Bota

Ja si po e përgatit Turqia, tranzicion e udhëhequr nga Asadi në Siri

Screen Shot 2015-10-26 at 19.42.09

Nga Fehim Taştekin

“Al-Monitor”

Ankaraja po përpiqet ende të riformatojë politikën e saj ndaj Sirinë, duke hequr dorë nga motoja “Bashar Al-Asadi duhet të largohet tani” drejt një kursi të ri, të formësuar nga dialogu amerikano-rus. Ishte Ankaraja ajo që përmes presidentit Rexhep Taip Erdogan, shpjegoi pas takimit me homologun e tij rus në Moskë Vladimir Putin, se një “një tranzicion me Asadin është i mundur”.

Kryeministri Ahmet Davutoglu nxitoi menjëherë të deklaronte të kundërtën:”Ne mendojmë se qëndrimi i Asadit në pushtet nuk do të mundësojë dot një tranzicion të vërtetë. Mendimi ynë nuk ka ndryshuar”. Në 19 tetor, një zyrtar i lartë në Ankara zhvilloi një takim konfidencial me një grup gazetarësh turq.

Ai u tha se nëntë vende, përfshirë Turqinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën, Britaninë, Gjermaninë, Arabinë Saudite, Katarin, Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë rënë dakord për një formulë mbi një tranzicion prej 6 muajsh nën udhëheqjen e Asadit.

Përderisa ky lajm u dha nga një zyrtar i lartë, ai duhet të merret seriozisht – edhe pse dy ditë më vonë, Davutoglu përsëriti se Asadi nuk duhet të kenë asnjë rol në të ardhmen e Sirisë. Duke komentuar vizitën e presidentit sirian në Rusi këtë javë, Davutoglu u citua gjerësisht në mediat ndërkombëtare, të ketë thënë se ai dëshironte që Asad të kishte qëndruar në Moskë, për të lehtësuar disi popullin e tij.

Këto janë disa nga luhatjet publike dhe ngërçi, me të cilin po ballafaqohet  Ankaraja. Sipas asaj që  treguan kolegët “e zgjedhur” të ishin në atë takim, Turqia ka rënë dakord për një tranzicion të udhëhequr nga Asadi me dy kushte:Procesi duhet të përfundojë me largimin përfundimtar të Asadit nga posti i tij. Dhe asnjë prej organeve të rëndësishme shtetërore, mbi të gjitha shërbimet e ushtrisë dhe të inteligjencës, nuk duhet të jetë gjatë kësaj kohe nën kontrollin e Asadit. Pra Asadi duhet “të drejtojë” tranzicionin, vetëm si një president rigorozisht simbolik.

Një nga gazetarët e krahasoi “presidentin simbolik për një periudhë të caktuar”, me rolin e kufizuar të presidentit gjerman në qeverisjen parlamentare të vendit. Një tjetër përkufizim është ai i një “presidenti nderi joefektiv dhe të paautorizuar”. Kushti për fatin e Asadit, është formuluar në këtë mënyrë: “Tranzicioni duhet të përgatisë vendin për një periudhë post-Asad, dhe duhet të përcaktojë nëse Asadi do të gjykohet apo jo për krime lufte, apo nëse do të dëbohet jashtë vendit”.

Zyrtëri i lartë turk tha se 9 vendet kishin rënë dakord mbi kushtet e tranzicionit, para se presidenti amerikan Barak Obama të takohej me atë rus Vladimir Putin, në 28 shtator në Nju Jork. Obama e informoi shefin e Kremlinit mbi marrëveshjen, ndërsa Rusia në atë moment nuk dha ndonjë përgjigje. Gazetarëve iu tha se pas disa ditësh Rusia u pyet:Pse nuk e merrni Asadin në vendin tuaj?”, së cilës  Moska iu përgjigj:”Kjo mund të jetë problematike në marrëdhëniet tona me Perëndimin. Mund të na kërkohet ta dorëzojmë si një kriminel lufte”.

