BotaMAIN

JACINDA ARDERN: “Qeverisa me mirësi, por në politikë është e papranueshme”

«Boshti i veprimit tim ka qenë gjithmonë të dëgjoj të tjerët. Në një moment, thjesht dëgjova edhe veten dhe vendosa të largohem.»

Kur, në vitin 2017, Jacinda Ardern kandidoi për postin më të lartë politik në vendin e saj, Zelandën e Re, nuk pati dyshime: «Mirësia do të jetë parimi im udhëheqës», shpalli ajo, me vendosmëri. Ende nuk e dinte se gjatë pesë viteve si Kryeministre do t’i duhej të përballej me një nga sulmet terroriste më të rënda që kanë goditur ndonjëherë shtetin e Oqeanisë, me pandeminë e Covid-19 dhe me një tërmet të fuqishëm. Por sot, në jetën e saj të re – si studiuese dhe pedagoge e politikave ndërkombëtare, aktiviste për mjedisin dhe ligjëruese në shumë aktivitete – ajo përsërit se ai parim fillestar, mirësia, ka qenë boshti rreth të cilit ndërtoi dhe vuri në lëvizje jo vetëm një karrierë politike, por një jetë të tërë. Dhe, mbi të gjitha, pikërisht aty lindi për Ardern vendimi më i vështirë: largimi nga posti i kryeministres që, në vitin 2023, e shtyu të shpallte dorëheqjen para pesë milionë njerëzve (aq sa janë banorët e Zelandës së Re), duke pranuar, në thelb: «Jam e lodhur».

«Profesore», «Dame», «Zonjë»: si preferoni të quheni sot?

«Ardern është shumë mirë, ose Jacinda nëse preferoni. Empatia ka qenë një nga shtyllat e misionit tim politik; madje gjithçka nis prej andej, përfshirë edhe librin me kujtime që botoj.»

Në librat dhe leksionet e saj universitare në mbarë botën, ju theksoni shpesh se, sipas jush, mirësia nuk është thjesht një prirje, por një akt i mirëfilltë politik.

«Ashtu është. Kur u zgjodha Kryeministre e vendit tim, iu afrova këtij posti me shumë drojë, qoftë sepse isha shumë e re, tridhjetë e gjashtë vjeç, ashtu edhe sepse e mbaja mend mirë kur, kohë më parë, i kisha thënë jo një mundësie tjetër angazhimi në politikë, ngaqë isha e bindur se ndjeshmëria ime e lindur, prirja ime për mirësinë, nuk do të ishte e dobishme – madje isha e sigurt se nuk do të mbijetoja në atë mjedis kaq konkurrues.»

Po pastaj?

«Pastaj kuptova se nuk është kështu, përkundrazi: në politikë mirësia është çelësi për të arritur te njerëzit; është instrumenti me të cilin kupton se çfarë duan vërtet ata që të besojnë votën. Me mirësinë, në këtë rast, nënkuptoj empati, dëgjim, mirëkuptim, ndjeshmëri. Mësova se një lidership i vërtetë nuk mund të shkëputet nga këto gjëra dhe se, në afat të gjatë, kjo qasje të shpërblen. Të paktën, kështu ndodhi me mua.»

E megjithatë, ju dhatë dorëheqjen nëntë muaj përpara afatit, në një moment kur gëzonit një konsensus të fortë, pas dy mandateve dhe një fitoreje shkatërruese të Partisë Laburiste në vitin 2020. Sigurisht jo pse ju detyruan protestat apo dobësia.

«Ajo lamtumirë tashmë e famshme ndaj politikës nxori lloj-lloj interpretimesh; edhe unë u çudita, kur pashë se sa shumë shpjegime u gjetën. Kompleksiteti i atij gjesti është, në fund të fundit, i thjeshtë: pikërisht sepse kam kërkuar gjithmonë të rri të dëgjoj, jo vetëm të tjerët por edhe veten, e kuptova se me një rol kaq të privilegjuar lidhet një përgjegjësi e madhe – para së gjithash, ajo për të ditur nëse je apo jo personi i duhur në krye.»

Dhe çfarë përgjigjeje i dhatë vetes?

«Që po filloja të mos isha më personi i duhur, ose të paktën se energjitë që më mbajtën në fillim po më shteronin. E gjeta veten studiuese në Parlament, këshilltare në zyrën e Kryeministrit, deputete e pastaj lidere e partisë sime. Tërë kjo brenda gjashtë javësh nga zgjedhjet, kur u bëra Kryeministre. As vetë nuk e besoja.»

