Bota

INTERVISTA / Fituesi i “Pulitzer”: ISIS është dobësuar, por tani është global

“Pas atentatit në Barcelonë, është e mundur që të ketë më shumë sulme nga ana e Shtetit Islamik në Evropë dhe në Perëndim”. Eshtë ky paralajmërimi i Joby Warrick, gazetar i “ëashington Post”, fitues i Çmimit Pulitzer për librin e tij të fundit “Flamuj të zinj, lindja e ISIS”, si dhe një prej ekspertëve më të mëdhenj të xhihadizmit dhe terrorizmit islamik.

Përse mendoni se sulmet mund të shtohen?

Sepse ISIS aktualisht po angazhon shumë forca për të mbrojtur qendrat e Kalifatit në Siri dhe Irak. Nuk është vetëm një çështje hakmarrjeje për humbjet e fundit shkatërruese në terren, siç ndodhi në Mosul. Një herë që të ketë vdekur Kalifati, Shteti Islamik do të përqëndrojë të gjitha forcat për të kryer sulme në Evropë. Dhe do të bëhet një internacionale e vërtetë e terrorit.

Përse ISIS sulmoi Spanjën?

Eshtë objektiv prej shumë kohësh. Por kohët e fundit Shteti Islamik e ka cituar shpesh në materialet e veta të propagandës, në javët e fundit mbi të gjitha në aplikacionin e chat-it, “Telegram”: për angazhimin në Irak, por edhe në kuadër të Kalifatit dhe legjendës së Al Andalusit, emri që myslimanët i vunë gadishullit iberik kur e pushtuan në shekullin VIII.

Metoda e kamionëve mbi turma po bëhet më e përdorura nga ISIS në sulmet e veta.

Po, sepse është më e kollajta për t’u realizuar, mbi të gjitha në këtë moment kur Shteti Islamik është në vështirësi të mëdha. Pikërisht në mesin e korrikut, xhihadistët ndanë në kanalet e tyre në internet udhëzime tejet preçize se si të kryhet një sulm me kamion apo furgon, shumë më të detajuara se sa në të kaluarën. Burimet tona të shërbimeve të fshehtë na thonë se xhihadistët mendojnë edhe për sulme kimike, por tani për tani nuk kanë burime.

Sa i madh është rreziku i rikthimit të foreign fighters nga Siria dhe Iraku?

Sot është më i ulët se sa në të kaluarën: prej gjashtë muajsh shërbimet e fshehta evropiane bashkëpunojnë shumë më tepër mes tyre dhe kjo ka mbyllur shumë rrugë. Por në të njëjtën kohë, është e mundur që të ketë celula të fjetura, në Spanjë dhe në Evropë, që presin momentin e duhur për të sulmuar. / Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button