Thesare të vegjël, shpesh të nënvlerësuar
Shumicën e ditëve lëvizim shumë shpejt. Gjithmonë ka diçka për të realizuar nga lista jonë e detyrave, diçka urgjente që ndizet në ekran, dikush që kërkon vëmendje. Në këtë nxitim, gjërat e vogla na shpëtojnë. Por jeta nuk është vetëm arritjet e mëdha apo pushimet e gjata që kemi pritur. Ajo është zhurma mes tyre. Çastet e vogla, kalimtare, që lidhin në heshtje ditët tona. Ka mrekulli të fshehura tek e zakonshmja, tek ajo që shpesh e lëmë pas dore, tek gjërat që mezi i vëmë re, derisa dikush na i tregon. Konsiderojeni këtë listë si një kujtesë për të parë atë që tashmë e keni aty, përpara jush.
1. Drita e mëngjesit
Ajo rreze e parë e diellit që bie pjerrtas mbi dërrasat e dyshemesë, e butë dhe e artë. Futet fshehurazi përmes perdeve gjysmë të hapura dhe bën që grimcat e pluhurit të duken si galaktika të vogla. Kjo bukuri e hershme e mëngjesit është aq e kollajtë për t’u humbur, sidomos kur gjëja e parë që bëjmë pasi zgjohemi është të kontrollojmë telefonin.
2. Uji akull i ftohtë
Nuk po flasim për ujin me gaz apo me shije – vetëm ai i drejtpërdrejtë nga frigoriferi ose çezma. Ai lloj uji që është aq i ftohtë sa të dhembin pak dhëmbët. Pasi bën ndonjë punë, apo pasi ke ngrënë diçka shumë të kripur, ka një shije freskuese si të mos kishte shije fare, por megjithatë të kujton vetë jetën.
3. Miqtë që të shkruajnë papritur
Është bukur kur dikush të kontakton thjesht sepse i ka rënë në mendje për ty. Ndoshta ka parë një qenush me një triko dhe iu kujtove, ose u kujtuan për atë shakanë tënde të para një viti. Ka diçka veçanërisht të çmuar tek një mesazh i tipit “kjo më kujtoi ty”.
4. Stilolapsat e lirë që shkruajnë butë-butë
Harro stilolapsat luksozë me bojë—ato stilolapsat e thjeshtë, që kushtojnë 30 lekë dhe rrëshqasin lehtësisht mbi letër, janë thesaret e vërteta. Nuk pret që të funksionojnë mirë, por papritur e gjen veten duke shkruar si një shkrimtar në kulmin e frymëzimit.
5. Artikujt falas në dyqane
Nëse ke qenë ndonjëherë në supermarketet e mëdha, e njeh mirë emocionin e shëtitjes nga një stendë te tjetra. Fillimisht një kub i vogël djathi mbi një shkop dhëmbësh, pastaj një çikë qofte apo pak verë i vetëm në një gotë kartoni. Për çudi, ushqimi shijon më mirë se sa kur e ha në shtëpi. Ndoshta sepse është falas.
6. Tingulli i shfletimit të faqeve të librit
Me ekranet dixhitale kemi humbur elementin e prekjes tek leximi. Të kujtohet letra e vërtetë? Ato faqe pak të trasha e të ngurta të një libri biblioteke, ose fëshfërima e butë e një romani të vogël. Leximi është kënaqësia e dukshme, por tingulli i shfletimit është një ritëm i fshehtë që na shtyn përpara.
7. Era e shiut mbi asfalt apo bar
Ka madje edhe një fjalë për këtë: petrichor. Por nuk të duhet fjala kur e ndien me hundë – është e pagabueshme. Ai moment menjëherë pas pikave të para që bien mbi asfaltin e nxehtë apo mbi një livadh, kur një mjegull pothuajse e padukshme ngrihet në ajër dhe çdo frymëmarrje duket më e rëndë, më e plotë, më e gjallë.
8. Nxehtësia e rrobave të sapolara
Të marrësh këmishat nga tharësja dhe t’i përqafosh fort është një nga kënaqësitë më të pavlerësuara të jetës. Era është e këndshme, sigurisht, por në të vërtetë është ngrohtësia ajo që përthithim, si një lloj fotosinteze e çuditshme – sikur të mbaje në duar diellin në shishe. Dhe pastaj, pesë minuta më vonë, zhduket. Por ama ato pesë minuta? Janë të lavdishme.
9. Kur një i panjohur të mban derën
Mund të mos duket ndonjë gjë e madhe, por në një farë mënyre është. Është njerëzimi që tregon mirësinë në shkallën më të vogël të mundshme, një marrëveshje e pashkruar që të gjithë jemi bashkë në këtë udhëtim. Edhe më bukur është kur e shoqërojnë me atë tundjen e lehtë të kokës, në shenjë mirënjohjeje.
