BotaMAIN

Ka kaluar 6 muaj në frontin e luftës. Eksperti: Pushtimi rus do të sillte në Evropë 5-10 milionë refugjatë ukrainas

Amerikani që ka kaluar 182 ditë në fushën e betejës flet hapur mbi Ukrainën dhe Rusinë. Ai ka qenë shpesh në Ukrainë dhe e ka parë përleshjen kufitare midis Moskës dhe Kievit personalisht nga afër. Kreu i institutit të politikave dhe eksperti i mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, dr.Phillip Karber e ka vizituar Ukrainën 36 herë në tetë vitet e fundit dhe ka kaluar gjithsej 182 ditë në vijën e parë të frontit duke vëzhguar luftimet. Në një intervistë për “19Fortyfive”, ai përshkruan në mënyrë të detajuar situatën në Ukrainë dhe Rusi, dhe rreshtimin e forcave kundërshtare që duket se janë gati për përballjen e madhe.

Ju keni udhëtuar në Ukrainë shumë herë gjatë viteve të fundit, që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. A mund të na tregoni gjendjen e përgjithshme të gatishmërisë të ushtrisë ukrainase?

Duke pasur parasysh gjendjen skandaloze në të cilën ndodheshin forcat ukrainase në fillim të vitit 2014 pas 2 dekadash neglizhence të plotë, ringjallja e tyre si një forcë luftarake ka qenë asgjë më pak sesa një mrekulli.

Në fillim të konfliktit, ushtria ukrainase kishte në letër 15 brigada të forcave tokësore, me një forcë të autorizuar prej 55 batalionesh manovruese. Në realitet, vetëm 16 nga këto shin “gati”.Ndërkohë vetëm 25 për qind e tyre ishin vendosur në anën lindore të lumit Dniepr përballë Rusisë e Krimesë.

As analistët perëndimorë dhe as strategët rusë nuk prisnin që ushtria ukrainase të ishte në gjendje të luftonte për më shumë se disa ditë. Por ukrainasit u mobilizuan, ri-dislokuan forcat e tyre në lindje, riparuan dhe rinovuan armatimin e vjetër, dhe po luftojnë prej 8 vitesh.

Ata kanë humbur disa beteja dhe kanë fituar disa të tjera, por gjatë kësaj kohe kanë shkaktuar po aq viktima sa kanë pësuar. Sot, Ukraina ka ushtrinë më të fortë aktive në Evropë. Ajo është më e madhe, më e gatshme dhe me më shumë përvojë luftarake sesa ushtritë e 10 vendeve të fundit që iu bashkuan NATO-s të marra së bashku.

Forca aktive është e barabartë me 40 Grupe Taktike të Batalionit (BTG), e mbështetur nga 100.000 rezervistë me përvojë në front, dhe njësi në çdo nivel, të udhëhequra nga një brez i ri oficerësh agresivë që kanë luftuar kundër rusëve, që ua dinë dobësitë këtyre të fundit, dhe që nuk kanë frikë t’i shfrytëzojnë ato.

Ironikisht, sa i përket stabilizimit të Evropës Lindore, dhe sigurimit të një sprapsje për revanshizmin rus, si dhe përmirësimit të dukshëm të mbrojtjes së Rumanisë, Polonisë dhe Baltikut, NATO do të përfitonte më shumë nga të pasurit e Ukrainës në anën e saj,sesa duke qenë e fundit pjesë zyrtare e aleancës.

Në Uashington dominon mendimi se Kievi do të mposhtej shumë shpejt nga Moska. Cili është mendimi juaj?

Nëse “komandot e tavolinës” në Uashington do të linin zyrat e tyre dhe do të shkonin në front, do të kishin një perspektivë më realiste. Ukrainasit mund ta mbajnë shumë mirë për një fare kohe linjën aktuale të frontit prej 500 km.

Vështirësia më e madhe buron nga një kërcënim me shumë drejtime në një perimetër 6 herë më të madh, dhe të shtuar nga rreziku i sulmeve të njëkohshme nga ajri dhe deti, si dhe nga një shkallë e dytë sulmesh më të mëdha të mbështetura nga armët bërthamore kimike dhe taktike.

Putin ka përforcuar njësitë e tij të vijës së parë me 3 ushtri shtesë:Ushtria VIII-të e Gardës (8GA) në Rostov pas rajonit të Donbasit, Ushtria e XX-të e Gardës (20GA) në Voronezh e pozicionuar përballë qytetit ukrainas të Karkivit, dhe Ushtria I-rë e Tankeve të Gardës (1GTA) në verilindje të Kurskut që synon drejtpërdrejt kryeqytetin e Ukrainës, Kievin.

Këto tre ushtri, bashkë me përforcimet e bëra në pranverën dhe vjeshtën e vitit të kaluar, plus linjën e përparme ekzistuese në Donbas dhe Korpusin e Krimesë, janë të barabarta me rreth 60 Grupe Taktike të Batalionit (BTG) dhe gati për luftë.

