Bota

Japonia ekzekutoi 6 anëtarët e “E vërteta supreme”, për sulmin me gaz sarin në metronë e Tokios

Sipas agjencisë Kyodo, Japonia ekzekutoi të enjten 6 anëtarët e sektit “E vërteta supreme”, përgjegjës të sulmit me gaz sarin në metronë e Tokios në vitin 1995, të cilët ende ishin në korridorin e vdekjes. Të gjashtë ishin dënuar për pjesëmarrje në një atentat në vitin 1995 me gazin vdekjeprurës dhe për vrasje të tjera të nxitura nga i njëjti grup i udhëhequr nga Shoko Asahara, i cili u var në 6 korrik. Të dënuarit sot janë Kenichi Hirose, 54 vjeç, Toru Toyoda (50), Masato Yokoyama (54), Yasuo Hayashi (60) Satoru Hashimoto (51) dhe Kazuaki Okazaki (57). 4 të parët morën pjesë drejtpërdrejtë në sulm në metronë e Tokios duke përdorur çadra për të shpuar çantat e vendosura në vagonë të disa linjave në rrjetin e transporteve nëntokësore në mëngjes në 20 mars 1995. Nga ky sulm mbetën të vdekur 13 njerëz, dhjetra në gjendje vegjetative dhe 6300 u intoksikuan pas thithjes së gazit. Satoru Hashimoto dhe Kazuaki Okazaki u dënuan për vrasje në vitin 1989 të avokatit Tsutsumi Sakamoto, i cili po përgatiste një padi multimilionere kundër sektit, atë, gruan e tij dhe fëmijën e tyre me moshë 1 vjeç. Të dy këta u dënuan edhe për nxitje të sulmeve në vitin 1994 me gaz sarin në Matsumoto, një qendër në Japoni, e cila shërbeu si provë për sulmin në Tokio.

Këta 6 anëtarë të këtij sekti me emër në japonisht, Aum shinrikyo ishin anëtarët e fundit të grupit të dënuar me vdekje që ishin gjallë. 13 dënime me vdekje dhe 6 me burgim të përjetshëm ishin rezultat i një procesi të gjatë gjygjsor dhe që nuk shërbeu për asgjë, pasi nuk u sqarua misteri që e rrethonte këtë sekt, i cili konkurroi me pak sukses në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1990. Brenda një dekade guruja, Asahara kaloi nga instruktor joge në lider të një organizate të aftë të rekrutojë të rinj që u përkisnin elitave intelektuale dhe ekonomike të vendit, të sekuestronte dhe të vriste kritikët dhe opozitarët, të prodhonte armë automatike dhe kimike dhe të nxiste sulmin më të keq në tokën japoneze që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button