Qeveria e Italisë miratoi të shtunën një dekret i cili do të lejojë udhëtimin drejt dhe jashtë vendit nga 3 qershori, një zhvillim i rëndësishëm për një prej bllokimeve më të ngurta të koronavirusit në botë.
Qeveria do të lejojë udhëtimin e lirë edhe nëpër të gjithë vendin nga ajo ditë. Disa rajone donin një rikthim më të shpejtë, por Kryeministri Giuseppe Conte ka insistuar në një kthim gradual në normalitet për të parandaluar një valë të dytë të infeksioneve.
Më shumë se 31.600 italianë kanë vdekur nga COVID-19 që kur shpërthimi u shfaq më 21 shkurt, vendi i tretë në botë për numrin më të lartë të vdekjeve pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë. Në përpjekje për ta izoluar virusin, Italia në mars u bë vendi i parë evropian që vendosi kufizime mbarëkombëtare, dhe vetëm në 4 maj pati një lehtësim të masave, kur lejoi të rihapnin fabrikat dhe parqet. Dyqanet do të hapen më 18 maj dhe qeveria vendosi që të gjitha lëvizjet individuale brenda rajoneve duhet të lejohen po atë ditë, do të thotë se njerëzit do të jenë në gjendje të vizitojnë miqtë dhe të afërmit e tyre.
Por të gjitha kufizimet e udhëtimit do të hiqen nga 3 qershori – një hap i rëndësishëm në rrugën e shërimit të Italisë, qeveria është duke shpresuar që të shpëtojë sezonin e ardhshëm të pushimeve. Rajonet mund të riaktivizojnë të gjithë sektorët e ekonomisë, por duhet të kenë kujdes sepse mund tu mbyllen për sa kohë nuk ndjekin protokollet e sigurisë. Autoritetet e shëndetit kombëtar do të monitorojnë situatën për t’u siguruar që infeksioni po mbahet nën kontroll, thuhet në dekret. Dyqanet dhe restorantet në të gjithë vendin po përgatiten të rihapen nën rregulla të rrepta të distancimit shoqëror dhe higjenës, siç rekomandohet nga autoritetet shëndetësore.
“Sfida është e madhe, aq e madhe sa është e vështirë për t’u matur dhe mbi të gjitha ka paqartësi. Ndjenja e pasigurisë po dominon gjithçka”, tha Alberto Volpe, menaxheri i një dyqani veshjesh në qendër të Romës. France 24 / bota.al