Java e 11-të e Serisë A do të mbyllet me duelin e Bentegodit mes Veronës dhe Interit. Skuadra e drejtuar nga Spaleti e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer këtë sezon. Në Verona Interi duhet të zbresë në fushë vetëm për fitoren dhe nëse arrin të marrë tre pikët, Mauro Icardi me shokë do të vendosnin një rekord të ri për sa i përket fillimit më të mirë të sezonit që nga momenti që një fitore në Serinë A vlen 3 pikë.
Skuadra e Spaletit do të thyente rekordin e Interit të Mourinhos që në sezonin 2009-2010 kur fitoi edhe tripletën e famshme koleksionoi 28 pikë në 11 javët e para për një total prej 9 fitoresh një barazimi dhe një humbjeje. Përballë Veronës, që është një skuadër shumë e dobët dhe ka pak cilësi brenda për t’u prishur punë ekipeve pretendente, Spalletti nuk do bëjë asnjë ndryshim në formacionin titullar teksa do të zbresin në fushë të njëjtat lojtarë që kanë luajtur në ndeshjet ndaj Milanit, Napolit dhe Sampdorias.