Histori

INTERVISTA / Lufta e nazistëve: Hormone kafshësh dhe Eukodal për Hitlerin. Drogë si metamfetamina për ushtrinë

Screen Shot 2015-09-19 at 23.27.17

Titulli “Der Totale Rausch” me autor Norman Ohlerin është një lojë fjalësh, duke përdorur shprehjen e nazistëve “luftë totale”, e cila u përdor në një fjalim të famshëm të Jozef Gëbelsit në vitin 1943. SI pjesë e një serie pyetjesh, të cilave turma i përgjigjej në kor “Ja”, Gëbelsi tha se Britania besonte që gjermanët ishin gati të dorëzoheshin, përpara se të pyeste: “a doni luftë totale”?

Ohleri i ka kërkuar vitet e fundit me kërkime mbi oreksin e udhëheqjes gjermane për euforinë që të jep droga, për vete dhe ushtarët e tyre. Ai ka thënë për Dojçe Velen se “abuzimi me drogën në Gjermaninë naziste ka qenë tronditës”.

“Eufori totale” – nga ju erdhi ideja për këtë libër?

Një DJ në Berlin, një mik i mirë i imi, më ka thënë një herë se nazistët merrnin shumë drogë. Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për këtë gjë. Ndezi diçka tek unë; më tingëlloi e vërtetë, u bëra kureshtar dhe nisa të kërkoj nëpër arkivat federale të Gjermanisë, si dhe në arkivat kombëtare të SHBA në Uashington dhe Merilend. Gjëja e parë që doja të shihja ishin shënimet e mjekut personal të Hiterit, Dr. Teodor Morel – dhe për gëzimin tim, këto shënime ishin goxha të shtjelluar, aty shpjegonte se si e kishte trajtuar Hitlerin përgjatë viteve, duke përfshirë gjëra të tilla si: “injeksion, si gjithmonë” dhe “Eukodal”, që është një opiat i fortë.

A ishte kjo e njëjta drogë që u jepej ushtarëve?

Jo, ushtarët përdornin Pervitinë, një produkt gjerman i patentuar në vitin 1937, i cili përmban metamfetaminë. Deri në vitin 1939, e gjeje lirisht si ilaç. Në Berlin u bë drogë e preferuar, ashtu si njerëzit që pijnë kafe për të rritur energjinë e tyre. Njerëzit merrnin shumë Pervitinë. Shoqëria donte që Pervitina të zëvendësonte Coca Cola-n. Kështu që njerëzit e merrnin, funksiononte dhe u bënë euforikë – një gjendje që përputhet me gjendjen e përgjithshme shpirtërore para luftës.

Pastaj ushtria zbuloi Pervitinën?

Ushtria kuptoi që ka një drogë e cila mund t’u interesojë ushtarëve, sepse Pervitina të mban zgjuar për një kohë të gjatë… për ditët e para, as nuk ke nevojë të flesh. U përdor për herë të parë kur Gjermania pushtoi Sudetenland dhe më pas Poloninë, dhe pastaj kur Gjermania sulmoi Francën në vitin 1940. Përpara sulmit, ushtria gjermane porositi 35 milionë tableta Pervitinë për ushtarët që përparonin drejt Francës.

Pervitina u përdor shumë brenda ushtrisë gjermane. Hitleri nuk përdorte pervitinë; ai merrte steroide – në gjakun e tij injektoheshin hormone kafshësh. Dhe më vonë ai përdorte Eukodal, një kushëri farmaceutik i heroinës. Hitleri e donte shumë Eukodalin. Sidomos në vjeshtën e vitit 1944, kur situata e ushtrisë ishte shumë e keqe, ai përdorte drogën e fortë që e bënte euforik, edhe kur realiteti nuk të bënte aspak euforik. Gjeneralët i thoshin vazhdimisht: “Duhet të ndryshojmë taktikë. Duhet t’i japim fund. Do të humbasim luftën”. Dhe ai nuk donte të dëgjonte. Dr. Morelli i jepte drogën, e cila e bëntë të ndihej si i pamposhtur, dhe sikur e kishte situatën nën kontroll.

A dihej kjo gjë në Gjermani?

Askush nuk e dinte se çfarë i jepte Morelli Hitlerit. Morelli nuk i tha askujt, po kështu dhe Hitleri. Por shumë njerëz dyshonin se diçka e çuditshme po ndodhte. Pati disa përpjekje për ta detyruar Morellin të zbulonte se çfarë i jepte Hitlerit, por ai refuzoi. Ishte një sekret mes të dyve.

Po ushtarët, e merrnin haptas Pervitinën?

Nuk ishte aspak sekret që ushtarët merrnin Pervitinë. Në fillim, ushtria nuk e kuptoi që Pervitina ishte drogë; ata mendonin që ishte njësoj si të pije kafe. Por në vitin 1941, u shpall drogë e paligjshme. Në ushtri, pas kësaj shpërndarja bëhej në fshehtësi, por të dhënat e luftës kundër Rusisë nuk janë aq të qarta sa ato të sulmit ndaj Francës, ku mund të kuptojmë se sa tableta u shpërndanë. Unë kam folur me një mjek-oficer, që ka qenë në Stalingrad, dhe ai tha se PErvitina ende u jepej ushtarëve në Stalingrad, por nuk bëri asnjë ndryshim.

A kanë marrë edhe ushtritë e tjera stimulantë?

Ata zbuluan për drogën që përdornin gjermanët dhe britanikët përdornin metamfetaminë. Shumë prej ushtarëve amerikanë që shkuan në luftë, kaluan nga Anglia, dhe morën edhe ata metamfetaminë. Amerikanët e merrnin drogën për të përballuar këta ushtarë të çmendur gjermanë. Dhe hodhi rrënjë në ushtrinë amerikane: po të shohësh luftën koreane në vitin 1950, ishte një luftë metamfetamine, ku të gjithë pilotët ishin të bërë. Gjermanët nisën përdorimin e drogës në ushtri, por shtetet e tjerë nuk mbetën pas.

LSD, për shembull, u shpik nga një kimist zviceran, dhe shërbimi i fshehtë amerikan u përpoq ta përdorë, bazuar gjithashtu në eksperimentet e gjermanëve në kampin e përqëndrimit në Dachau, ku një doktor me emrin Ploetner përdori meskalinën për teknika të reja të marrjes në pyetje. Kur amerikanët çliruan kampin e përqëndrimit, ata morën studimet dhe i përdorën në Projektin Artichoke, si dhe i përdorën në vitet 1950, për të zbuluar se kush ishte agjent sovjetik, dhe kush nuk ishte.

Cila ishte surpriza më e madhe për ju, gjatë viteve të kërkimeve për këtë libër?

Më mbresëlënës ishte përdorimi i tepruar i drogës nga Hitleri.

Norman Ohler, i lindur në vitin 1970, është një gazetar gjerman fitues i disa çmimeve, dhe shkrimtar romanesh dhe skenarësh për filma. Për këtë libër, ai ka kryer pesë vite kërkime, duke folur me dëshmitarë, historianë ushtarakë dhe doktorë.

Dojçe Vele – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button