Letersi

“Kam shumë shpresë”, poezia e Naim Frashërit. E vërtetë në çdo rresht edhe në ditët e sotme…

Kam shumë shpresë 
Te Perëndija. 
Që të mos jesë 
Kshu Shqipëria, 
Po të ndritohet 
Të lulëzohet. 

Pa vjen një ditë 
Që të na sjellë 
Të madhe dritë 
P’ajo të pjellë: 
Qytetërinë, 
Fatbardhësinë. 

Vëllazërija 
Edhe bashkimi 
E njerëzija 
Është shpëtimi, 
Lum kush t’arrijnë! 
Pa do të vijnë. 

Që Shqipërija 
Do të ndritohet 
Dhe ligësija 
Do të mërgohet. 
Jak’ e vërtetë! 
Pse rri e qetë? 

Për Shqipërinë 
Ditët e mira 
Paskëtaj vinë 
Shkoj errësira, 
Lum kush të rronjë, 
T’a shohë zonjë! 

Se Shqipëtari 
E gjuh’ e tija 
Venë së mbari 
Dhe Shqipërija, 
Lum kush t’a shohë 
Për pakë kohë. 

Pa dituritë 
Dhe mbrothësija 
E mirësitë 
Dhe njerëzija 
Do të burojnë 
Nukë mënojnë.

Leave a Reply

Back to top button