MAINPersonazhe

Intervista / Leh Valesa: Komunizmi u rrëzua me konsensusin e komunistëve, si mposhten sot regjimet autoritare

Gazetarët nuk janë gjithmonë të interesuar që ta intervistojnë. Përgjigjet e tij nuk janë gjithnjë të qarta, linja e tij e mendimit mund të jetë e vështirë të ndiqet, dhe vetë-siguria e tij është nganjëherë e dobët. E megjithatë, mbetet diçka vërtet interesante tek ky njeri me kaq plot kontradikta.

I lindur në një fshat në Poloni, dhe i shkolluar në një shkollë profesionale, Valesa u bë shpejt një udhëheqës i sindikatës së punëtorëve në kantierin detar të Gdanskut, dhe më pas lideri i lëvizjes më të madhe sociale në bllokun komunist.

Udhëheqja e grevave të vitit 1980, nxori në pah një varg talentesh që ai zotëronte:oratorinë, të menduarit në mënyrë strategjike, dhe aftësinë për të pasur si këshilltarë intelektualët më të mëdhenj të vendit. Solidarność (Solidariteti) u bë një forcë kryesore opozitare kundër regjimit komunist në Poloni, një lloj opozitë e ligjshme unike në bllokun lindor.

Në kulmin e vet, Solidarność kishte 10 milionë anëtare nga të gjitha sferat e mundshme të jetës, përfshirë edhe anëtarë të Partisë Komuniste polake. Në dhjetorin e vitit 1981, udhëheqësi komunist i Polonisë, gjenerali Vojçek Jaruzelski – nën presionin e madh të Moskës – futi në zbatim ligjin ushtarak, duke e nxjerrë jashtë ligjit Solidarność, dhe arrestuar udhëheqësit e saj, përfshirë Valesën.

Pas lirimit nga burgu, në nëntorin e viti 1982, ai vazhdoi të ishte një figurë kryesore në vend, dhe një simbol kombëtar i rezistencës ndaj regjimit; dhe vitin që pasoi fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Në vitin 1990, u bë president i Polonisë, i zgjedhur në zgjedhjet e para të lira ndër dekada.

Ai mbikëqyri reformat novatore ekonomike dhe politike, negocioi largimin e trupave ruse nga vendi, dhe i hapi rrugë anëtarësimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Konfliktet e shumta, sollën dorëheqjen e tij në vitin në 1995, duke u pasuar nga politikani i

ri post-komunist Aleksandër Kvashnjevski.

Pjesa më e madhe e jetës së tij pas vitit 1989, është e përndjekur nga akuzat se ai ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete komuniste në vitet 1970. Dhe ka disa prova, që ai mund të ketë nënshkruar vërtet një lloj marrëveshje me regjimin.

Por historianët dakordësohen, se në fund të viteve 1970 ai nuk po bashkëpunonte në mënyrë aktive me to. Disa javë para 40-vjetorit të themelimit të Solidarność, Valesa dha një intervistë për “New York Books Review”

Kur e shihni 40 vjet më pas trashëgiminë e lëvizjes që ju drejtuat, a mendoni se ajo ishte e suksesshme, përkundër gjithçkaje që ka ndodhur që nga ajo kohë?

Mënyrat e luftës kundër komunizmit dhe sundimit sovjetik, ndryshuan me kalimin e kohës. Së pari, menjëherë pas luftës, lufta ishte me armë. Pastaj, dolën studentët në rrugë. Më në fund, mbërritëm në përfundimin se duhej të ndërtohej një lëvizje e vetme sociale kundër monopolit të pushtetit komunist.

Por vetëm kjo nuk qe e mjaftueshme. Në këtë luftë u përfshinë Evropa, SHBA-ja dhe Kanadaja, dhe vetëm bashkimi garantoi fitoren e “Solidarność”. Të gjithë ishim të bashkuar në luftën kundër komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik.

Idetë e e“Solidarność” ishin të ndryshme. Për shembull, mes nesh kishte socialistë apo edhe njerëz që mendonin se rënia e komunizmit ishte thjesht në interesin e tyre. Emëruesi i përbashkët ishte lufta për liri. Kur më në fund fituam në vitin 1989, lindi pyetja nëse ”Solidarność” duhet të ndërtonte një monopol të ri të pushtetit, një forcë të vetme politike në kushte demokratike, apo nëse ne po ndërtonim pluralizmin.

