Histori

Jo vetëm sport, edhe para e intrigë

OLIMPIADAT / Spektakli më i dashur në Greqinë e lashtë. Cdo katër vite, që nga 776 para Krishtit, Olimpia shndërrohet në epiqendrën e botës greke, me Lojërat më të shumëpritura. Të lindur me një frymë diletanteske u transformuan në kompeticione përreth të cilëve kishte para, pushtet, nder dhe intriga

ancient-olympicsShekulli VIII para Krishtit për Greqinë ishte një periudhë rilindjeje të madhe kulturore, pas viteve të errët të Mesjetës helenike. Kjo periudhë rënieje e qytetërimit mikenas ishte provokuar nga pushtimi i Dorëve, një popullsi indoeuropiane e prapambetur kulturalisht. Shekujt e braktisjes së tokave dhe të ekonomisë në rënie, gjatë të cilëve organizimi shtetëror ishte shkatërruar, kishin marrë fund dhe Greqia ishte tashmë në një lloj kulmi nga pikëpamja kulturore.
Kishte lindur një shoqëri helenike krejt e re. Dominimi ekskluziv i figurës së mbretit ishte dobësuar në avantazh të fisnikëve të kamur në gjendje të armatosnin ushtri dhe të blinin armë për të ruajtur parësinë ekonomike, ushtarake dhe politike. Veç kësaj, për t’i dhënë më shumë forcë vendit kishin lindur polis-ët, qytete-shtete që gëzonin një autonomi të veçantë. Dhe kishte nisur gjithashtu periudha e kolonizimeve të ndryshëm në jug të Italisë dhe në toka të tjera të Mesdheut, nga Marseja në Barcelonë.
Kjo ishte klima politike dhe e shkëmbimeve kulturorë në Greqinë e shekullit të VIII dhe në këtë gjendje të lumtur u përhap gjerësisht figura e heroit, burri i fortë dhe plot muskuj që sillte para botës bukurinë dhe kurajën e grekëve. Në imagjinatën kolektive të periudhës ushtari kishte, përveç dhuntive të trimërisë, aftësive strategjike dhe dashurisë për atheun, edhe një trup të lidhur dhe atletik. Ishte pra mishërimi i të gjithë virtyteve që duhej të kishte një mashkull, një sintezë e kalos-it, bukurisë, dhe agathos-it, mirësisë dhe ndershmërisë.
Me këtë ikonë frymëzoheshin të rinjtë grekë, të cilët edukoheshin me sport: vetëm duke u stërvitur, do të arrinin të bëheshin luftëtarë të vlefshëm, të cilëve u takonte detyra dhe lavdia e mbrojtjes së qytetit në rast rreziku.
Konkursi i parë
Paralelisht lulëzoi edhe kulti i fesë, me ndërtimin e tempujve dhe institucionit të riteve zyrtarë për të kërkuar favorin e perëndive. Ceremonitë kryheshin si në mënyrë private, si flijimet e kafshëve përpara rasteve të rëndësishëm, ashtu edhe publikisht, domethënë të vendosura nga qyteti-shtet por me shpenzimet e qytetarëve më të kamur. Pikërisht në këtë lloj humus-i kulturor, në korrik të 776 para Krishtit, në rajonin e Helidës në Olimp, vendi i Peloponezit që i dedikohej hyut Zeus, u inauguruan ritet publikë më të rëndësishëm: Olimpiadat e para.
Lojërat organizoheshin për nder të të vdekurve apo të hyjnive të cilëve atletët u ofronin flijime në këmbim të lavdisë apo një kalimi heroik dhe të privilegjuar përtej varrit. Ishin pesë ditë që i dedikoheshin garave të vrapimit, boksit, luftimeve, hipizmit dhe pesëgarëshit, ku mund të merrnin pjesë burra nga e gjithë Greqia.
Gjimnasti, nga greqishtja gymnos, që do të thotë nudo, sepse atletët ndesheshin lakuriq për të mos u penguar në lëvizje nga rrobat, duhej të ishte një qytetar i lirë, me prindër grekë dhe për më tepër të shtresës aristokrate, pra të kishte një pozicion ekonomik të privilegjuar. Bëhej fjalë për një kusht social të domosdoshëm duke qenë se atletit i takonte të përballonte të gjithë shpenzimet për të marrë pjesë në Lojëra: stërvitje, udhëtim dhe strehim në Olimp. Përveçse të paguante përgatitës dhe masazhatorë. Disiplinat më të kushtueshme ishin garat kalorësiake, duke qenë se nevojiteshin mburoja dhe kuaj race.
