Sport

I ra “pudri” i Europianit, plakës së shëmtuar që është Shqipëria e futbollit

Screen Shot 2016-07-08 at 13.54.14

Ermal Gjinaj

E kishim stolisur si kurrë më parë, plakën e shëmtuar, që është Shqipëria e futbollit. Kishim paguar bujarisht për makiazhin një italian, kishim thirrur për t’i hequr rrudhat disa “mjeshtra” shqiptarë të zanatit, që kanë lindur, janë rritur dhe kanë luajtur vetëm në Europë, e kishim “pudrosur” mirë e mirë me “tonin e kuq” të tifozëve të mrekullueshëm, që ndezën stadiumet e Francës, dhe që për një moment bënë të harrohet, si për europianët, por edhe për vetë ne shqiptarët, se sa e shëmtuar është në të vërtetë kjo plakë e lodhur, që është Shqipëria e futbollit.

Kovën e parë me akull, për të na zgjuar nga një ëndërr, të cilën sot e kësaj dite me zor e besojmë, e hodhi ekipi ynë kampion. Pa u mbushur as edhe një muaj nga paraqitja mbresëlënëse e Shqipërisë në një kompeticion të nivelit të lartë, mediat ndërkombëtare nuk po shkruajnë më për skuadrën-befasi të Kampionatit, të cilën vetëm fati e pengoi të vazhdonte më tej rrugën e nisur, por se ekipi kampion i Shqipërisë, Skënderbeu, “i ka rënë me top” basteve për ndeshje që ka luajtur, në Europë dhe në Shqipëri. Dhe për këtë duhet të paguajë: Një vit jashtë të gjithë kompeticioneve europiane. Dënim i cili nuk po e gjen dot ende të singjashmin e vet nga Federata Shqiptare e Futbollit, sipas të cilës, një ekip i përjashtuar nga Champions’ League për shkak se ka trukuar rezultatet, si në atë kompeticion, ashtu edhe në Superligë, nuk e meriton t’i hiqet titulli kampion, përkundrazi…

Por shëmtinë e vërtetë, plakës së kërrusur ia nxorri në shesh dje një tjetër skuadër shqiptare, Teuta e Durrësit. Policia austriake ka mësyrë në dhomat e futbollistëve dhe stafit, e sinjalizuar se ndeshja e humbur 7-2 përballë Austrisë së Vienës, ka qenë një maskaradë e vërtetë. Kompanitë e basteve kanë raportuar për shuma të mëdha të luajtura për “t’i rënë në kokë” rezultatit të kësaj ndeshjeje.

Ndërkohë, turpin e madh durrsakët e kishin ruajtur për në fund. Pamjet filmike të ndeshjes së luajtur dje, janë për të qeshur e për të qarë. 5 gola të pësuar nga mbrojtësa “balerinë”, të cilët për pak sa nuk gëzonin kur shihnin topin të hynte në rrjetën e portës së tyre. Me siguri, destinacioni i ardhshëm i Teutës janë zyrat e komisioneve disiplinore të UEFA-s, dhe fati që e pret është ai i kampionëve të Shqipërisë.

Ky është turpi ynë.

Askush nuk e vë në diskutim faktin që futbolli është, ndër të tjera, edhe një sport fitimprurës, dhe që presidentët, të cilët mbajnë me para ekipet shqiptare, nuk janë makina që i presin paratë me gërshërë. Në të gjithë botën, përvec se një mënyrë argëtimi për njerëzit, futbolli është edhe një aktivitet tejet fitimprurës. Por kjo e dyta është pasojë e të parës. Fitimi vjen si pasojë e rritjes së cilësisë së argëtimit, ndershmërisë në fushë dhe në tribunat VIP. Ndërsa ne kemi gjetur rrugën më të shkurtër, por edhe më të shëmtuar, më të ndëshkueshme, drejt fitimit. Duke shpërfillur me papërgjegjshmëri totale, dëmin e madh që i bëhet imazhit të Shqipërisë, dëm që me siguri peshon sa dhjetëfishi i spektaklit që dhuruam në shkallët e stadiumeve dhe sheshet e qyteteve, apo lojës që zhvilluam në fushat e Europianit të futbollit.

Nuk investojmë në terrene sportivë, nuk investojmë për brezat, i kemi bosh shkallët e stadiumeve, dhe e vetmja gjë që na shkon mendja, është si ta shtrydhim deri në pikën e fundit këtë sport magjepsës. Duke ua ndotur fanelën dhe karrierën futbollistëve të rinj, duke i mësuar se fitorja nuk ka nevojë për djersën, se suksesi në fushë nuk është i rëndësishëm pa paranë, se emocionet e tifozëve janë të pavlera, përballë emocioneve që ofrojnë skedinat e kompanive të basteve.

Tani e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë.

E stolisëm për merak plakën e shëmtuar, që është Shqipëria e futbollit. Por nuk kaloi as edhe një muaj, truku është tretur, dhe ajo na është fanepsur përsëri, me të gjithë shëmtinë e saj të frikshme.  /bota.al

Leave a Reply

Back to top button