“Pas këtyre zgjedhjeve, çdo gjë bëhet e mundshme: edhe Marine le Pen në Elize”. Franca është zgjuar të hënën në mëngjes me pothuaj gjysmën e 13 rajoneve të veshur në ngjyrë blu. Jacques Seguela, nuk ka fjetur gjithë natën. “Pas atentateve, për mua ka qenë një tjetër zi kombëtare”, rrëfen eksperti në komunikimin politik, dikur këshilltar i François Mitterrand dhe Nicolas Sarkozy. “Edhe pse raundi i dytë të dielën nuk do i japë pushtetin Frontit Nacional në të gjithë zonat, sinjali tashmë është i qartë. Kemi hyrë në një tjetër epokë: ne na takon të kuptojmë, të përshtatemi. Por nuk do të jetë e lehtë”.
Ju, që për shkak të profesionit, studioni dhe parashikoni tendencat, e prisnit?
Eshtë një kataklizmë që ziente prej kohësh. Të gjithë flisnin, dihej, por askush nuk ka bërë asgjë për të kuruar simptomat e para. U vetëdijësuam për dëmin, vetëm kur sëmundja u shfaq hapur.
Cila është sëmundja e Francës?
Gjithçka nisi me frikën, sidomos ndjesinë e pasigurisë sociale, shkaktuar nga imigrimi dhe globalizimi. Më pas zgjedhja e të djathtës ekstreme u përdor si mesazh zemërimi. Por tani, ka një tjetër hop cilësor.
Ku e keni fjalën?
Vota për Frontin Nacional nuk është më vetëm frikë dhe zemërim, por një pranim i vërtetë i diskursit thjeshtësues të Le Penit. Në këtë kuptim, Fronti është transformuar në një parti si të tjerat. Dhe vendi rrezikohet të futet në një rreth vicioz. Eshtë kjo zhdukja e bonsensit dhe racionalitetit francez. Kartezi duhet të jetë duke u përpjekur në varrin e tij.
Përgjegjësia është edhe e klasës politike, e paaftë të japë përgjigje?
Për shkak të dështimit të qeverisë socialiste, kësaj të majte të pangjyrë që mendon dhe flet ende si në Nëntëqindën, ëndrra e një plaku të moshuar dhe më pas vijës së tij, u bë realitet. Një makth i vërtetë.
Nuk shihni dallim mes babait dhe bijës Le Pen?
Marine ka korrigjuar disa ekstremizma të Jean-Marie, ose më saktë: i ka bërë të heshtin. Nuk shfaqen më, por tek baza, fryma e Frontit Nacional mbetet e njëjta. Nga ana e vet, presidentja e Frontit Nacional ka sjellë një aftësi komunikuese të jashtëzakonshme.
Nga ky këndvështrim, nuk ka nevojë për “spin doctor”?
Ka forcën e mbiemrit, një talent për t’u folur njerëzve, është më e reja e udhëheqësve, paraqitet si një risi në panoramën politike, edhe pse vjen nga një parti e vjetër 40 vite. Pastaj nuk është vetëm. Në krahun e saj është Marion, që ka të njëjtin talent, është edhe e ëmbël, e bukur, e si pasojë, edhe më e rrezikshme. Në triadën e qeverisjes së Frontit Nacional është edhe Florian Philippot, që paraqitet me studime të mira, një profil më i lartë.
Ju flisni për dështim të socialistëve, por a nuk është Nicolas Sarkozy që sheh zgjedhësit e tij të ikin drejt Frontit Nacional?
Eshtë e vërtetë, Sarkozy ka humbur vota në të djathtë. Eshtë demonstrimi që, një qëndrim centrist, sido ta donte Alain Juppe, nuk shpërblen. Disa vite më parë, ish presidenti kishte arritur t’i merrte zgjedhës Frontit Nacional. Të gjithë e kritikonin në partinë e tij, dhe ai përshkruhej si Djall nga e majta. Ndërsa sot shohim Hollande që flet për identitet kombëtar, merr një kthesë autoritare pas atentateve, dëshiron të kufizojë imigrimin, ndryshe nga Angela Merkelin.
Cfarë duhet t’u thotë Sarkozy francezëve në pritje të raundit të dytë?
Duhet t’u flasë inteligjencës së tyre. T’u shpjegojë që, nëse do të fitonte Le Pen, në shumë rajone kompanitë e huaja do të kishin frikë të investonin, dhe që në nivel kombëtar, do të kishte një rënie të ndikimit të fituar, nëse dilet nga Euro. Janë të vërteta që askush nuk dëshiron t’i dëgjojë. E fatkeqësisht, klasa politike nuk është më e besueshme.
“Sakrifica” e socialistëve që nuk paraqiten në disa rajone, është një “beau geste”?
Eshtë marketing i pastër politik. E majta nuk është bërë krejt papritur e mirë dhe bujare. Kjo lëvizje nuk do e pengojë Frontin Nacional që të fitojë në veri apo në jug, por ndërkohë socialistët mund t’ia hedhin kryqin Sarkozysë. Ka përfunduar në një kurth të keq.
Cfarë parashikoni për sfidën presidenciale 2017?
Marine Le Pen do të arrijë pothuaj me siguri në raundin e dytë. Më pas, sfida është e hapur. E vërteta është që ndeshen dy alternativa qeverisjeje, ajo e Frontit Nacional dhe ajo e Republikanëve. Dhe me tre aktorë politikë në një sistem bipolar është gjithmonë njëri që duhet të “vdesë”.
Në shqip nga Bota.al