Redaksia që jeton këtë jetë formon diçka shumë të rëndësishme që unë e quaj “esprit de corps”. Shpirti i trupit, diçka e paprekshme, që lidh në mënyrë të fshehtë të gjithë përbërësit e redaksisë, pa qenë askush veçanërisht i vetëdijshëm, por që bën që gazeta të ketë një qëllim të përbashkët, që gjithçka të rregullohet sipas kritereve të vendosur paraprakisht, por për të cilët nuk ka nevojë të mendohet vazhdimisht, për të ecur në një drejtim me të tjerët
Nga Miguel Ángel Bastenier
Nëpër redaksi ndoshta punohet, por është themelore që të jetohet. Një redaksi ku vetëm punohet, dhe nuk jetohet, korrespondon me një gazetë me një pasivitet alarmues. Dihet që diplomimi i vërtetë në gazetari sigurohet vetëm në redaksitë e gazetave, si ato në letër, si ato digjitale, ndërkohë që sot, më shumë se kurrë, të jesh pjesë e një redaksie, është një kapitull i domosdoshëm për ta kuptuar më mirë profesionin.
Redaksitë na flasin dhe kanë një zë, i cili nuk është shuma e zërave që e përbëjnë, por një gjuhë e veçantë që shpreh gjithçka që dëshiron të jetë gazeta. Ka gazetarë që e ndiejnë këtë zë pa u sforcuar shumë, të tjerë që e ndiejnë si produktin e një pune dhe një familjariteti të zgjatur. Ka edhe të tjerë që, ndonëse nuk janë domosdoshmërisht gazetarë të këqinj, nuk e ndiejnë kurrë. Redaksitë, siç e kam thënë në raste të tjerë, kanë një peshë specifike të caktuar, që vjen prej kombinimit të tre elementëve themelorë: një grup jo domosdoshmërisht i madh senior-ësh, që janë mjeshtrat e redaksisë, pa e ditur, dhe që ushtrojnë një funksion pedagogjik vetëm prej faktit që janë aty; një grup i dytë qendror redaktorësh, me një karrierë të gjatë, por që kanë ende shumë vite punë para tyre, që në disa raste janë duke u shndërruar në senior-ë dhe që përbëjnë boshtin, rripin e madh transportues të gazetës; në fund, një përqindje të rinjsh, as shumë e madhe, as shumë e vogël, me të cilën senior-ët punojnë për formimin e tyre.
Pesha specifike është e ndryshme, në varësi të rrethanave: ndoshta një gazetë me pretendime të lartë ka nevojë për më shumë senior-ë se sa një gazetë tjetër, “e mesme”. Por ata që kanë më shumë nevojë për mjeshtërat janë tabloidët, që në Spanjë pothuajse nuk ekzistojnë, por që i gjejmë me bollëk në vendet e Amerikës Latine. Kanë nevojë, sepse janë më kompleksët nga pikëpamja e frymës me të cilën duhet të përshtaten: shfrytëzim i lajmeve sensacionalë, pa bërë sensacionalizëm, respektim i lexuesit, pa hequr dorë nga shprehjet domosdoshmërisht të forta, dhe mbi të gjitha, ruajtja e shijes. Tre përbërësit janë të tre shumë të rëndësishëm, dhe nuk ka gazeta cilësore që të mund të bëjnë pa ta. Redaksia që jeton këtë jetë formon diçka shumë të rëndësishme që unë e quaj “esprit de corps”. Shpirti i trupit, diçka e paprekshme, që lidh në mënyrë të fshehtë të gjithë përbërësit e redaksisë, pa qenë askush veçanërisht i vetëdijshëm, por që bën që gazeta të ketë një qëllim të përbashkët, që gjithçka të rregullohet sipas kritereve të vendosur paraprakisht, por për të cilët nuk ka nevojë të mendohet vazhdimisht, për të ecur në një drejtim me të tjerët.
Mos më keqkuptoni: nuk dua të them që duhet të jetë shpirti i trupit që të më diktojë mua, gazetarit, se cilët duhet të jenë miqtë e mi të afërt, apo armiqtë e mi. Nuk do të jetë vendi i punës që do të vendosë për miqësitë e mia, apo lidhjet e rrezikshme që mund të krijohen, nëse mendoj i vetëm. Eshtë tjetër gjë. Eshtë të kuptohesh shpesh pa folur, të interpretosh gjestet, të dëgjosh pra atë zë profesional që kanë redaksitë më të mira. Ato në të cilat vjen si një jehonë e përhershme, gjithçka që nuk është publikuar.
Por, nuk duhet të bëhemi as histerikë me këtë historinë e senior-ëve. Mund të jesh një gazetar i shkëlqyer, edhe nëse nuk ke patur interesin apo karakteristikat për të hyrë në klub. Në Amerikën Latine, ku na pëlqen shumë “peshqeshi” i fjalëve, duhet të themi ndoshta që senior-ët duhet të shqetësohen nga zukatjet që i rrethojnë; duhet të kenë një aftësi pedagogjike të lindur, që është krejt ndryshe nga të bërit e konferencave përreth botës, sepse gjërat që bëhen më mirë janë zakonisht frut i intuitës, e cila paraprin dhe nuk ndjek asnjëherë, dhe jo i reflektimit akademik; dhe e gjithë kjo të shtyn të bësh në praktikë atë që predikohet pa u vënë re, sepse senior-i bën shumë më tepër se sa ajo që thotë, plotëson një boshllëk, të cilin ai që dëshiron t’i afrohet atij, do ta përshkojë se s’bën.
Për të gjithë këto arsye redaksitë, ndonëse i ngjajnë ende një grope, një ansambleje, një “shesh pazari”, janë edhe diçka tjetër: vendi ku ndërtohet përfaqësimi i gjërave, i jetës. Për këtë arsye them që nëpër redaksi punohet, por mbi të gjitha, jetohet.
Gazetar dhe historian i lindur në Barcelonë. Ky artikull është botuar në gazetën El Pais me titullin: “La vida en redaccion” / Përkthimi: Bota.al