardhme të përbashkët europiane. „Formati politik i Vajmarit“ duhej t‘i shërbente jo vetëm afrimit të Polonisë me BE, por edhe demokracive të tjera të Europës Qendrore e Lindore.

Një institucion që ka dhënë një kontribut të madh në procesin e zgjerimit të BE-së, po ashtu edhe në pranimin e Polonisë dhe fqinjëve të saj në NATO. Por pas vitit 2004, ky forum dialogu e humbi forcën e rrezatimit politik. Nga ana politike trekëndëshi i Vajmarit u zbeh. Të gjitha përpjekjet për ta përdorur atë si bazë për sfidat e mëdha politike, dështuan. Në kulmin e krizës së Ukrainës në vitin 2014, nga ky format doli edhe njëherë një impuls i rëndësishëm, kur në shkurt të tre ministrat e Jashtëm të trekëndëshit u takuan në Kiev me presidentin e Ukrainës dhe drejtuesit e opozitës.

U përmbush misioni?

Por 25 vite pas themelimit të tij, ky format është reduktuar në në një nga shumë forume periodike dialogu. Nuk ka asgjë të keqe këtu – misioni është përmbushur! Për sa kohë që kjo ishte shprehje e normalitetit në një Europë të bashkuar funksionuese. Por kohët kanë ndryshuar në mënyrë dramatike: Kriza e refugjatëve, paparashikueshmëria e Rusisë, terrori dhe së fundmi, Brexit. Tektonika europiane është lëkundur rrezikshëm. A nuk do të ishte uniteti mes tre shteteve të mëdha europiane një sinjal i fuqishëm? Një sinjal stabiliteti dhe vazhdueshmërie? A nuk mund të dilte nga bashkëpunimi i tre vendeve kaq të rëndësishme, Gjermani, Francë, Poloni një startim i ri për Europën?

Por nga të gjitha kët vërehet shumë pak: Ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski e deklaroi madje formatin – të shteruar. Në vend të kësaj, Polonia, si ndoshta vendi më i rëndësishëm europianolindor i BE-së, kërkon të drejtojë një bashkësi interesash europianolindore në formate si grupi i Vishegradit dhe dakordime bilaterale, formate, të cilat drejtohen kryesisht kundër politikës së refugjatëve të Merkelit, – me sa duket edhe kundër Gjermanisë. Franca merret më shumë me veten, për shkak të rrezikut të terrorit, problemeve ekonomike dhe një presidenti të dobët. Kush mendon më tani për trekëndëshin e Vajmarit?

Filizat e një dinamike të re politike

Takimi jubile në Vajmar bëhet në fund të një jave politike me shumë takime bilaterale. Kancelarja Merkel e filloi javën me një takim të trekëndëshit të ri europian, Itali-Francë-Gjermani në Itali. Gjermania ka interesa vitale për një bashkëpunim të ngushtë me fqinjët e saj. Polonia dhe Franca janë këtu fqinjët më të rëndësishëm. Vendet e trekëndëshit të Vajmarit janë sot eksponentë të fuqishëm të tre fushave europiane të interesit – nganjëherë të ndryshme. Funksionimi i aksit europian është themeltar për Europën, si në drejtim të bashkëpunimit ekonomik, politik ashtu edhe në fushën e sigurisë. Mund të shihet si shenjë inkurajuese, që ministri i Jashtëm i Polonisë kërkon ta rigjallërojë trekëndëshin e Vajmarit dhe të emërojë koordinatorë para takimeve të rëndësishme. Kjo mund të kuptohet si shenjë e rivlerësimit.

25 vite më pas, trekëndëshi i Vajmarit nuk është më instrument integrimi për Europën Lindore. Ai mbetet megjithatë një format komunikimi i një aksi gjeopolitik qendror në kontinentin europian, që përfshin 180 milionë banorë. Ai duhet ta përdorë këtë potencial, më qëllim që mbi këtë bazë të kthehet në motor të zgjidhjes së problemeve në Europë, pavarësisht nga tensionet e brendshme politike dhe bilaterale, të shkaktuara nga animi djathtas i Polonisë.

Polonia, Gjermania dhe Franca kanë, megjithë diferencat, më shumë interesa të përbashkëta: Për shembull në kohët e krizës, atom und të çojnë përpara politikën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe integrimin europian. Por duket se megjithë shanset objective, mungon frymëzimi për një gjallërim të ri të trekëndëshit. Egoizmat kombëtare dhe fajësimet e dyanshme janë më të forta: Megjithatë trekëndëshi i Vajmarit është simbol i një historie të suksesshme integrimi. Anëtarët e tij e kanë tani në dorë, nga ky simbol të zhvillojnë një forcë të re për një integrim rishtazi europian.

Burimi: Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button