Speciale

Islami dhe Krishtërimi: Hija e një të kaluare të përgjakur. Rrëfimi i një historiani

Për shekuj të tërë, Islami dhe Krishtërimi kanë qenë të mbërthyer në një konflikt brutal, që shumica e kanë harruar. Tmerri, argumenton një prej historianëve më të mirë të momentit, është se për xhihadistët, ky konflikt është po aq real sot, sa edhe ka qenë në Mesjetë

Një rrëfim i jashtëzakonshëm, një shpjegim i hollësishëm i një beteje, e cila është zhvilluar për më shumë se një mijëvjeçar. Përse edhe sot kërkohet që të shihet bota si e ndarë, mes “Shtëpisë së Islamit” dhe “Shtëpisë së Luftës”. Dy qytetërime që ndërruan vende. Me islamin e përfaqësuar nga Al Andalusi, që edhe kundërshtarët e thirrnin “stolia e botës”, dhe i cili e shihte “Krishtërimin”, si të prapambetur, me gra të pacipa dhe burra që nuk laheshin. Për të kaluar tek Kryqëzatat, tek rënia e Kostandinopojës, pushtimet e Vienës, dobësimi i qytetërimit të Islamit, imperializmit dhe kolonializmit të ideuar nga europianët. Për të mbërritur në një kohë, atë të sotmen, ku në mentalitetin e tyre, Mesjeta nuk ka marrë fund kurrë. Rreziku i kësaj mënyre të menduari është fatkeqësisht dhe brutalisht i dukshëm – një botë në të cilën, të rinj që vriten në një koncert rroku mund të mallkohen si “Kryqtarë”, është një botë në prag të çmendurisë. Lexojeni këtë zbërthim brilant të historisë

Screen Shot 2015-11-22 at 18.38.41

NGA TOM HOLLAND

Mëritë e terroristëve islamikë që kanë shkaktuar kasaphanat dhe gjakderdhjet në rrugët e Parisit, dy herë këtë vit, e kanë origjinën shumë pas në histori.

Në mendjen e tyre, nuk është thjeshtë një dhunë e papërmbajtur, por vazhdimi i një beteje, e cila është zhvilluar për më shumë se një mijëvjeçar.

Për këtë fliste Osama bin Ladeni, kur paralajmëronte botën myslimane në vitin 1996, “se populli i Islamit ka vuajtur gjithmonë nga agresioni, ligësia dhe padrejtësia që i janë imponuar prej aleancës së Sionistëve dhe Kryqtarëve”.
Sot, ISIS-i i ushqen në mënyrë po kaq të helmët, pakënaqësitë tij.

Në komunikatën plot ngazëllim që nxorri pas sulmeve terroriste në Paris javën që kaloi, Franca dënohej me terma mesjetarë: si kryeqyteti “i Kryqit”.

Kjo ndodh sepse xhihadistët e shohin veten si të angazhuar në një luftë të vjetër sa vetë Islami: një betejë për supremaci globale kundër Krishtërimit.

Një lexim i tillë i historisë reflekton faktin që, të dyja fetë, prej kohësh e kanë projektuar veten, si të destinuara për të mbizotëruar në të gjithë botën. Kështu që, tensionet me tyre nuk janë aspak të habitshme.

Në mesjetë, kishte të krishterë që besonin se Islami nuk ishte asgjë më shumë, se sa një plagjarizëm heretik i besimit të tyre, dhe Muhamedin e shihnin thjeshtë si një idhull gjigand të mbushur me xhevahirë. Në një frymë korresponduese, libri i shenjtë islamik i Kur’anit i akuzonte të krishterët se kishin korruptuar Biblën.

Në fillim të shekullit 7, kur Muhamedi nisi misionin e tij profetik, shumica dërrmuese e njerëzve në Lindjen e Mesme ishin të krishterë. Megjithatë, deri në vitin 650, më pak se 20 vjet pas vdekjes së Muhamedit në vitin 632, ushtritë arabe kishin pushtuar shumicën e Lindjes së Mesme, dhe kishin vendosur nën synimin e tyre, një numër të madh të krishterësh.

