Analiza

Ju lutem, mos u riktheni në rutinat tuaja…

Smoke and fire from an Israeli bomb rises into the air ove Gaza CityDisa zbulime në Luftën e Gazës
Thomas L. Friedman
Të shtunën në orën 6.02 të mëngjesit, nisën të dëgjohen sirenat e alarmit në Tel Aviv. Stafi i hotelit më nxorri me shpejtësi nga dhoma ime dhe u futëm me shpejtësi në ashensorin pa dritare të shërbimit bashkë me dy familje franceze, të gjithë me pizhama. Pas 10 minutash, kur rreziku i raketës së Hamasit kishte kaluar, të gjithë na u lejua të rikthehemi në dhomat tona. Teksa u futa sërish në shtrat, nga sistemi zanor i hotelit u dëgjua një zë: “Të dashur klientë, ju mund të riktheheni në rutinën tuaj!”
Teksa Izraeli dhe Hamasi janë duke ulur armët në luftën e tyre më të fundit, oyeta veten nëse menaxheri i hotelit në fakt o u drejtohej atyre. Kaq ishte? Më shumë se 60 ushtarë izraelitë të vrarë dhe afro 1800 luftëtarë të Hamasit dhe banorë të Gazës – qindra prej tyre fëmijë dhe civilë – të vrarë, dhe tani të gjithë i kthehen rutinës? Nuk mendoj. Këtu janë zbuluar disa gjëra të reja dhe shumë domethënëse.
Të fillojmë me luftimet. Që në fillimin e viteve 2000, Irani dhe palët që luftojnë për të kanë ndjekur një strategji me tre kolona kundrejt Izraelit. E para është lufta asimetrike, duke përdorur kryesisht raketa jo të kushtueshme, për të paralizuar qytezat dhe qytetet izraelitë. Për momentin, sistemi antiraketë “Kubeja e Hekurt” duket se e ka eleminuar këtë armë. Raketat e Hamasit praktikisht nuk bënë fare dëm.
Kolona e dytë, e cila debutoi në luftën Izrael-Hezbollah të vitit 2006, është që të fshehë luftëtarët e Hamasit dhe raketëhedhësit në mesin e popullsisë me dëndësi të lartë në Gaza dhe ta detyrojë Izraelin që të hyjë në një luftë, ku ai mundet të fitojë vetëm duke kryer krime lufte. Askush këtu nuk e thotë kaq qartë këtë gjë, por mjafton të studiosh këtë luftë për të kuptuar se Izraeli e konsideron si shumë të rëndësishme për strategjinë e tij të frenimit, që të thotë se as Hamasi dhe as Hezbollahu “nuk janë më të “çmendur” se sa ne. Unë nuk besoj se Izraeli kishte në shënjestër civilët në Gaza – unë besoj se u përpoq t’i shmangë – por në fund të ditës, ai nuk e mbajti dorën para mendimit që mund të kishte edhe dëme anësorë në civilë. Hamasi i përdori civilët në Gaza si karrem që Izraeli të kryente krime lufte. Dhe Izraeli bëri gjithçka, që t’i vërtetonte Hamasit se “ju nuk jeni më të çmendur se ne në këtë rajon”. Ishte shumë e shëmtuar. Kjo nuk është Skandinavi.
Kolona e tretë e strategjisë Iran/Hezbollah është: Izraeli duhet të pushtojë përgjithmonë palestinezët në Bregun Perëndimor, sepse vazhdimësia e atij pushtimi kolonial është thelbësore për delegjitimimin dhe izolimin e Izraelit në skenën botërore – sidomos mes perëndimorëve të rinj në moshë – si dhe për forcimin e myslimanëve kundër Izraelit. Në këtë drejtim, Hamasi arriti një fitore të madhe. E pamë qartë në vendimin e Administratës Federale të Aviacionit, që urdhëroi pezullimin e fluturimeve nga SHBA në Tel Aviv, pasi një raketë e Hamasit ra vetëm një milje larg prej aeroportit. Ky ishte ekzaktësisht mesazhi që po dërgonte Hamasi: “Nëse ne mund të mbyllim aeorportin tuaj, litarin tuaj global të shpëtimit me një raketë nga Gaza, imagjinoni se çfarë ndodh nëse ju lini Bregun Perëndimor, ngjitur me ju”. Ai pezullim i fluturimeve tani do të përduret këtu si një argument kyç, përse Izraeli nuk duhet të heqë dorë asnjëherë nga Bregu Perëndimor. Prej këtu, mund t’i dëgjoj duartrokitjet në Teheran.