Sipas një gazetari tjetër që ndodhej në takimin e Ankarasë, Turqia ka përgatitur planin e saj prej pesë deri në gjashtë elementësh. Plani është konsultuar nga Ministri i Jashtëm turk Feridun Sinirlioglu me homologun e tij rus në 17 shtator, dhe gjatë takimit Erdogan-Putin në 23 shtator.

Konferenca në Ankara, ofroi informacione potencialisht të rëndësishme, disa prej të cilave është shumë të diskutueshme, për zhvillimet në Siri dhe mënyrën se si aktorët e perceptojnë situatën:Rusia u bind të ndërhynte në Siri, pas paralajmërimit të Iranit se Asadi ishte gati të rrëzohej. Gjeneral Majori Kasëm Sulejmani, komandant i Brigadës Al-Kuds të Iranit, u zhvendos në Damask nga Bagdadi. Ai komandon jo vetëm Hezbollahun, por edhe milicitë e tjera shiite pro-Asadit në vend.

Partia nacionaliste kurde e mbështetur nga SHBA, Partia Bashkimi Demokratik PBD, dëshiron të hapë një korridor ndërmjet Alepos dhe Afrinit, me mbështetjen tokësore nga Irani. Njohja nga ana e Moskës e PBD si një forcë legjitime, ashtu siç bënë më herët Shtetet e Bashkuara, është një çështje e rëndësishme për Ankaranë.

Turqia e ka paralajmëruar Uashingtonin se ajo do të godasë PBD, nëse armët e dhëna nga SHBA-ja kësaj force do të përdoren kundër Turqisë. Shtetet e Bashkuara u pyetën:”A preferoni një forcë prej disa mijëra vetësh, ndaj aleatit tuaj të madh në rajon?” Shteti Islamik është dëmtuar më shumë nga dega e Al-Kaedës në Siri, Jabhat al-Nusra, sesa nga PBD.

Ankaraja i tha Shteteve të Bashkuara:”Ne nuk do të furnizojmë me armë Al-Nusran, dhe ju duhet të bëni të njëjtën gjë me PBD”. ISIS-i nënshkroi një marrëveshje me PBD në 28 maj të këtij viti në Hasakah. Me fjalë të tjera, PBD është duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Asadin dhe ISIS-in.

Rusia ka dislokuar trupat e saj në Kamishli dhe Hasakah me ndihmën e PBD.

Edhe Irani ndërkohë ka bërë pakt me PBD dhe ISIS-in. PBD ka kontakte me Iranin dhe Asadin, dhe Asadi ka kontakte me ISIS-in dhe PBD. Ankaraja është në luftë me Shtetin Islamik që prej 6 Korrikut të këtij viti, por nuk flet shumë për këtë gjë, për të mos i dhënë shumë rëndësi organizatës xhihadiste.

Si një gazetar që ka ndjekur konferenca të tilla, nuk është e habitshme që i gjithë ky informacion shumë i diskutueshëm është dhënë si “informacion shtetëror”.

Për një kohë të gjatë, Turqia është distancuar nga realiteti sirian. Që nga fillimi, analizës së Turqisë mbi Sirisë, i mungonin njohuritë nga terreni. Përvoja jonë e hidhur, na tregon se sa shumë informacion që vjen nga terreni ka nevojë për verifikim, por kur këto informacione të nivelit të lartë shpërndahen në një mënyrë të tillë, kjo tregon se zakonet tona nuk kanë ndryshuar aspak.

Për të mos kundërshtuar narrativën e vet, Turqia nuk do të pranojë sulmet e ushtrisë siriane ndaj pozicioneve të ISIS-it. Ankaraja beson se kurdët nuk mund të ndjekin axhendën e tyre, por thjesht të shërbejnë vetëm si vegla të dikujt tjetër. Gjithashtu, Ankaraja e ka injoruar tërësisht dinamikën lokale.

