Bota

INTERVISTA / “Një apel vetëm ndaj burracakërisë tonë”. Dhe pse fotografia duhej botuar

Screen Shot 2015-09-03 at 4.37.38 PM

Nga Cécile BOURGNEUF

Alain Mingam, gazetar fotograf dhe laureat i World Press, analizon fuqinë e imazhit që ditën e enjte bëri xhiron e botës: foton e Aylanit, siriani i vogël tre vjeçar, gjetur i vdekur në plazhin e Bodrumit në Turqi.

Një djalë i vogël i vdekur në një plazh turk, gjatë përpjekjes së për të arritur në Evropë. Pamja e tmerrshme e këtij siriani të vogël me t-shirt të kuqe dhe pantallona të shkurtra blu, i shtrirë përmbys mbi rërë këtë të enjte, u botua në faqen e parë të shumë gazetave evropiane.

Alain Mingam, gazetar fotograf laureat i World Press dhe president i Çmimit të fotografisë AFD, shpjegon përse kjo fotografi mund të bëhet simbol i krizës së emigrantëve.

Përse kjo foto bëri xhiron e botës?

Në këtë fotografi, gjinden të gjithë elementët emocionalë që dalin nga banalizimi i të gjitha pamjeve mbi luftën. Ajo i bën thirrje syrit dhe ndërgjegjes tonë qytetare. Ajo është e tmerrshme, pasi është bërë në plazh, nën diellin e pushimeve. Eshtë ky kontrasti pra, midis këtij dekori parajse, dhe ferrit të një situate të tmerrshme. Dhe nuk kemi këtu asnjë estetizim, asnjë përpjekje emocionale. “Shikojeni këtë tmerr të banalizuar”. Këtë na thotë kjo pamje.

Megjithatë, kjo nuk është pamja e parë e përhapur për këtë dramë. Përse e nxorrën atë? 

Sepse në këtë fotografi nuk kemi asnjë efekt grupi. Një fëmijë i vogël i vetmuar, i izoluar në vdekjen e tij dramatike, na prek si baba, nënë, vëlla dhe motër. Ne e lëmë pas anonimatin e turmës, dhe shkojmë drejt një qënie njerzore, një fëmije të vogël që nuk është më. Kjo fotografi i bën thirrje veçse burracakërisë tonë. Siklet është masa e tmerrit të shkaktuar. Aktualiteti tallet me fatin tonë të pasur. Ne kemi përgjegjsinë e dyfishtë, në pjesmarrjen në këtë kaos dhe që jemi zhytur në pamje të tjera të tmerrshme, që nuk na kanë prekur shumë, se nuk kemi shkuar në zemër të dramaturgjisë së këtyre fotografive.

Përse duhet treguar kjo fotografi, sipas jush?

Sepse duhet denoncuar ajo që është e padurueshme. Kjo është një sfidë thelbësore. Fotografia është e domosdoshme për jetën e botës tonë. Shumë gazeta britanike, si  The Independent, e përhapën këtë pamje pa e maskuar atë, pa e zbukuruar, me qëllim që ajo të mishërojë realitetin dhe pasojat e luftës në Lindjen e Mesme. Opinioni publik nuk dëshiron që atij t’i maskohet realiteti. Lexuesi duhet të konsiderohet si një i rritur. Fotografia ka arsyen e vet për të qenë. Nëse nesër, për një arsye morale, politike apo fetare, do të pengonim që kjo fotografi të ekzistonte, ky do të ishte një cënim i demokracisë.

A mund të përmbysë opinionin kjo fotografi?

Unë e shpresoj. Pamjet kanë një peshë të nevojshme, për të vepruar mbi opinionin, mbi qeveritë. Problemi i imigracionit është manipuluar, instrumentalizuar për qëllime politike. Përgjegjësia e një gazete duke botuar fotografi si kjo, vë në vështirësi të gjithë stereotipët e opinionit për emigracionin. Emigrantët janë parë nga shumica, si persona që vijnë të hanë bukën tonë. Por të mos harrojmë që janë familje të tëra që i largohen luftës, mjerimit. Ky fëmijë është atje për të na e kujtuar. Pa fotografi, ne do të ishim të sterilizuar, të fjetur në rehatinë tonë. Kjo pamje, si të gjitha ato që kanë shënuar historinë, mund të zgjojë ndërgjegjet. Vajza e vogël vietnameze e djegur me napalm, e fotografuar nga gazetari fotograf Nick Ut në vitin 1972 për shembull, pati një impakt të tmerrshëm asokohe. Opinioni amerikan u ndërgjegjësua për tmerrin e luftës. Eshtë koha të ndërgjegjësohemi për fatin e emigrantëve.  / La Liberation

s.m./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button