Gara artistike dhe të poezisë
Megjithatë, Lojërat nuk bashkonin vetëm atletët më të mirë. Gjatë ditëve kur zhvilloheshin, Olimpi shndërrohej në një pol dinamik atraksionesh: takoheshin qytetarë të pasur, politikanë dhe tregtarë për të diskutuar, për të bërë kontrata biznesi apo për të analizuar strategji politike. Veç kësaj, mu përjashtë vendit të shenjtë në Olimp ku zhvilloheshin Lojërat, tregtarë të çfarëdolloji nuk linin t’u shpëtonte rasti për një publik kaq të madh.
Qyteti i Helidës tërhiqte mijëra vetë dhe ishte njëkohësisht një vitrinë për artistët më të famshëm që vinin për të dalë në pah, duke paraqitur veprat e tyre më të mira. Mes tyre, statuja e famshme prej floriri dedikuar Zeusit e gjatë 14 metra, e cila ishte realizuar nga skulptori i famshëm Fidia, që sot është zhdukur por që konsiderohet një prej Shtatë Mrekullive të botës së lashtë. Shumë oratorë, filozofë dhe historianë kaluan përgjatë shekujve në Olimp për të thurur oda në nder të fituesve dhe mbajtur fjalime. Herodoti, siç tregon historiani Lucian i Samosatës, dëshironte shumë që të shfaqte veprat e tij në Olimp dhe “i mrekulloi të pranishmit kur lexoi tre të parat e Nëntë Muzave”, siç quheshin vëllimet e Historive, të cilat e kurorëzuan atë si Babain e Historisë. Edhe oratori Lisia u bë i njohur në Olimp dhe gjatë një fjalimi u kujtoi grekëve sensin e unitetit dhe miqësisë që qëndronte në themel të Lojërave.
Në fakt, gjatë ditëve kur zhvilloheshin konkurset dhe në ditët që u paraprinin, pothuajse një muaj, betejat dhe luftërat pezulloheshin si në një marrëveshje të heshtur paqeje. Njerëzit që vinin nga i gjithë territori greqishtfolës duhej të ishin gati për spektaklin e madh.
Antagonizmi i vetëm ishte ai i garave. Përgatitja e atletëve zgjaste me ditë të tëra në palestrën pranë stadiumit ku do të zhvilloheshin gara dhe ishte e ndryshme në bazë të kompeticionit. Luftëtarët, për shembull, lyenin trupin me vaj, për të zbutur muskujt e më pas me rërë, për të kapur sa më mirë kundërshtarin.
Atletë idhuj
Duke filluar nga Olimpi, pasioni për Lojërat u përhap në qytete të tjerë të Greqisë, kështu u organizuan Lojërat Panhelenike që përfshinin Lojërat në Delfi, ato në Korinth, në Peloponez dhe në Nemea, në Argolid, duke përfshirë në fakt një pjesë të madhe të Greqisë.
Në secilën prej këtyre çmimi ishte një kurorë gjethesh që simbolizonte triumfin e fituesit: në Olimp, kurora ishte ulliri, në Delfi ishte Dafine për nder të perëndisë Apollon.
Ekzistonin edhe Lojërat Panatenaike të organizuar çdo katër vite në kryeqytetin e Atikës, Athinë me rastin e festave Panathinase për nder të perëndisë poete të qytetit, Athina.
Cilido që ishte qyteti ku zhvilloheshin kompeticionet, agonizmi i ndizte atletët dhe spektatorët, pavarësisht se në lojë nuk ishin as para dhe as toka, por vetëm një kurorë ulliri që vendosej në kryet e fituesit. E çuditshme po të mendosh që fjala atlet buron nga athlon, që do të thotë çmim. Fitorja ishte pra, të paktën në Lojërat e para, i vetmi pushtim i mundshëm, edhe pse fama dhe lavdia që buronin prej saj nuk binin vetëm mbi fituesin por shtriheshin deri në qytetin e tij të origjinës.
Megjithatë, me kalimin e viteve, pati ndryshime thelbësorë. Gjatë Lojërave Panathinase u vu si çmim një vlerë materiale: kush fitonte në garën në brendësi të stadiumit fitonte 100 poçe me vaj, që i korrespondonte pagës së të paktën katër viteve punë të një punëtori të specializuar.