Jo vetëm kaq: pak javë pas zgjedhjes zbuluat se ishit shtatzënë. Në libër tregoni për të vjellat që ju zunë edhe gjatë fjalimit të inspektimit.

«Dhe ishte mbretëresha Elizabeth ajo që më dha këshillën më të vyer. Kur e takova, në një nga udhëtimet zyrtare që bëra teksa prisja të lindte Neve, e pyeta si ia kishte dalë të menaxhonte një jetë publike kaq të jashtëzakonshme e të pandërprerë, duke mbetur njëkohësisht nënë dhe gjyshe; ajo më u përgjigj: “Vazhdo përpara, thjesht vazhdo”. Kishte të drejtë, sepse për sa kohë je e vetëdijshme pse je aty, në atë detyrë, ke kthjelltësinë për t’i gjetur zgjidhje çdo gjëje.»

Ja, ndoshta, pika thelbësore: të jesh gjithmonë e vetëdijshme «pse je aty», përse mban atë post? Pushteti shpesh e mjegullon këtë vetëdije.

«Po, mirësia për të cilën flas shërben edhe që të mos e humbasësh kurrë nga sytë detyrën tënde dhe, rrjedhimisht, të kuptosh kur ka ardhur koha të tërhiqesh, sepse nuk je më ai/ajo që kishe në mendje, nuk i përgjigjesh më një thirrjeje të brendshme. Por ka një problem: në politikë mirësia nuk pranohet, sepse ngatërrohet me dobësinë.»

Siç aluduan shumë vetë, ditën pas dorëheqjes suaj.

«Nuk u largova sepse ai post ishte i vështirë; po të ishte kështu, do të duhej të kisha bërë valixhet shumë kohë më parë, sepse i vështirë ishte me të vërtetë. U largova sepse e dija shumë mirë çfarë angazhimi kërkonte ai funksion dhe sepse forcat po më shteronin.»

Dhe kur bien energjitë, është më e mundshme t’i nënshtrohesh konsensusit të kollajtë dhe të heqësh dorë nga marrja e vendimeve të papëlqyera, por të drejta për vendin.

«Mungon kuraja politike, një element thelbësor për një lidership të mirë. Më kujtohet shumë mirë kur mbërritën lajmet e para për pandeminë e Covid-19 dhe vendosëm menjëherë të mbyllnim kufijtë. Kjo, siç e kujtoj në libër, për ne do të thoshte të dëmtonim turizmin, një element thelbësor i ekonomisë sonë. Por menaxhimi ynë i pandemisë u vlerësua më pas.»

Pas dy atentateve në një xhami dhe në një qendër islame, në vitin 2019, ju ishit e vendosur të ndryshonit rregullat për armët.

«Dhe ligji që ndalonte armët gjysmë-automatike të tipit ushtarak u miratua me mbështetjen e gjerë të të gjithë anëtarëve të Parlamentit, përveç njërit. Pra, një demonstrim tjetër i konceptit të mirësisë të zbatuar në politikë: nëse dëgjon nevojat reale të njerëzve, nuk do të kesh vështirësi. Kam përshtypjen se përpiqemi shumë t’ua mësojmë mirësinë fëmijëve, por pastaj, në profesionet si politika, e lëmë mënjanë si një element dobësie. Nuk jam dakord, dhe këtë përpiqem të përçoj.»

Po, nëse hedhim sytë përqark e shohim Donald Trump, Vladimir Putin apo Benjamin Netanyahu, s’mund të mohojmë se e fshehin shumë mirë.

«Më pëlqen të besoj se një lidership i mirë mund të jetë i pavarur nga gjinia. Fundja, shumë liderë të zgjedhur së fundi, si Mark Carney në Kanada ose Anthony Albanese në Australi, i kanë vendosur këto vlera në qendër.»

Megjithatë, me siguri ju kanë pyetur nëse mirësia në politikë është një prerogativë femërore. Pikërisht sepse, në këtë rast, nuk flasim për “dobësi”, por, përkundrazi, për “një tjetër lloj pushteti”.

«Po, ma kanë bërë shpesh këtë pyetje. Çështja është se shumë njerëz mendojnë kështu, një element që sipas mendimit tim duhet çmontuar: personalisht, më pëlqen të mendoj se janë thjesht cilësi të mira të lidershipit. Prandaj besoj se duhet t’i mbështesim si cilësi lidershipi pavarësisht nga gjinia. Dhe, pa dyshim, kam punuar me liderë të të dy gjinive që konsiderohen empatikë.»