Ndërsa rusët nuk do të kishin më shumë se 50 për qind avantazh në sasinë e njësive, armët ruse kanë një avantazh cilësor, dhe zona në veri të Karkivit e favorizon sulmin. Ajo është një zone klasike për përdorimin e tankeve, me pak pengesa natyrore në terren dhe me mundësi të mëdha për një manovrim të shpejtë.

Së dyti, forcat e vogla ajrore të Ukrainës me avionë luftarakë dhe helikopterë të vjetër të epokës së Luftës së Ftohtë, janë shumë prapa potencialit më të madh dhe të modernizuar të sulmit ajror të Rusisë. Së treti, në veri stërvitja e madhe e Rusisë kundër NATO-s shtatorin e vitit të kaluar – Zapad 2021 – përfshiu një ushtri ruse të dislokuar në Bjellorusi, e cila mund të zbresë shumë shpejt dhe ta ndajë Ukrainën më dysh.

Së katërti, flota e madhe ruse në Detin e Zi, bashkë me anijet amfibe të sjella në Detin Azov nga Kaspiku përbëjnë kërcënimin kryesor nga zbarkimet përgjatë bregut, të mbështetura nga trupat e sulmit ajror nga Krimea.

Së fundmi, Rusia ka vendosur tashmë përgjatë kufirit të Ukrainës, raketat SS-26 Iskander-M me rreze 400-500 km, si dhe armë vetëlëvizëse me rreze të gjatë të kalibrit të rëndë (2S7 Pion dhe 2S7M Malka 203 mm) dhe mortaja vetëlëvizëse (2S4 Tyulpan 240 mm), ku që të gjitha mund të lëshojnë armë bërthamore taktike dhe kimike.

A ka mundësi Ukraina të zhvillojë një kryengritje të suksesshme nëse Moska pushton dhe anekson një territor të ri të saj?

Po, dhe do ta bëjnë këtë. Sot në të gjithë Ukrainën po krijohen njësi territoriale, dhe civilët po përgatiten t’u rezistojnë rusëve. Megjithatë, kryengritjet janë për nga natyra e tyre një formë lufte e pavendosur dhe zhgënjyese. Pra, ndërsa ata mund t’i shkaktojnë telashe serioze rusëve, në fund ndikimi i tyre nuk do të pengojë shumë një pushtim nga Moska. Gjithsesi, ajo që do të ndikojë menjëherë mbi NATO-n janë 5-10 milionë refugjatë që do të kalojnë në perëndim përtej kufirit për të ikur në Evropë.

Cili është synimi i Rusisë ndaj Ukrainës? A ka vërtet ndërmend Putini ta pushtojë?

Është e qartë se Putini e ka prodhuar vetë këtë krizë për të arritur diçka. Por mbetet ende e paqartë se çfarë është kjo. Por ndërkohë ai me siguri qe e di se Ukraina do të luftojë nëse ai e rifillon agresionin e nisur në vitin 2014. Po ashtu, ai e di se përqindja më e madhe e trupave në ushtrinë ukrainase vijnë nga lindja. Pavarësisht prejardhjes etnike dhe gjuhësore ruse, ata nuk duan të jetojnë në kleptokracinë e Putinit.

Po ashtu presidenti rus e di që sa më masiv të jetë sulmi dhe sa më i rëndë të jetë dëmi i shkaktuar, aq më i madh do të jetë numri i të vrarëve, dhe sa më i madh territori i pushtuar, aq më e madhe dhe e zgjatur do jetë armiqësia e populli ukrainas, dhe për pasojë po aq më i kushtueshëm do të jetë pushtimi për t’i nënshtruar ata.

Putini e di gjithashtu se kërkesat e tij ndaj SHBA-së dhe NATO-s janë skandaloze, dhe që ai nuk ka gjasa që të sigurojë plotësimin e tyre. Por, nëse një nga objektivat e tij ishte të bindte ukrainasit se Perëndimi nuk do t’u vinte në ndihmë me mbështetje ushtarake, ai tashmë e ka arritur këtë me deklaratat e presidentit Biden se nuk do t`i angazhojë forcat amerikane dheas të dërgojë ndihmë ushtarake.

Sa ndikim do të kishin sanksionet e ashpra financiare kundër Moskën, si përjashtimi i Rusisë nga SWIFT?

Putin nuk është budalla. Nëse ai do të mendonte se kostot diplomatike dhe ekonomike të agresionit të ri kundër Ukrainës, do tejkalonin përfitimin nga rikthimi i Ukrainës nën sferën ruse të ndikimit, ai tashmë do të ishte frenuar nga vendosja në gatishmëri e një force të madhe ushtarake.

Por ai e di se sanksionet e mëparshme i shkaktuan më shumë dëme aleatëve tanë evropianë. Ndërkohë ai e di se “aleati i tij strategjik” Kina,  do të donte të plotësonte boshllëkun duke krijuar një sistem monetar alternativ ndaj dollarit. Nga ana tjetër, kërcënimet e Evropës për reduktim të blerjes së gazit nga Rusia do ta linin atë pa energji në pikun e dimrit.

Marrë me shkurtime nga “19Fortyfive” – Bota.al

Back to top button