Në shekullin II para Krishtit, një fitues olimpik arriti të fitojë edhe 30 mijë dhrahmi, në një epokë kur një ushtar romak kishte një pagë prej 300 dhrahmish në vit. Diodor Sikuli, historian që ka jetuar mes viteve 80 dhe 20 para Krishtit, rrëfen se si i klasifikuari i pari në garën e Lojërave Olimpike të 412 para Krishtit, Eseneti, u prit në Akragas: “Pasi triumfoi u prit në qytetin e tij nga 300 karroca të tërhequra nga kuaj të bardhë”.
Sigurimi i kurorës së gjelbër, mbi të gjitha për atletët e varfër dhe që i përkisnin klasave sociale më të ulëta, shndërrohej në shans për një ngjitje sociale. Fitorja transformohej në një lloj sigurimi që jepte mundësinë për të marrë detyra publike si dhe për të siguruar mirëqenien e përjetshme me shpenzime të qyteteve, e drejta për të siguruar një vend nderi në spektaklet publikë dhe përjashtimin nga pagimi i taksave. Arritjet e triumfuesve barazoheshin gjithnjë e më shumë me bëmat e heronjve dhe mitizimi si dhe shenjtërimi i fituesve dëshmohen edhe nga përdorimi i podiumit ku hipte i riu për kurorëzimin, që për nga forma u ngjante tempujve.
Profesionistë kundër diletantëve
Tek Sporti dhe lojërat në Greqinë e lashtë, Edward Norman Gardiner, një prej studiuesve më të mëdhenj të kësaj çështjeje, rindërton historinë e sportit në Greqi. Pas disa vitesh kompeticione diletanteske mes viteve 500 dhe 440 para Krishtit, sporti njohu një dekadencë të gjatë, që mendohet të ketë ardhur për shkak të futjes së profesionizmit në gara, me një rritje të shpërblimeve ekonomike për atletët. Duke nisur prej këtu, Gardiner vendos një kundërvënie mes dy modeleve sportivë: nga njëra anë, atleti i apasionuar dhe aristokrat që garonte vetëm për famë, me objektivin e vetëm të siguronte triumfin dhe të demonstronte cilësitë e tij. Nga ana tjetër atleti profesionist, që vinte vetëm prej klasave më të ulëta dhe që garonte duke menduar vetëm për paratë. Kërkimet e 40 viteve të fundit, mbi të gjitha duke filluar nga studimet e historianit dhe epigrafistit holandez Henri Willy Pleket, kanë demonstruar që pastërtia e idealeve mund të mos ketë ekzistuar asnjëherë: të pasur a të varfër qofshin, edhe në fillimin e Olimpiadave atletët merrnin dhurata apo shpërblime dhe përreth tyre qarkullonin sasi të mëdha parash.
Sipas Gardiner, specializimi dhe rritja e profesionizmit të atletëve solli, që në shekullin V para Krishtit, dhe pastaj në mënyrë përfundimtare në shekullin IV para Krishtit, pjesëmarrjen e klasave më të ulëta sociale në olimpiada gjë që u shoqërua me tërheqjen graduale të fisnikëve. Megjithatë, Pleket thotë se përfshirja e klasave sociale më të ulëta mbeti e kufizuar në lojërat lokale.
Pra, lojërat e mëdha Panhelenike vazhduan të praktikohen pothuajse ekskluzivisht nga fisnikëria e lashtë dhe nga borgjezia e pasuruar, duke qenë se këta mbeteshin të vetmet grupe socialë që mund të përballonin kostot shumë të larta të konkurencës. Veç kësaj, Pleket përmend disa burime të epokës, kryesisht letrare, që konfirmojnë praninë në Lojëra të anëtarëve të aristokracisë, që vazhduan të konkurojnë në hipizëm, në gara, në pesëgarësh, në boks edhe në shekullin IV para Krishtit, kur në Lojëra garonin profesionistët. Studiuesi David Cameron Young pohon se atletët joaristokratë mund të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike që në fillim si dhe të gëzonin përfitimet ekonomikë të siguruar nga triumfet e tyre.
Young përmend burime të epokës ku emërtoheshin atletë që nuk vinin nga fisnikëria. Aty pohohej, veç të tjerave, se i pari fitues olimpik i njohur ishte një kuzhinier me emrin Corebo që vinte nga Helida. Ndërsa dy atletë të tjerë, Polimestori dhe Mileti, fitues të garës së shpejtësisë për të rinj në Olimpiadën e 596 para Krishtit, si dhe Amesinas nga Barce, një koloni greke në Cirenaica e siguronin jetesën duke çuar të kullosnin dhi dhe lopë.