A mendoni se nuk ka ndonjë dallim thelbësor mes mënyrës si përballet një burrë me një krizë dhe asaj të një gruaje?

«Shikoni, pas pandemisë së Covid-it u bënë disa analiza mbi këtë temë dhe shumë besonin se vendimet e marra nga vendet e drejtuara nga gra gjatë asaj periudhe, ishin të ndryshme nga ato të marra nga vendet e drejtuara nga burra. Një nga pikat është si e gjykojmë një lidership: kemi prirjen të shohim menjëherë nga vjen mbështetja, kush e formon bazën e ndjekësve, nga vjen ideologjikisht një lider, por rrallë ndalemi të konsiderojmë vlerat, peshën e zgjedhjeve e të tjera.»

Megjithatë është e pamohueshme, të kufizohemi te menaxhimi i Covid-it, që vendet e drejtuara nga gra ia dolën më mirë. Mendoj, përveç jush, për Tsai Ing-Wen në Tajvan dhe Erna Solberg në Norvegji.

«Nuk e kam shqyrtuar kurrë çështjen aq nga afër sa të formuloj hipoteza nëse burrat apo gratë janë më të zotë në situata krize. Preferoj të përqendrohem te ajo që pritet – përtej gjinisë – nga një lider gjatë një situate të vështirë. Sigurisht, duhet thënë se edhe sot shumica e vendeve drejtohen nga burra, ndaj do të duhet të presim për të bërë një krahasim. Prandaj, më mirë të angazhohemi që të hiqen pengesat e shumta që ende sot e ngadalësojnë pjesëmarrjen e grave në politikë.»

Ju e dëshiruat fort vajzën tuaj, Neve, dhe, siç tregoni në librin me kujtime, bashkë me partnerin e atëhershëm, Clarke Gayford, vendosët të nisnit një terapi fertiliteti. Mendoni se sot amësia për shumë gra mbetet ende një pengesë për ambicien?

«Gratë nuk duhet të detyrohen të zgjedhin – siç fatkeqësisht ndodhte shpesh me nënat tona – mes të qenit të mira në profesionin e tyre dhe të qenit nëna të mira, apo bija. Ato duhet të kenë rrjete mbështetjeje që t’i ndihmojnë të jenë të gjitha këto gjëra, pa e humbur krejt veten. Megjithatë, gjatë mandatit tim desha të çrrënjos idenë se të jesh njëkohësisht Kryeministre dhe nënë është një parakusht i tipit “Supergruaja”. Një vend duhet ta bëjë të mundur të jesh të dyja, edhe sepse nuk ka nevojë vetëm për nëna, por edhe për fëmijë, kujdestarë, persona beqarë.»

Pa dyshim, bashkëshorti juaj aktual ka ndihmuar shumë: në libër tregoni se gjatë mandatit tuaj ai u mor me shtëpinë dhe vajzën tuaj.

«Clarke theu disa skema mendore, po, dhe ky është pikërisht modeli që pritet nga një vend i aftë të kuptojë të gjitha nuancat shoqërore brenda vetes.»

Pyetja e fundit: a keni ndjesinë se sot lidershipi politik ka dy rrugë thelbësore? Njëra, e përbërë nga kompleksiteti, që fton për durim dhe dëgjim; dhe tjetra – për fat të keq gjithnjë e më e ndjekur – e përbërë nga thjeshtësimi, që nxit fyerjen dhe agresivitetin?

«Po, por do ta zëvendësoja fjalën “thjeshtësim” me “mendim binar”, një element që pata mundësinë ta hulumtoj menjëherë pas atentateve terroriste ndaj xhamive në vendin tim. E bëra bashkë me Louise Richardson, një eksperte e madhe e terrorizmit. Mendimi binar është ideja se “ajo që po përpiqem të bëj është e drejtë”. Gjithçka tjetër është e ligë dhe e keqe. Kur mendoj kështu, jam në gjendje ta zhvesh dikë nga njerëzillëku: unë jam i mirë, ata janë të këqij. Humbet ndjenja e njerëzimit tonë të përbashkët. Prandaj mendoj se, për një sërë arsyesh, mendimi binar inkurajohet nga mjedisi ku jetojmë, nga mënyra si konsumojmë lajmet, si ndërveprojmë e si lidhemi me njëri-tjetrin. Dhe përgjigjja është të përpiqemi të rindërtojmë lidhjen njerëzore, të rindërtojmë atë mirëkuptim të përbashkët dhe të shohim kompleksitetin e botës.» / Sette – Në shqip nga bota.al

Back to top button