Për Ankaranë, PBD dhe dega e saj e armatosur, Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG) – që janë bërë partnere të Shteteve të Bashkuara – nuk ishin asgjë më shumë sesa shabihat kurde (milicitë lokale) që punojnë për Asadin. Në një farë mënyre,  Turqia besonte se Rusia ishte gati ta shiste Sirinë, aleatine saj më jetik në Lindjen e Mesme – prandaj ishte një surprizë e madhe për Ankaranë ndërhyrja marramendëse ushtarake e Moskës.

Informacioni i diskutueshëm i dhënë nga “opozita siriane”, dhe  burimet e lidhura me organizatat islamike, kanë luajtur rolin e vet në formësimin e politikave të Turqisë ndaj Sirisë. Është e zakonshme të dëgjohen akuza nga figurat e opozitës siriane me qendër në Stamboll, për bashkëpunimin PBD-Asad, ISIS-PBD, ISIS-Asad dhe Iran-ISIS.

Por për ministrin e jashtëm të Turqisë, përdorimi i këtyre pretendimeve të paverifikuara në kontaktet diplomatike dhe diplomacinë publike, e bën të vështirë për Turqinë të ketë një kurs të dallueshëm. Tashmë është koha për të korrigjuar gabimet tona, por Ankaraja ende nuk mund të ndjekë një kurs të drejtë pa u përplasur tek të tjerët.

Kjo është arsyeja pse Turqia është duke negociuar, jo vetëm me partneren e saj më të rëndësishme tregtare, Rusinë, dhe fqinjët e rëndësishëm Iranin dhe Irakun, por edhe me aleatin e saj në NATO, Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, Turqia kishte rënë dakord për një tranzicion me Asadin, që para ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake të Rusisë në Siri.

Grupet që Turqia i shihte si drejtueset reale të tranzicionit, po zprapsen çdo ditë për shkak të sulmeve ajrore të Moskës, dhe operacioneve tokësore të ushtrisë siriane, Hezbollahut, milicia e Forcave Kombëtare të Mbrojtjes të regjimit, brigadat Baath dhe lëvizjes Nceba, e përbërë nga milicitë irakiane.

Me fjalë të tjera, duke ndarë elementet që i përgëzoi si alternativa, Rusia është duke i bërë të pavlefshme kartat që mbahen në dorë nga Turqia dhe aleatët e saj.

Natyrisht, Rusia, e cila nuk i është përgjigjur planit të hartuar nga 9 shtete, do të ketë një propozim krejtësisht të ndryshëm, pasi të ndryshojë ekuacionet në terren në favor të ushtrisë siriane. Leximi i zhvillimeve rajonale, i mundëson Ankarasë të hartojë disa skenarë. Turqia e nënvlerëson rezistencën dhe aftësitë organizative të elementeve lokalë, dhe supozon se Irani dhe Rusia kanë një pushtet absolut mbi Damask. Ajo e injoron faktin, se prania ruse dhe iraniane në Siri, varet kryesisht nga kapaciteti qeverisës i regjimit të Damaskut.

Rusia ndërmorri një operacion të madh ushtarak në Siri, pasi llogariti kapacitetin e regjimit sirian për rezistencë dhe qeverisje, pavarësisht situatës së saj aktuale të dëshpëruar. Në qoftë se regjimi do të  kishte humbur aftësinë e tij për të menaxhuar krizën, Rusia s’do të kishte tentuar një ndërmarrje të tillë kaq të madhe.

Nuk duhet të harrojmë, se prej vitesh aleanca midis Rusisë dhe Sirisë, i ka kaluar të gjitha testet. Qeveria e Damaskut, si nën drejtimin e babait Hafez al-Asad dhe tashmë të birit Bashar, i ka kapërcyer të gjitha përpjekjet për të ndërprerë këtë aleancë.

  • Shënim: Fehim Taştekin është kolumnist dhe kryeredaktor i lajmeve të huaja në gazetën turke “Radikal”, me seli në Stamboll. Ai është një analist i specializuar në politikën e jashtme turke dhe Kaukazin, Lindje e Mesme dhe BE-në

“Al-Monitor” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close
Close