Teksa Jennifer Aniston mban zi për nënën e saj, nancy, e cila ndërroi jetë javën që kaloi, aktorja ka gjetur ngushëllim në paqen e brishtë që arriti me gruan, të cilën e mbajti larg prej jetës së saj për më shumë se një dekadë. Marrëdhënia e tyre jofunksionuese nënë-bijë ka qenë në qendër të vëmendjes për pothuaj 20 vite. Në kohët më të mira, marrëdhëniet e tyre ishin të tensionuara, dhe në rastin më të keq ishin joekzistuese, teksa Jennifer e përshkruante nënën si një njeri që nuk falte dhe shumë kritike ndaj saj.
Fillim i vështirë
Jennifer Aniston ishte vetëm 9 vjeç kur Nancy, modele dhe aktore, dhe babai i saj, ylli i serialit “Days of our lives”, John Aniston, u divorcuan. Marrëdhënia e tyre pësoi një goditje të fortë kur Nancy dha një intervistë për “Hard Copy” në vitin 1996, dhe ylli i serialit Friends ndërpreu gjithë kontaktet.
Kundër dëshirës së Jennifer, Nancy atëherë botoi një libër me kujtime në 1999, “Nga nëna dhe bija tek Friends”, ku nxirrte zbuluar faktin që nuk flisnin dhe efektin që kjo gjë kishte mbi të. Por në ditët para vdekjes së Nancyt, Jennifer mori vendimin e vështirë që të shkonte pranë shtratit të të ëmës, me qëllim që t’i jepte lamtumirën e fundit.
Bashkim familjar
Ndonëse u pajtuan shumë vite më parë, mendohet se ky takim lamtumire ishte i pari mes tyre në pesë vite. Jennifer ishte shumë në ankth për bashkimin, dhe ajo refuzoi të ishte vetëm me të ëmën në apartamentin e saj. “Ishte shumë nervoze”, tha një burim për revistën Touch. “Gjithmonë e ka urryer të vizitojë të ëmën, dhe këtë herë nuk ishte ndryshe”.
Nuk ka dyshim që marrëdhënia e tyre e trazuar ka qenë në mendjen e Jennifer, teksa ajo promovonte filmin e saj të fundit, “Dita e nënës”, gjatë muajit që kaloi. Tashmë Jennifer duhet të mbështetet në dashurinë dhe mbështetjen e Justin Theroux, 44 vjec. Besohet se Justin ishte njeriu që bindi bashkëshorten të pajtohej me nënën.
Në vitin 2011, pasi Nancy pësoi një atak, Jennifer bëri vizitën e parafundit, duke marrë edhe Justinin për ta prezantuar. Pikërisht gjatë atij takimi, Justin zbuloi se sa e prekur ishte Jennifer nga marrëdhënia mëmësore. “Justini kuptoi se problemet e Jennifer me të ëmën ishin shumë më të thella nga sa dukej”.
Vetë Jennifer ka lënë të kuptohet për ata probleme në një intervistë për Vanity Fair. “Nuk e di nëse do ta kisha ditur sa e bukur ishte ajo, nëse ime më nuk do të më vinte përherë në dukje se sa jo e bukur isha unë”, tha ajo. “Sepse ajo ishte modele, ishte e bukur, madhështore. Unë nuk isha. Asnjëherë. Sinqerisht edhe sot nuk e shoh veten time në atë mënyrë”. Nancy gjithashtu nuk ishte as në listën e mysafirëve kur Jennifer u martua me Brad Pittin, në vitin 2000.
Lamtumira e fundit
Javën që kaloi, Nancy vuajti një seri goditjesh dhe u dërgua me nxitim në spital në Kaliforni, në 23 maj, “në prag të vdekjes”.
Atë të enjte, Jennifer që ndodhej në Nju Jork, nxorri nëj deklaratë duke thënë se nëna e saj ishte larguar nga kjo botë, e rrethuar nga njerëzit e dashur.
“Me trishtim të madh, vëllai im John dhe unë lajmërojmë vdekjen e nënës sonë, Nancy”, tha ajo për revistën People. “Ajo ishte 79 vjec dhe iku nga kjo botë në paqe, e rrethuar nga familja dhe miqtë pas një sëmundjeje të gjatë”, vazhdoi aktorja. “Ne kërkojmë që privatësia e familjes sonë të respektohet teksa vajtojmë për humbjen tonë”./bota.al