Kemi edhe tunelet e Hamasit, dhe ajo çfarë ata zbuluan. Përshkova një prej tyre, në kufirin me Gazë, pranë Kibbutz Ein Hashlosha. Për disa milje ishte shtruar me mure dhe tavan betoni. Kishte energji elektrike si dhe shina hekurudhe. Ajo që më la më shumë përshtypje ishte mjeshtëria, mënyra se si të gjithë copat e parafabrikuara të betonit ishin projektuar dhe bashkuar përsosmërisht. Ky tunel është ndërtuar për vite të tërë dhe ka kërkuar miliona dollarë, burime masivë që u janë hequr rrugëve, ndërtesave dhe shkollave. Ai kishte një qëllim dhe ky nuk ishte eksporti i frutave. Ishte që të fuste fshehtas luftëtarë në Kibbutz. Dhe kishte shumë të tillë.
Më duhet të them se kam mbetur i habitur nga përkushtimi që është dashur për të ndërtuar këtë tunel, por i trishtuar për atë çfarë e nxiste këtë përkushtim: një axhendë xhihadiste apokaliptike. Forcat fetare nacionaliste kanë energjinë e vërtetë në rajon këto kohë. Gjithnjë e më shumë, ky po bëhet një konflikt fetar. “The Times” e Izraelit raportoi se, në fillim të kësaj lufte “në një komunikatë zyrtare që iu dërgua komandantëve të batalioneve dhe kompanive në 9 korrik, komandanti i Brigadës Givati, Koloneli Ofer Uinter” – një prej oficerëve më të lartë izraelitë në frontin e Gazës – “u tha vartësve të tij se: Historia na ka zgjedhur ne që të jemi në krye të luftimeve kundër armikut terrorist në Gaza, i cili abuzon, blasfemon dhe mallkon Zotin e forcave të Izraelit”. E frikshme.
Xhihadistët po shtohen tani nëpër Irak dhe Siri, duke dëbuar të krishterë dhe pakica të tjera. Si shkruante këtë javë shkrimtarja libaneze Hanin Ghaddar: Historiani libanez Kemal Salibi dikur ka thënë se “janë të krishterët në Arabi që e ruajnë fjalën ARAB dhe jo MYSLIMAN dhe kanë luajtur një rol jetik në përcaktimin e një identiteti laik arab”. Tani, thotë ajo, “rajoni duket se po kthehet në tribalizëm, a thua një shekull zgjim intelektual dhe ide laike po fshihen dhe identitetet tanë po avullojnë”.
Pikërisht këtu Izraeli e ka një zgjedhje. Projekti i tij i vendbanimeve hebrenj në Bregun Perëndimor, e coi drejt një strategjie me të cilën përpiqej të mbante Autoritetin Palestinez atje të dobët dhe Hamasin në Gaza edhe më të dobët. E vetmja mënyrë që Izraeli mund të shpresojë të stabilizojë Gazën është nëse fuqizon Autoritetin Palestinez që të marrë kontrollin e kufirit në Gaza, por kjo do të kërkojë lëshime territorialë në Bregun Perëndimor ndaj Autoritetit Palestinez, sepse ai nuk do të dojë të bëhet polici i Izraelit dhe ta bëjë këtë falas. Ky është një moment thelbësor, ose të moderuarit arabë dhe izraelitë bashkëpunojnë dhe luftojnë së bashku, ose fanatikët do të marrin kontrollin e rajonit. Ju lutem, mos u riktheni në rutinat tuaja. /NYT/
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button