LetersiPersonazhe

Isabel Allende: Duhet më shumë kurajë të rrish në një marrëdhënie të vdekur sesa ta braktisësh atë

Screen Shot 2015-12-27 at 20.23.55

Isabel Allende ishte e bekuar: kishte ngrohtësinë e një shtëpie dhe adhurimin e bashkëshortit. “Një vit më parë do të kisha thënë se shtëpia është atje ku është dashuria. Tani që nuk e kam më dashurinë nuk e di ku është shtëpia ime”,- thotë Allende.

Pas 27 vitesh martesë dhe dhjetëra librave mbi eksplorimin e dashurisë dhe familjes, shkrimtarja 73-vjeçare jeton vetëm në shtëpinë e saj në periferi të San Franciskos. Megjithatë, e vetmja gjë që nuk dëshiron është keqardhja: “Mos më ngushëllo, sepse martesa ime përfundoi mirë. Nuk i bërtitëm kurrë njëri-tjetrit, nuk përplasëm dyer në fytyrë, nuk pati një person të tretë në mes.

Një grua që ka përjetuar mërgimin, dhimbjen, famën dhe suksesin, Allende duket gati për të përqafuar të renë, një kapitull të ri në jetën e saj. “Është e çuditshme të vish në shtëpi dhe të gjitha dritat janë fikur, është qetësi absolute dhe ftohtë. Është e çuditshme të mos ndjesh praninë e dikujt tjetër. Por do të mësohem”.

Bestsellerat e saj, si “Paula”, një libër për të bijën që ndërroi jetë në vitin 1992, kanë treguar aftësinë e shkrimtares për të depërtuar në shpirtin njerëzor.

E braktisur nga i ati në moshën trevjeçare, Allende lëvizi me të ëmën dhe njerkun nëpër të gjithë Amerikën e Jugut, para se të ktheheshin në Santiago. Pas grushtit të shtetit nga Pinoçeti, Isabela e re, kushërirë e presidentit të rrëzuar, u detyrua të mërgonte. U vendos në Venezuelë, ku ndoqi gazetarinë, u nda nga bashkëshorti i parë dhe shkroi romanin e saj të parë dhe mbase më të njohurin, “Shtëpia e shpirtrave”, e frymëzuar nga kujtimet në shtëpinë e gjyshërve. U martua sërish dhe kur u vendos me të shoqin në Kaliforni ishte bërë një fenomen. Tre fëmijët e Gordonit nga një marrëdhënie e mëparshme ishin të varur nga droga dhe dy prej tyre vdiqën nga mbidoza.

“Kur vdiq djali i vogël, ai humbi interesin në çdo gjë. Na përjashtoi të gjithëve, përfshi mua. Është e trishtë. Të dy ne kemi humbur tre fëmijë. Shumë pak çifte përballojnë humbjen e një fëmije, imagjino tre”. Ajo u mundua ta shpëtonte martesën: “Provova terapinë, antidepresantë, gjithçka. Por një martesë nuk shpëtohet vetëm nga njëri, duhet vullneti i të dyve. Duhet më shumë kurajë të rrish në një marrëdhënie të vdekur sesa ta braktisësh atë”.

Pavarësisht gjithçkaje, Isabel e quan veten me fat: “Kam pasur periudha të errëta dhe tragjedi, por kam përjetuar shumë gëzime e plot sukses. Nuk besoj se ka njeri që nuk përjeton gjërat të tilla, me mua thjeshtë të gjitha kanë qenë të ekzagjeruara”. / Botimeshqip

Leave a Reply

Back to top button