Izraeli dhe Turqia ranë dakord të dielën për të rifilluar marrëdhëniet e plota diplomatike, duke i dhënë fund një çarjeje të madhe gjashtë-vjeçare midis aleatëve rajonalë dikur shumë të ngushtë, sipas zyrtarëve izraelitë dhe turq.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet që ta shpallë marrëveshjen në Romë sot, sipas një zyrtari izraelit, i cili foli në kushte të anonimatit nga Roma, për shkak se marrëveshja ende nuk ishte bërë zyrtarisht publike. Qeveria turke pritet të bëjë paralelisht një njoftim në Ankara.
Dy vendet u ftohën shumë pas një përplasje vdekjeprurëse në vitin 2010, mes komandove izraelite dhe aktivistëve turq në një anije pasagjerësh, e cila u përpoq ptë thyente bllokadën detare në Rripin e Gazës, territor bregdetar palestinez që është nën kontrollin e Hamasit.
Anija, Mavi Marmara, ishte pjesë e një flotilje që transportonte ndihma për Gazën, kur komandot detare izraelite hynë rrëmbimthi mbi kuvertën e anijes dhe vranë nëntë aktivistë, pasi ndeshën në rezistencë të dhunshme. Një aktivist vdiq 10 ditë më vonë nga plagët e marra.
Ekipet negociuese nga të dy vendet u takuan gjatë fundjavës në Romë. /bota.al