Bota

Ivanka Tramp, karta e fundit e babait

Screen Shot 2016-04-19 at 09.35.21

“Në vend të babait, është Ivanka Tramp që duhet të kandidojë”, shkruan Uashington post. Tabloidi “Hollywood” e quan “Vajza e parë e përsosur”, krejt ndryshe nga ajo e mërzitshmja, Çelsi Klintonit. Nju Jork Tajms i ka kushtuar një speciale jetës luksoze të bijës së dytë – por tejet të preferuar – të The Donald. Portreti i gjatë i Nju Jork Tajms ka fshirë për modesti, deklaratën më të guximshme të babait për Ivankën: “Eshtë kaq seksi, saqë do ta kisha joshur vetë, po të mos kishim patur të njëjtën AND”.

Roli i kësaj bije është nën prozhektorët e të gjithë mediave, për dy arsye. Njëra pozitive, është se Ivanka po shfaqet si një këshilltare shumë e vlefshme për të atin, një yll i vërtetë edhe ajo për aftësinë në televizion, atje ku kompenson druajtjen e bashkëshortes së tretë, Melania. Arsyeja tjetër, negative, është se Ivanka po bën përpjekje të dëshpëruara për të kompensuar gafat e përsëritura misogjene të babait. E ka bindur që të korrigjojë deklaratat fatale kundër abortit (“në burg gratë që ndërpresin shtatzaninë”). Por pavarësisht se ajo është një element urtësie, rezultati për momentin është shumë i keq: në sondazin e fundit të “Abc”, 75% e grave amerikane kanë një opinion negativ për Trampin. Një mur kundërshtie i këtyre përmasave rrezikon të jetë fatal në sfidën e nëntorit, mbi të gjitha nëse në anën tjetër do të jetë Hilari Klinton.

Që Ivanka është një fakt zbutjeje, kjo është e natyrshme. Përpara se babai të niste fushatën elektorale, e bija frekuentohej më së tepërmi me njerëz të të majtës. Një e majtë e pasur, VIP, “radical chic”. Sallonet ku Ivanka fotografohej prej tabloidëve ishin të njëjtët e Çelsi Klintonit, Ariana Hafingtonit, Emi Shumerit, si dhe të famshmeve hollivudiane pro homoseksualëve, ambientaliste, multikulturore. Miqësi që janë futur në krizë pas mesazheve që e kanë transformuar Trampin, në idhullin e bazës së të djathtës: ksenofobi, racizëm, misogjeni. Në këtë pikën e fundit, The Donald kishte spikatur tashmë që në kohën e gjesteve të tija televizive me shfaqjen “The Apprentice”, ku thoshte se disa konkurrente gra do i kishte ulur në gjunjë para këmbëve të tij (për një gjest nënshtrimi jo vetëm virtual).

Në fushatën elektorale, sulmet më të famshme të Trampit ndaj grave kanë patur dy shënjestra “në të djathtë”: gazetarja Megin Kelli e Fox, e akuzuar se “spërkaste gjak në të gjitha anët” (një qortim për agresivitetin e saj si dhe aludim vulgar për ciklin e menstruacioneve) dhe ish kandidatja Karli Fiorina, për të cilën Trampi në mesin en jë debati tha: “E pamundur të votosh një kaq të shëmtuar”.

Ivanka është angazhuar në një punë të lodhshme: “Kontroll i Dëmit”. Avantazhi i saj është besimi që i jep babai. Eshtë e vetmja grua që ka siguruar një prani fikse në jetën e Donaldit, i cili ka tashmë tre martesa dhe një numër të pasaktësuar marrëdhëniesh. Nesër ai luan në shtëpi: në shtetin e Nju Jorkut, falë edhe katolikëve të djathtë në komunitetet italiane, irlandeze dhe polake, Trampi ka një avantazh të dukshëm ndaj ndjekësit të tij, Ted Kruz. Por kundërshtia e grave do të jetë një prej argumentave me të cilët establishmenti republikan do të provojë t’ia heqë në fund kandidimin, në konventën e korrikut./Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button