Intervistë e Didier Billion, Studjues në Institutin e Marrëdhënieve ndërkombëtare Strategjike, Francë dhënë gazetës turke “Zaman”
Si e kuptoni ju këtë intensifikim të represionit kundër shtypit turk?
Kjo është vetëm konfirmimi se çfarë po bëhet në Turqi: shtypi është gjithnjë e më pak i lirë. Presionet janë rritur, të gjitha ndjeshmëritë politike janë të përfshira. Situata e përgjithshme është një vërsulje politike e presidencës që përfshin shtypin, por dhe jetën politike. Negociatat për një qeveri koalicioni nuk ishin të suksesshme, loja është bërë më parë, pushteti nuk e donte atë. Ai nuk ka kërkuar as CHP [partia kryesore opozitare në Turqi), siç e parashikonte Kushtetuta turke. Represioni është real kundër shtypit, Erdogani po merr gjithnjë e më shumë liri kundër Kushtetutës. Objektivi i operacioneve ushtarake nga korriku, kundër PKK-së, është për të mbledhur elektoratin nacionalist. Shteti i së drejtës nuk ekziston më.
Në faqen e parë të gazetës “Bugün”, botoheshin fotografi të turqve që i dorëzonin armë militantëve të Shtetit islamik. Si ta kuptojmë këtë kokëfortësi të autoriteteve turke, për të mbajtur një marrëveshje të fshehtë me shtetin islamik, që mbetet një kërcënim?
Për shtetin islamik disa kanë hezituar të flasin për bashkëpunim. Unë preferoj të flas për marrëveshje të fshehtë, ose vetëkënaqësi. Fiksimi i vërtetë i Erdoganit është që të rrëzojë regjimin e Assadit, prandaj është kjo zbutje me Shtetin islamik. Logjika e Erdoganit është që, të gjitha mjetet janë të mira për të arritur këtë objektiv. Por tani Shteti islamik nuk ka nevojën e mbështetjes së Turqisë, duke e bërë atë një organizatë të pakontrollueshme. Një numër arrestimesh dhe atentati i Suruçit, e detyruan Turqinë të ndryshojë politikën që lidhet me Katarin dhe Arabinë Saudite, që është shprehur me një mbështetje për Al Nusran. Kjo është një politikë pambarimisht e rrezikshme.
A ka ndryshuar Erdogani objektiv strategjik vis-à-vis Assadit?
Erdogani dhe Davutoglu na kishin njoftuar me bujë se rënia e Asadit ishte e pashmangshme. Tani kuptohet që nuk do të ketë zgjidhje ushtarake.
Do të duhet diskutuar me Assadin, siç e ka kujtuar edhe Sekretari i Shtetit amerikan, John Kerry.
Në nëntor, do të mbahet samiti i G20 në Antalia. Kjo dritare diplomatike që i është dhënë Turqisë, a do të jetë rasti për vendet evropiane, që t’i kujtojnë asaj respektimin e lirive themelore?
Nuk duhet të kemi iluzione. G20 do të mbahet siç është parashikuar. Vendet evropiane nuk do të thonë ndonjë gjë të madhe. Unë dëshiroj që Franca të dërgojë mesazhe për shtypin, por edhe ne nuk kemi mësim morali për të dhënë. Megjithë gabimet e qeverisë, Turqia ka një rol të paevitueshëm në luftën kundër shtetit islamik. Një mesazh politik i nivelit të lartë do të ishte një nevojë, sepse asgjë nuk mund të justifikojë kontrollet dhe arrestimet e gazetarëve. Liria e shtypit është e shenjtë, por nuk imagjinojmë një logjikë përshkallëzimi sepse Erdogani është në një formë autizmi politik, ai nuk i dëgjon mesazhet që i drejtohen atij.
S.M./Bota.al