Miguel Di Maria, babai i Angel Di Marias, ka ngritur zërin, duke shprehur pakënaqësi me bordin e Real Madridit, për mënyrën se si ata e trajtuan djalin e tyre pasi ai u transferua te Mançester Junaited.
26-vjeçari u transferua te “Djajtë e Kuq” këtë javë për një shumë rreth 75 milionë euro, pasi paraprakisht kishte refuzuar një kontratë prej 6 milionë eurosh në vit nga klubi madrilen.
Mirëpo babai i Di Marias e mohon kategorikisht këtë.
Ai thotë se Reali nuk i ka ofruar djalit të tij këtë kontratë.
“Madridi nuk i ka ofruar kurrë atij 6 milionë euro në vit.
Oferta e fundit e tyre ishte 5 milionë euro në vit, e cila ishte 1.5 milionë euro rritje nga marrëveshja e kaluar.
Problemet e para që dolën ishin si rezultat i arsyeve financiare.
Ai nënshkroi me Madridin për një rrogë të caktuar, e tilla mbeti e tillë dhe nuk ndryshoi kurrë”, ka thënë Miguel për El Partido de las 12.
“Angel nuk ishte i vlerësuar kurrë te Reali.
Gjithmonë dukej se ata nuk e donin qëndrimin e tij në klub.
Ata asnjëherë nuk kanë treguar afeksion ndaj tij.
Angel u lodh duke u munduar që ta tregojë veten vazhdimisht.
Ai tashmë e kishte treguar veten.
Madridi ka humbur një lojtar kryesor, një lojtar i cili mund ta bëjë diferencën në çdo moment.
Ai është i lumtur te Mançester Junaited tani dhe ata po e trajtojnë shumë mirë.
Oferta e tyre financiare gjithashtu ishte më e lartë se ajo që e kishte ofruar Reali”, ka përfunduar babai i Di Marias.
1 minute read