Bota

Ish agjenti i CIA-s: SHBA pati rolin kryesor në arrestimin e Mandelas

Screen Shot 2016-05-17 at 11.41.35Ish agjenti i CIA-s Donald Rickard pranoi se ka ushtruar rolin kryesor në arrestimin e Nelson Mandelës në vitin 1962, sipas “Sunday Times”. Ish-agjenti, pak para vdekjes së tij këtë vit, ka pranuar në një bisedë me regjisorin britanik John Irvin, autor i filmit “Mandela’s Gun”, se i ka dhënë informacionin autoriteteve të Afrikës së Jugut për vendndodhjen e Mandelës.

“Mësova si dhe kur do të vinte… kështu u përfshiva unë dhe si u arrestua Mandela”, ka thënë agjenti. Rickard mbrojti arrestimin e njeriut më të kërkuar në Afrikën e Jugut në vitin 1962, që sipas tij duhej të kapej sepse ishte “komunisti më i rrezikshëm i botës jashtë Bashkimit Sovjetik”. “Ekzistonte frika se Mandela mund të nxiste një luftë në Afrikën e Jugut, ku rrezikonte të përfshihej dhe Amerika. Ishim në buzë të greminës, ndaj duhej ndaluar”, shton ai.

Zëdhënësi i Kongresit Kombëtar Afrikan, Zizi Kodwa, ka deklaruar se ndërhyrja e CIA-s në politikën e vendit ishte një përpjekje për të destabilizuar lëvizjen çlirimtare në Afrikën e Jugut. “Kjo konfirmon atë që kemi ditur gjithmonë, se ata (SHBA) kanë vepruar kundër nesh, edhe sot”. Sipas të dhënave historike, legjendari jetonte si klandestin dhe hiqej si shofer kur u arrestua në 1962 ndërkohë që shkonte nga Durban në Johanesburg.

Pas kësaj u gjykua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. U mbajt në burg 27 vjet para se të lirohej dhe të bëhej presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut post – aparteid dhe një nga politikanët më me ndikim në botë.

The Sunday Times e përshkroi zbulimin si një “deklaratë bombë” që mund të nxisë agjencinë amerikane të zbulojë të vërtetën në lidhje me marrëdhënien e saj me regjimin e aparteidit. Rickard ishte një diplomat i ri në konsullatën amerikane në qytetin e Durbanit në kohën e arrestimit të Mandelës.

Kur u pyet në vitin 2012 për rolin e tij në këto ngjarje, ai tha për Wall Street Journal: “Nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë të vërtetë në histori”. Megjithatë, ai ndryshoi mendje dhe i vuri kapak asaj që për dekada të tëra ishte “sekreti” që njihej nga të gjithë. /DITA

Leave a Reply

Back to top button