Meqë e hodhëm poshtë idenë e një monopoli, edhe unë duhej të humbja. Nuk mund të isha kryetari i çdo partie, dhe të fitoja çdo palë zgjedhje. Unë e pranova këtë gjë. Dhe menjëherë pas kësaj, unë e humba presidencën.

A mendoni se 10 milionë polakët që u anëtarësuan në “Solidarność”, e kishin idenë se kjo lëvizje do të rrëzonte regjimin komunist?

Kush drejton një lëvizje të madhe, duhet të jetë si një trajner i mirë. Sportistët nuk mund ta fillojnë duke ngritur 500 kg, sepse askush nuk do të vijë të nesërmen e seancës së parë të stërvitjes. Ndaj unë i edukova brezat më të rinj, dhe ua tregova narrativën që u duhej. Nuk ishte një gënjeshtër, por një taktikë. Në vitin 1980, shumica e anëtarëve të “Solidarność” nuk e dinin që ne po luftonim për liri.

Çfarë ishte thelbësore për shembjen e sistemit?

U deshën vite derisa edhe vetë komunistët e kuptuan që sistemi duhej të rrëzohej. Nëse ata nuk do ta kishin kuptuar këtë gjë, beteja do të kishte qenë shumë më e vështirë. Ata thjesht ndaluan së besuari tek sistemi që ngritën.

A e mendoni ndonjëherë se kostot e transformimit ishin shumë të larta? Shumë njerëz pretendojnë se kriza e sotme e demokracisë në Poloni, e ka zanafillën në transformimin përmes “terapisë së shokut”?

Që të ecte ekonomia e tregut, na duhej ta tronditnim sistemin dhe të prishnim monopolin e shtetit, shpesh me koston e rritjes marramendëse të çmimeve në treg. Ato ishin vendime të vështira, por veprimet që ndërmorëm janë arsyeja pse ekonomia mori hov, dhe transformimi u bë i suksesshëm.

Në retrospektivë, si e vlerësoni rolin e luajtur nga politikanët post-komunistë në transformimin e Polonisë?

Nëse komunistët më të rëndësishëm nuk do të kishin studiuar në Perëndim, ata do ta kishin mbrojtur më me shumë zell komunizmin. Por ata e panë shumë mirë dobësinë e sistemit. Ka pasur një moment kur komunizmi mund t’u ketë lënë një përshtypje pozitive njerëzve.

Pra kur proletariati e shihte veten shumë të shtypur. Por kjo ishte shumë kohë më parë.

Në fund, komunistëve u mungonte besimi tek bindjet e tyre, dhe për pasojë nuk ishin të gatshëm ta mbronin sistemin. Por ata donin të ishin lojtarë edhe në lojën demokratike, dhe kjo është arsyeja pse nisën negociatat. Në këtë mënyrë, ne e rifituam lirinë tonë.

Kur u bëtë president, popullariteti juaj ra me shpejtësi…

Projekti im ishte të çoja polakët në “Stacionin e Lirisë” në udhëtimin e gjatë “hekurudhor” kombëtar. Unë besoja pak tek demokracia, mendoja se ajo të vinte vetvetiu. Kur erdhi liria, ne nuk kishim asnjë ide se çfarë duhet të bënim më tej. Unë mendova se duke u bërë president, mund t’i shtyja përpara reformat dhe të organizoja sërish pushtetin. Doja një sistem presidencial, në mënyrë që të qeverisja në një mënyrë më efikase. Por armiqtë e mi, u  siguruan që unë të mos isha në gjendje të zbatoja pjesën e dytë të këtij programi.

A ishte e vështirë të pajtoheshit me humbjen në zgjedhjet e vitit 1995? Si e shihni periudhën post-presidenciale të jetës tuaj?

Si president, unë vendosa dy prioritete:NATO dhe Bashkimi Evropian, por nuk arrita që t’i realizoja dot. Pas presidencës, vazhdova të loboja tek partnerët tanë në SHBA, që Polonia të bëhej një anëtare e plotë e Perëndimit.

