Tërheqja e Joe Biden nga gara për Shtëpinë e Bardhë ka tronditur tablonë politike të Shteteve të Bashkuara. Por çfarë mund të ndodhë tani? Në fakt, edhe pse presidenti shprehu menjëherë mbështetjen për zëvendësen e tij Kamala Harris, marrja e stafetës nuk mund të jetë e menjëhershme, sipas rregullave të Partisë Demokratike.
Biden e kishte siguruar rikandimin duke marrë dritën jeshile nga mbi 4,000 delegatë. Me tërheqjen e tij, vendimi është rikthyer në duart e kuvendit të partisë, i cili me shumë gjasa do të mblidhet në mes të gushtit. Është e qartë se koha po ikën, duke marrë parasysh edhe udhëtimin triumfal që po shoqëron kandidaturën e Donald Trumpit në frontin republikan.
Po sa peshon mbështetja e shprehur nga Biden për Kamala Harris?
Chris Dempsey, themeluesi i Delegates are Democracy, një organizatë që punon me delegatët, tha për Financial Times: “Nëse presidenti tërhiqet, nga pikëpamja e rregullave gjithçka është e hapur dhe delegatët mund të votojnë për kë të duan. Nga pikëpamja politike, nëse ai do të mbështeste zëvendësen e tij, delegatët mund ta ndjekin pas, por askush nuk është i detyruar ta bëjë këtë”. Pra, fjalët e Bidenit nuk janë detyruese.
Normalisht, sigurimi i një nominimi kërkon një peticion të firmosur nga 300 delegatë, me jo më shumë se 50 nga një shtet. Në fakt, nuk ka precedentë, përveç rastit të vitit 1968. Presidenti Lyndon Johnson hoqi dorë nga kandidimi, por Bob Kennedy, kandidati favorit u vra në Los Anxheles. Pastaj demokratët mbajtën një konventë në Çikago, e cila rezultoi në kandidimin e Hubert Humphrey, i cili u mund më vonë nga Nixon. Sipas burimeve të raportuara edhe nga mediat amerikane, partia duhet së pari të shkruajë rregullat e reja dhe të sqarojë nëse është e nevojshme të zhvillohen zgjedhjet e reja paraprake shtet pas shteti, apo të zgjedhë pasardhësin e Bidenit me një konventë kombëtare.
Por nëse konkurrentja e re për Shtëpinë e Bardhë nuk është Kamala Harris, cilat janë alternativat në dispozicion të Partisë Demokratike? Emrat që kanë qarkulluar javët e fundit janë ato të guvernatorit të Kalifornisë Gavin Newsom ose Gretchen Withmer nga Michigan. Një sugjerim i përsëritur është që Michelle Obama të zbresë në terren, për momentin një mundësi shumë e largët.
Një pyetje tjetër ka të bëjë me përdorimin e fondeve të mbledhura deri më tani për fushatën presidenciale të Biden. Donatorët fusnin duart në kuletat e tyre duke menduar se njeriu që po financonin ishte presidenti dhe jo dikush tjetër. Shumë financues të Partisë Demokratike javët e fundit kishin shprehur dyshime për rikonfirmimin e Biden të Shtëpisë së Bardhë. Madje shkuan deri në ngrirjen e kontributeve të tyre financiare për një shumë totale prej 90 milionë dollarë. / bota.al