Në fund të shekullit VI para Krishtit, poeti Simonid u këndon fitoreve të Glaukit, fitues i boksit olimpik për të rinj në 520 para Krishtit dhe triumfues dy herë në Delfi, tetë herë në Lojërat Istmike dhe disa herë në Nemea, duke e prezantuar si një fshatar të ashpër që sistemonte gjithçka me forcën e grushteve.
Kampionë të ardhur nga populli
Megjithatë, duke supozuar që me të vërtetë anëtarët e klasave sociale më të ulëta kishin marrë pjesë aktivisht dhe me një shpeshtësi të caktuar në kompeticione sportive, në çfarë mënyre këta arrinin t’i bënin ballë kostove të larta të udhëtimit dhe nevojave për strehim që sillnin manifestimet?
Sipas Young, këta ia dilnin duke kultivuar karrierën e tyre sportive dhe duke menaxhuar, me një inteligjencë të veçantë, çmimet në para në lojërat ku kishin marrë pjesë. Për shembull, një atlet i ri me origjinë modeste që fitonte një garë lokale mund të përdorte çmimin e fituar për të financuar pjesëmarrjen e tij në lojëra të tjera më të rëndësishme dhe fitimprurëse.
Nëse do të mund të fitonte dhe ato, me çmimin e fituar do të ishte në gjendje të paguante një trainer si dhe të fillonte të përgatitej kështu për lojërat e mëdha të Olimpit. Pra, pjesëmarrja në garat e atletëve që nuk kishin prejardhje fisnike as edhe të pasur për nga familja ishte e vështirë, por jo e pamundur.
Pra, diskriminuese nuk ishte klasa sociale që i përkisnin por më shumë aftësia, bashkë me këmbënguljen, për t’u stërvitur me objektiv të vetëm fitoren. Në çdo rast, atletët nuk ishin të vetmit që fitonin nga Lojërat. Lavdia që fitonin qytetet e prejardhjes së fituesve stimulonte interesin e të gjithëve.
E rëndësishme vetëm fitorja
Betimi olimpik: Në fundin e ditës së inaugurimit, atletët betoheshin se do të respektonin rregullat e Lojërave. Edhe prindërit dhe trainerët e tyre betoheshin, duke qenë se përgjigjeshin për sjelljen e nxënësve dhe bijve të tyre. Sipas asaj që thotë shkrimtari grek Pausania tek Përshkrimi i Greqisë, betimi bëhej në bouleuterionin e Olimpit, vendi i këshillit që përbëhej nga “gardianët e rregullave” – përpara portreteve të Zeus Horkios (perëndia që mbikëqyrte korrektësinë e betimeve).

Hiletë: Rrushfetmarrja që u përhap dalëngadalë në Olimpiada është dëshmuar nga episode hilesh dhe korrupsioni. Në Olimpiadën e 98, në vitin 338 para Krishtit, Eupoli i Thesalisë pagoi për të fituar. Kalipi i Athinës bleu kundërshtarët e tij në pesëgarësh në Olimpiadën e 112; dy boksierë egjiptianë, Didas dhe Sarapamon, u gjobitën për arsye se kishin kombinuar paraprakisht rezultatin e ndeshjes së tyre, në Olimpiadën e 226. Ndonjëherë edhe gjyqtarët nuk shkëlqenin për ndershmëri. Quheshin Helanodikë, domethënë gjykatës të Heladhës dhe sipas ligjit duhej të vinin nga rajoni i Olimpit. Në Olimpiadën e 96 tre helanodikë u thirrën për të përcaktuar fituesin e një gare: dy votuan për Eupolemin, ndërkohë që i treti për Luanin. Kur Luani apeloi në këshillin olimpik duke i akuzuar dy gjyqtarët për anësim, u zbulua mashtrimi dhe gjyqtarët u gjobitën, por fitorja i mbeti Eupolemit.

Tetrakampionët, më të adhuruarit: Grekët mund të zgjidhnin mes katër Lojërave Panhelenike: Olimpiada (çdo katër vite dedikuar Zeusit), Pitikët apo Delfikët (çdo katër vite në nder të Apollonit), Istmiket (një herë në dy vite në nder të Poseidonit), dhe Nemeiket (një herë në dy vite për nder të Zeusit). Cmimi për fituesit ishte një kurorë gjethesh, zakonisht nga pema që lidhej me perëndinë të cilës i dedikoheshin. Periodoniki, apo më mirë atleti që triumfonte në të gjithë cirkuitin, gëzonte një adhurim shumë të madh.

PERSHTATI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button