A u ndjetë i zhgënjyer që Polonia nuk u mirëprit krahëhapur në këto organizata?

Jo, në atë kohë Perëndimi udhëhiqej nga interesat e veta; dhe kjo është normale. Ata na thanë që ne nuk ishim ende gati, nuk kishim burime. Ndërkohë, ndihma e tyre për Rusinë, për Gorbaçovin, ishte 95 për qind, ndërsa për ne vetëm rreth 5 për qind.

Kjo është arsyeja pse unë prezantova koncepte të çmendura si “NATO-bis” dhe “EU-bis”, pra “paradhomat” ku do të vendoseshin vendet kandidate ndërsa punonin për të plotësuar kushtet për anëtarësim të plotë. Ishte një luftë e tmerrshme.

A ju kanë ndihmuar në politikë marrëdhëniet private, si ato që keni pasur me Boris Jelcin apo Bill Klinton?

Unë jam një djalë i thjeshtë nga një fshat i Polonisë. Nuk bëra miq të natyrshëm në politikë.

Ishte thjesht biznes.

Pra s’keni pasur miq në politikë?

Jo. Kisha ide, dhe zgjidhja njerëzit e duhur për t’i zbatuar ato. Ky duhet të ketë qenë gabimi im. Por ky jam unë.

A do të dalim nga kriza demokratike në të cilën gjendemi aktualisht?

Ne ndodhemi në një situatë shumë të pakëndshme; jemi midis 2 epokave. Realiteti politik,

në të cilin formula themelore përfshinte vendet e grupuara së bashku në blloqe, është një

gjë e së kaluarës. Zhvillimi teknologjik – sidomos interneti, si dhe disponueshmëria e transportit ajror – e kanë ndryshuar botën.

Demokracia duhet t’i përshtatet këtij zhvillimi. Po shfaqet epoka e pronësisë intelektuale, informacionit dhe globalizimit. Dhe kjo kërkon një infrastrukturë të re. Zakonisht, shoqëritë zhvillohen ngadalë, por ndonjëherë ka një hop të madh. Ne po jetojmë në një moment të tillë. Jemi dëshmitarë të rënies së një epoke dhe shfaqjes së një epoke të re.

Për shembull, ju mbani një maskë në fytyrë. Sipas mendimit tim, pandemia e koronavirusit është një shenjë që ne nuk i kemi përshtatur institucionet tona me teknologjinë tonë. Zoti po na thotë:uluni në tryezë, dhe përpiloni një listë të çështjeve që nuk përshtaten në shtetin- komb. Ne duhet të ri-mendojmë kompetencat e duhura të vendeve dhe blloqeve shumëkombëshe, dhe atë mbi të cilën duhet të vendoset në nivel global.

Për shembull, çfarë duhet të ndryshohet?

Një nga problemet themelore që duhet adresuar, është pjesëmarrja e ulët në shumë zgjedhje. Nëse kjo prirje përkeqësohet, në votime do të shkojnë vetëm kandidatët dhe familjet e

tyre. Ndaj njerëzit duhet të riorientohen në mënyra të reja të menduari, për të rritur pjesëmarrjen në proceset demokratike. Përndryshe, demokracia me siguri që do të bjerë.

A përshtatet Bashkimi Evropian me epokën e re për të cilën po flisni?

Duhet të ekzistojë një organizatë që koordinon veprimin dhe sjelljen e shteteve. Nëse kjo është BE apo diçka tjetër, për mua nuk ka shumë rëndësi.

Por BE-ja është një institucion i tillë koordinues…

Ka dy mundësi. Ose ne e ripërtërijmë unionin, ose do ta lemë atë të shpërbëhet. Dhe 5 minuta më vonë, do të krijojmë një organ të ri me themele më të forta, me të drejta dhe përgjegjësi të qarta për të gjitha vendet anëtare, pa asnjë përjashtim. Kjo është diçka që i mungon unionit të sotëm.

Në politikë po shohim një kthesë të fortë drejt nacionalizmit, si në Poloni apo Hungari. A është kjo diçka e përkohshme, apo kemi një zhvendosje të përhershme?

