Nëse i lexon sondazhet e fundit (partia e kryeministrit izraelit ka arritur nivelin më të lartë të mbështetjes që nga 7 tetori 2023) dhe editorialet e mediave kryesore, në Izrael gjithçka po shkon shumë mirë: fushata kundër Iranit po shkatërron udhëheqjen ushtarake të Republikës Islamike dhe po e çon shumë prapa programin bërthamor.
Izraeli po pret me padurim që Shtetet e Bashkuara t’i bashkohen sulmit për të shkatërruar një herë e mirë impiantin e Fordow, dhe shpreson që kjo të përshpejtojë rrëzimin e regjimit.
Megjithatë, në rrethet e ekspertëve fillon të ndihet një shqetësim serioz, veçanërisht në dritën e qëndrimit të kujdesshëm të presidentit Trump: sepse, siç mësohet në manualet e historisë ushtarake, të nisësh një luftë është shumë më e lehtë se sa ta përfundosh atë.
Ndër zërat më autoritativë që shprehin shqetësim është Udi Citrinowicz, ish-shef i Divizionit për Iranin i Inteligjencës Ushtarake izraelite, sot përgjegjës për programin për Iranin dhe boshtin shiit në Institute for National Security Studies. Citrinowicz paralajmëron: “Nuk do të jetë një fushatë e shkurtër.”
Trump po vonon: A po hyjmë në një fazë bllokimi?
Nuk besoj se SHBA do të presin edhe dy javë për të vendosur, por duhet bërë një vlerësim kompleks: nëse shkatërrimi i Fordow është i vërtetë, ndoshta Irani do të përgjigjet duke goditur objektiva amerikane ose duke sulmuar trafikun detar në ngushticën e Hormuzit, me pasoja të pallogaritshme ekonomike. Alternativa është negociata. Por për çfarë rezultati? Për të arritur ku? Ajo që SHBA po ofron është e papranueshme për Iranin. Pra, cilado qoftë rruga, askush nuk e sheh në horizont një përfundim të shpejtë.
Përballë këtyre skenarëve, cila është strategjia e Izraelit?
Ne nuk kemi asnjë iluzion, askush nuk do të na ofrojë një marrëveshje të mirë në tavolinë: ajo që më shqetëson është kohëzgjatja. Kjo luftë ka kosto shumë të larta, dhe po qarkullojnë tashmë disa parashikime që flasin për një miliard dollarë në ditë: të dërgosh avionë deri në Iran, dëmet që po pësojmë ndaj objektivave të goditura, armët që po përdorim… Të luftosh kundër Iranit nuk është njësoj si të luftosh në Gaza. Kemi arritur dominimin e qiejve dhe kemi shkaktuar dëme të mëdha ndaj armikut – po tani? Si do të ecim përpara?
Kryeministri ka folur hapur për ndryshim regjimi…
Nuk mendoj se duke vrarë Khamenein, do ta bëjmë të ardhmen më të mirë. Rusia tashmë ka thënë që do të reagojë, do të kemi kundër shiitët në të gjithë botën, regjimi mund të mbijetojë gjithsesi: në fund, vdekja e Khamenei-t mund t’i shërbejë lojës së armiqve tanë.
Skenari që po përshkruani nuk ndryshon shumë nga ai i Gazës: epërsi ushtarake, por mungesë e një plani politik…
Sigurisht: është e njëjta gjë. Jemi në gjendje të godasim dhe të shkaktojmë plagë vdekjeprurëse, por pastaj, si e mbyllim këtë? Pa një marrëveshje politike nuk ka rrugëdalje nga asnjëra prej krizave.
Ju e keni studiuar Iranin për 25 vjet: supozoni që Netanyahu dhe njerëzit e tij janë në timon të kësaj lufte. A është e mundur që askush nuk ka ngritur dorën për të paralajmëruar?
Në dhomën e komandës nuk është vetëm Netanyahu dhe njerëzit e tij: atje janë edhe Forcat e Armatosura, ne dimë që kanë ndikim të vërtetë. Është një situatë problematike dhe besoj se duhet të kthehet në një zgjidhje politike. Është e vërtetë, kemi shkaktuar dëme të mëdha, por kjo nuk ka ndryshuar ende kapacitetin bërthamor të Iranit.
Por, sot në Izrael, në ritmin e kësaj fushate, ka një lloj euforie: kështu thonë sondazhet, televizioni, editorialistët, madje edhe ata që zakonisht janë kritikë ndaj qeverisë…
Një eufori që nuk mund të justifikohet. Harrojmë disa pyetje thelbësore: a jemi vërtet më pranë ndalimit të pasurimit të uraniumit? Për të qenë të ndershëm, a nuk ishte pikërisht Netanyahu ai që e shtyu Trump-in të dalë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015? Mund të ketë qenë një sukses atëherë, por ajo që ka rëndësi është si mbaron, jo si fillon një luftë.
Dhe si do të përfundojë kjo?
Këtë nuk e di askush. Mund të them se situata është më e ndërlikuar se sa duket në sytë e publikut. Ky është një vend që është tashmë në një gjendje gjysmë-lufte me Iranin që prej më shumë se dhjetë ditësh bombardimesh. Irani është i fortë, por armiku më i rrezikshëm nuk është ai përballë: është bindja se jemi më të fortë se sa goditjet që po pësojmë. / La Repubblica – Bota.al