Perandoria që lindi u rrit shumë prej taksave që u merreshin të pushtuarve. Po ç’ndodhi me të krishterët që refuzuan t’u binden arabëve?

Perandoria Bizantine – emri me të cilin historoianët quajnë gjysmën lindore, të mbijetuar të Perandorisë Romake – vazhdoi të mbahet, ndonëse kishte humbur Sirinë, Palestinën dhe të gjithë provincat e saj në Afrikën Veriore.

Deri në shekullin 8, 100 vjet pas vdekjes së Muhamedit, po bëhej e qartë se Kalifati Islamik që ishte krijuar, nuk ishte, në fund të fundit – siç kishin shpresuar fillimisht myslimanët – i destinuar që të pushtonte botën me një të zgjatur të dorës.

Ndonëse ishin shtrirë në perëndim deri në Marok dhe në lindje, thellë në Azinë qendrore, ushtritë arabe kishin ndeshur gjithësesi në kundërvënie të herëpashershme.

Armiqtë e tyre më të fortë, siç kishte ndodhur qysh prej fillimit, ishin Bizantinët, kryeqyteti i të cilëve, Kostandinopoja, u më mburoja e Krishtërimit.

Dy herë e rrethuar nga arabët, ajo qëndroi pa rënë. Në fund, arabët nisën ta shohin luftën e tyre me Bizantinët, si një qorrsokak, i destinuar të vazhdonte për shumë breza.

Pastaj, gjatë shekullit 8, myslimanët nisën ta konceptojnë botën si të ndarë, mes Shtëpisë së Islamit dhe një “Shtëpie Lufte” të Krishterë, e ligë në mosbesimin e saj, e ngurtë në sfidën që i bënte Kur’anit të Shenjtë. Në gojë të Muhamedit u vunë shprehje, që bënin thirrje për luftë në emër të Allahut, si një detyrë e Besimtarëve, si për shembull: “Unë u urdhërova të luftoj të gjithë njerëzit, deri sa ata të thonë: Nuk ka Zot tjetër veç Allahut”.

Vrasja e të krishterëve shihej jo vetëm si një zgjedhje për myslimanët e devotshëm, por edhe si një detyrim pozitiv. Një veteran i luftërave kundër Bizantinëve, bëri një kundërshtim të ashpër ndaj një miku të tillë jo të prirur për beteja, i cili mburrej për pelegrinazhet e tij paqësorë në Mekë dhe Medinë. “Adhurimi yt është thjeshtë lojë. Për ty, aromat e erëzave, por për ne aroma e pluhurit, dhe dheut, dhe gjakut që rrjedh në qafët tona – që janë gjithësesi më të kënaqshme”.

Ndërkohë, në perëndim të Europës, mbretërit e krishterë përpiqeshin të pajtonin mësimet e Krishtit për të kthyer faqen tjetër, me instiktet e tyre materiale. Kishin shumë pak zgjedhje. Piratët arabë mësynë në brigjet e Italisë dhe jugut të Francës, duke plaçkitur provinca të tëra për plaçkë njerëzore, ndërkohë që në Spanjë, myslimanët kishin pushtuar një perandori, e cila kishte lënë të krishterët e gadishullit, të rrethuar si ujqër nëpër male dhe rrafshnalta djerrë.

Al-Andalus, siç njihej ky kalifat perëndimore – Andaluzia moderne – ishte po aq brilant, sa edhe çdo rajon në Shtëpinë e Islamit: i pasur me prodhime drithërash, qytete madhështorë, dhe zbukuruar me artet e paqes, si shkenca dhe filozofia.

Edhe armiqtë e tij të krishterë e përshëndesnin si “stoli e botës”. Sigurisht, mbretëritë e grindura dhe të varfëra të Krishtërimit nuk mund të krahasoheshin. Prapambetja e tyre, për myslimanët e Al Andalusit, dukej si rendi natyror i gjërave.