Ne ua dhamë hapësirë të lirë demagogëve dhe populistëve, pasi parullat e tyre të thjeshta plotësonin nevojat e njerëzve të lodhur nga fakti se sa e ndërlikuar dhe mashtruese është kjo botë e re që po na shfaqet. Kjo është një botë që ata nuk e kuptojnë. Vrulli populist do të pritet kur ne t’i përgjigjemi me sukses tre problemeve.

Së pari, cila është baza për të ardhmen? Secili vend ka identitetin dhe fenë e vet. Por globalizimi kërkon baza të reja. Pasi të kemi krijuar këto themele të reja, dhe t’i kemi shkruar në një lloj kushtetute, ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes së dytë:Çfarë sistemi ekonomik do të ndërtojmë?

Me siguri, përgjigjja nuk mund të jetë komunizmi ose socializmi, sepse ai nuk është një sistem efikas. Por as kapitalizmi që kemi sot. Ne nuk mund ta pranojmë “garën e minjve” midis shteteve që ka filluar të rishfaqet. Problemi i tretë:Si të përballemi me demagogjinë dhe mashtrimin e politikanëve, në një shkallë që i tejkalon kufijtë e imagjinatës.

Përveç demokracisë, çfarë duhet të marrim nga “bota e vjetër” për ta përdorur tek “bota e re”?

Ndarjen e trefishtë e pushtetit. Autoritetet duhet të kontrollohen, përndryshe tentojnë të abuzojnë me pushtetin e tyre.

Cili është qëndrimi juaj ndaj monumenteve kombëtare, shumë prej të cilave po rishikohen si këtu, ashtu edhe në vendet e tjera, me SHBA-në në krye?

Ne e sfiduam rolin e Zotit në jetën tonë, dhe tani njerëzit po kërkojnë një ri-përcaktim të vlerave të tyre. Prandaj, turmat duan që të nderojnë heronjtë e të kaluarës. Nëse duam të ndërtojmë diçka më të madhe, duhet që të rrëzojmë nga piedestalet dhe të gjejmë heronj të rinj tek të cilët të besojmë. Por ka edhe një mënyrë tjetër që ua sugjeron plakushi Valesa:të mos i rrëzoni këto monumente, por t’i përdorni ato për të kujtuar se sa gjëra të këqija ndodhën dikur, dhe sa gjak na kushtoi ajo që kemi sot.

Flitet se sot Bjellorusia mund të përsërisë atë që ndodhi në Poloni gjatë epokës së “Solidarność”. A do të kenë sukses njerëzit atje?

Ajo që po ndodh atje, është një pjesë e strukturës ruse. Kjo është arsyeja pse kjo luftë, do të jetë e suksesshme vetëm nëse BE dhe Perëndimi gjejnë një zgjidhje për Bjellorusinë. Kam frikë për atë që mund të ndodhë në dimër, kur Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz, dhe atëherë Bjellorusia do të vihet me shpatulla pas murit. Kam frikë se Evropa është ende shumë e dobët për të marrë rolin e partneres kryesore të Bjellorusisë. Për mendimin tim, çelësi i suksesit është të ruhet vrulli i revolucionit aktual deri në dimër.

A përbën Kina një kërcënim për botën perëndimore?

Njëzet vjet më parë, unë thashë që vendet evropiane duhet të ndërtojnë Shtetet e Bashkuara të Evropës, e cila nga ana tjetër duhet të krijonte sa më shpejt një bllok me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atëherë ne do të ishim të gatshëm të negocionim me Kinën në një botë të globalizuar.

Meqë aleanca e Evropës me Amerikën nuk ka arritur të konsolidohet, Kina dëshiron të udhëheqë botën. Dhe kjo rrit rrezikun e një konflikti. Me kë duhet të bisedojë Kina në Evropë? Këtu nuk ka një zë apo aktor të vetëm. Nëse marrim një vendim të përbashkët, Polonia do ta zbatojë atë, por për shembull Gjermania, mund të mos e zbatojë.

As Kina nuk ka nevojë ta dëgjojë SHBA-në, pasi shumë shpejt kinezët do të arrijnë të bëhen edhe më të pasur, pa bashkëpunimin apo ndihmën e amerikanëve. Por nëse Evropa dhe SHBA-ja krijojnë një bllok të unifikuar, Kina do të duhet të na trajtojë si të barabartë. / NYBOOKS – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close