10. Shëtitjet netëve të vona
Nuk bëhet fjalë për ecje të shpejta apo ushtrime. Thjesht shëtitje – ndonjëherë me një mik, por më shpesh vetëm. Rrugët janë më të qeta se zakonisht natënvonë, dhe tingulli i vetëm përveç ndonjë makine që kalon është zhurma e dritave të rrugës mbi kokë. Bota duket sikur ka shtypur butonin e pauzës, sikur po të lë të kapësh ritmin.
11. Ushqimet e mbajtura që shijojnë më shumë
Qoftë pica, çomleku, salca e spagetit apo ai ushqimi i porositur, duket se të gjitha përmirësohen pas një nate në frigorifer. E hap derën dhe thjesht e gjen aty, duke pritur. Pica e ftohtë, në veçanti, është mëngjesi i kampionëve.
12. Komplimentet nga të panjohurit
Jo ato të mirësjelljes kur u hap derën të tjerëve, por ato të papriturat, me peshë. Dikush në kafene të thotë se i pëlqejnë këpucët e tua, ose një i huaj gjen kohën të komplimentojë veshjen. Këto gjeste të rastësishme mirësie prekin më shumë se mirësjelljet e përsëritura.
13. Muzika në sfond
Muzika më e bukur në sfond nuk është ajo që shpërthen në volum; është ajo që rrjedh lehtë nga një radio në kuzhinë apo nga një makinë që kalon. Qoftë një këngë Motown teksa po pret qepët, apo një xhaz i vjetër që del nga një kafene ku as nuk kishe plan të hyje, muzika mbush hapësirën në një mënyrë që heshtja nganjëherë nuk mundet.
14. Rrufitja e parë e kafesë
Po, të gjithë flasin për të, por ndoshta pikërisht sepse ia vlen të flitet. Me avullin që ngrihet lehtë dhe filxhanin e nxehtë në duar, ai hidhërim i përzier çuditshëm me ëmbëlsi s’mund të mos e presë mjegullën e mëngjesit. Gllënjka e dytë është e mirë, por e para është butoni i vërtetë i fillimit të ditës.
15. Kur kap aksidentalisht një aromë të Këndshme
Nëse ke kaluar ndonjëherë pranë një pastiçerie, e di fuqinë e një arome të papritur. Ka edhe momente të tjera të veçanta: aroma e shampos së freskët apo fqinji që pjek diçka me erë tymi. Këto aroma vijnë pa paralajmërim dhe pa leje – janë thjesht një dhuratë për shqisat, që zhduket po aq shpejt sa shfaqet.
16. Çarçafët e pastër
Nuk ka ndjesi që krahasohet me atë kur futesh nën çarçafët e pastër pas një dite të gjatë. Ato rikthejnë freskinë, ftohtësinë e pambukut dhe aromën e lehtë të detergjentit. Çarçafët e hoteleve marrin gjithmonë lavdërime, por fituesit e vërtetë janë ata që i ke larë vetë, i ke palosur keq, dhe i ke harruar derisa ka ardhur koha për gjumë.
17. Paratë e harruara në xhepa
Qoftë një kartëmonedhë 5 mijë lekëshe në pallton e dimrit të kaluar, apo një 20-she e rrudhur në xhinset që gati sa nuk i fale dikujt, ky zbulim i papritur duket më shumë si një shpërblim i vogël hyjnor sesa si para. Një provë që nganjëherë gjërat humbasin vetëm për të të gjetur më vonë.
18. Njerëzit që të mbajnë mend emrin
Nuk bëhet fjalë për miqtë dhe familjen – ata është e natyrshme. Po flasim për baristen që të sheh vetëm dy herë në javë, apo rojen në zyrë. Kur e thonë emrin tënd, ndihesh sikur ka rëndësi, sikur ke lënë një përshtypje.
19. Mënyra si shtriqen qentë
Duhet të mësojmë diçka nga mënyra si qetësohen qentë. Fillimisht zgjatin këmbët e përparme, harkojnë shpinën dhe tundin bishtin ngadalë. Nuk nxitohen. Thjesht qëndrojnë në atë shtriqje – herë duke kuisur lehtë, herë duke psherëtirë si pleq të urtë. Nuk mund të mos buzëqeshësh sa herë që e sheh.
20. Heshtja që nuk është bosh
Ka kaq shumë lloje heshtjesh. Nuk po flasim për ato të sikletshme apo të mbushura me tension, por për atë lloj heshtjeje që mbush një dhomë kur je ulur me person, të cilit i beson plotësisht. Në këto momente, nuk duhen fjalë për të mbushur hapësirën mes jush. / bota.al