Në vitin 997, në një demonstrim pikërisht të kësaj, një ushtri myslimane sulmoi Santiago de Compostela, vendi më i shenjtë i Spanjës. Këmbanat e katedrales së plaçkitur u varën në Xhaminë e Madhe të Kordobës, në jug, për t’u shërbyer besimtarëve, ndërsa të burgosurit e luftës u dërguan të punojnë në xhami.

Të tjerëve iu prenë kokat në publik, dhe kokat e tyre u shëtitën nëpër tregje, përpara se të vareshin në portat kryesore të qytezës.

Megjithatë, pavarësisht goditjeve si kjo, Krishtërimi nuk u shemb. në vend të kësaj, në epokën e Kryqëzatave, ai nisi të hidhet në ofensivë. Thirrur nga Papa në vitin 1096 për të mbrojtur vendet e shenjtë të Jeruzalemit, hordhitë e luftëtarëve të krishterë u nisën nga Europa perëndimore, për në Tokën e Shenjtë. Tre vjet më vonë, në 15 korrik 1099, një ushtri e krishterë hyri në Jeruzalem; dhe këtë herë, gjaku vërshoi në rrugët e qytetit të tretë më të shenjtë të Islamit.

Në fund të saj, kur vrasjet kishin marrë fund, luftëtarët triumfues të Krishtit, duke qarë nga gëzimi dhe mosbesimi, u mblodhën në varrin e shenjtë të Shpëtimtarit të tyre, dhe u gjunjëzuan në një ekstazë adhurimi.

Suksesi i Kryqëzatave reflektoi një militarizim të doktrinës së krishterë, që e bëri më se të barabartë me angazhimin e Islamit ndaj dhunës ushtarake.

Ndonëse Jeruzalemi mbeti në duart e tyre për më pak se një shekull, treiumfe të tjerë rezultuan më jetëgjatë. Në shekullin 11, Siçilia iu rimor pushtuesve të saj myslimanë nga normanët, ndërkohë që Al Andalusi u ripushtua në mënyrë progresive prej të krishterëve të SPanjës. Jo se myslimanët u dëshpëruan. Ata e tallnin Europën si barbare, të fragmentuar dhe të varfëruar, plot me gra të pacipa dhe burra që nuk laheshin kurrë.

Horizontet e tyre ishin pafundësisht më të gjerë. Deri në shekullin 15, një zinxhir i vazhdueshëm tokash myslimanësh shtrihej tashmë nga Atlantiku deri në Detin e Kinës.
Sado e fragmentuar politikisht e fragmentuar që mund të ketë qenë kjo perandori, kudo ku myslimanët udhëtonin, ata mund të dëgjonin arabishten e Kur’anit, dhe gjenin kënaqësi në sigurinë se kishte vetëm një besim të vërtetë global: Islamin.

Në vitin 1453 ndodhi një ngjarje që sugjeronte se feja myslimane mund të bëhej edhe më globale.
Pushtimi i Kostandinopojës nga turqit otomanë pa kryeqytetin më të famshëm të krishterë, të shndërrohet në një bastion të Islamit. Me pjesën më të madhe të Ballkanit nën sundimin otoman, u duk se e gjithë Eurpa do të binte para Islamit.

Vit pas viti, forcat turke vinin në provë mbrojtjet e të krishterëve, duke kaluar fushat e Hungarisë, apo sulmuar ujërat e Maltës me anijet e tyre të luftës. Në vitin 1529, dhe sërish në vitin 1683, një ushtri otomane pothuaj e mori Vienën.

Megjithatë, ajo do të ishte përpjekja e fundit për të shtrirë Kalifatin në të gjithë Europën. Ekuilibri global i fuqive po zhvendosej, dhe pothuaj një mijëvjeçar dominim mysliman, po merrte fund.

Ishin të krishterët që kolonizuan Amerikën, krijuan perandori tregtare që u shtrinë në të gjithë globin dhe nisën procesin e industrializimit. Deri në shekullin 19, me Indinë që sundohej nga Raxhi britanik, dhe Perandorinë Otomane Islamike të tallur në kryeqytetet perëndimore si “i sëmuri i Europës”, myslimanët nuk mund të mbyllnin më sytë përpara shkallës së madhe të rënies së tyre. Ishin ata tashmë, të nënshtruarit, dhe tashmë qytetërimi i Islamit u ngjante kundërshtarëve të tij, po aq i prapambetur, sa kishte qenë dikur Krishtërimi.

Që nga ditët e para të fesë së tyre, myslimanët kishin qenë të prirur të merrnin për të mirëqenë se e vërteta e tij manifestohej prej suksesit që kishte në botë. Si rezultat, të nënshtruar nga të pafetë britanikë dhe francezë, shumëkush në botën myslimane shihte nga epoka e artë e Kalifatit për të gjetur frymëzim.

Epoka e Muhamedit dhe pasardhësve të tij, që e kishin parë Islamin të ngrihej nga errësira e shkretëtirës, në një perandori globale, lartësohej tashmë si modeli që duhej ndjekur. Në dekadat e fundit, pakënaqësia ndaj ndërhyrjeve të vazhdueshme të Perëndimit në vendet myslimane, si Afganistani dhe Iraku, vetëm sa e kanë shtuar joshjen nga e kaluara e lavdishme.

Sot, sipas një sondazhi, dy të tretat e myslimanëve në të gjithë botën dëshirojnë të shohin rikthimin e një Kalifati. Ata nuk i kundërvihen perandorive në vetvete – thjeshtë perandorive jo Islamike.

Kështu që, nuk është për t’u habitur, që al Kaeda dhe ISIS janë kaq të fiksuara në periudhat e historisë, që për shumicën e perëndimorëve janë të errëta.

Që Kostandinopoja ka qenë një qytet mysliman për pothuaj 600 vjet, që Kryqëzatat kanë marrë fund kohë më parë, dhe që Europa nuk e quan më veten si Krishtërimi, këto gjëra vështirë se zënë vend në ndërgjegjen e xhihadistëve.
Në mentalitetin e tyre, Mesjeta nuk ka marrë fund kurrë. Rreziku i kësaj mënyre të menduari është fatkeqësisht dhe brutalisht i dukshëm – një botë në të cilën, të rinj që vriten në një koncert rroku mund të mallkohen si “Kryqtarë”, është një botë në prag të çmendurisë.

Nuk janë vetëm jo-myslimanët që rrezikohen nga kjo nostalgji imperialiste. “Ose jeni me Kryqtarët”, i ka paralajmëruar ISIS-i myslimanët europianë, “ose jeni me Islamin”. Ambicia e tij është të terrorizojë Perëndimin që të kthehet kundër qytetarëve të tij myslimanë, dhe ta bëjë të pamundur për ta që të jetojnë këtu si të barabartë. “Sepse pastaj, myslimanët në vendet e Kryqtarëve do të dëbohen dhe braktisin shtëpitë e tyre, dhe do të shkojnë të jetojnë në Kalifat”.
Vështirë se historia mund të shfrytëzohej më brutalisht.

Askush nuk duhet të vërë në dyshim natyrën e rrezikshme të kujtimeve me të cilat po luan ISIS.
Dhe ëndrra e xhihadistëve për një rikthim tek një botë e ndarë dhunshëm mes dy rivalëve – në një “Shtëpi të Islamit” dhe një “Shtëpi të Luftës” – nuk ngjan më aq fantazi, si dikur.

Hija e të kaluarës po bëhet më e errët mbi Europë, dhe mbi botë.
* Tom Holland është autor i “Hija e Shpatës dhe MIjëvjeçari”

THE DAILY MAIL

(Për analiza, komente, materiale historike nga bota vizitoni bota.al)

Leave a Reply

Back to top button