Bota

Kancelarja e botës së lirë. Eshtë Angela Merkeli, “Njeriu i vitit”

angela

Udhëheqësja më e fuqishme e Europës është refugjate nga një kohë dhe një vend, ku pushteti i saj do të kish qenë i paimagjinueshëm. RDGJ, ku Merkeli u rrit, nuk ishte as demokratike, as republikë; ishte një shfaqje horrori oruelliane, ku Perdja e Hekurt gjente kuptimin e saj të drejtpërdrejtë në formën e Murit të Berlinit. Bijë e druajtur e një pastori luteran, Merkeli hyri në politikë si një protestante e divorcuar në një parti kryesisht katolike, një lindore në Gjermaninë e re të viteve 1990, ku lindorët ishin ende alienë. Asnjë udhëheqës kryesor perëndimor nuk është rritur prapa një muri, gjë që i jepte Merkelit një pikëvështrim të rrallë sa i përket joshjes së lirisë dhe risqeve një njerëzit marrin përsipër për ta shijuar atë.

Stili i saj politik ishte që të mos kishte nëj të tillë: pa prirje të veçanta, pa fanfarë, pa karizmë, thjeshtë me sensin e fortë të pushtetit që e kanë zakonisht ata që mbijetojnë, si dhe përkushtimin e një shkencëtareje ndaj të dhënave. Edhe pasi Merkeli u bë Kancelare në viti 2005, dhe më pas komandoi ekonominë e katërt më të madhe të botës, ajo mbeti po ashtu, ‘e mërzitshme” – më mirë të të nënvlerësojnë, herë pas here. Analistët gjermanë i vunë nofkën Merkelveliane kur ajo mposhti, izoloi apo i mbijetoi kujtdo që mund të përbënte një sfidë ndaj saj. Gjithmonë e matur, ajo praktikonte me krenari atë që Uilly Brandty dikur e quajti Die Politik der kleinen Schritte (politika e hapave si të foshnjes), ose si quhet në SHBA, të udhëheqësh nga pas.

Pastaj erdhi viti 2015. Jo një apo dy herë, por tre herë këtë vit, ka patur arsye për të pyetur nëse Europa do të vazhdonte të ekzistonte, jo kulturalisht apo gjeografikisht, por si një eksperiment historik në artin ambicioz të qeverisjes. Merkeli ishte shfaqur tashmë si aktorja e domosdoshme në menaxhimin e krizave seriale të borxhit në Europë; ajo udhëhoqi edhe reagimin e Perëndimit ndaj grabitjes që bëri Vladimir Putini në Ukrainë. Por tani, falimenti i Greqisë rrezikonte vetë ekzistencën e eurozonës. Kriza e migrantëve dhe refugjatëve ishte një sfidë ndaj parimit të kufijve të hapur. Dhe në fund, kasaphana e Parisit ringjalli reflekset për të përplasur dyert, ndërtuar muret, dhe mos i besuar askujt.

Në secilin rast do të ndërhynte Merkeli. Gjermania do të shpëtonte Greqinë, sipas kushteve të saj të rrepta. Ajo do të mirëpriste refugjatët, si viktima të efërsisë së islamistëve radikalë dhe jo mbartës të saj. Dhe do të dërgonte trupa jashtë vendit për të luftuar ISIS. Gjermania ka kaluar 70 vitet e fundit duke testuar antidotet e të kaluarës së saj militariste, nacionaliste, gjenocidiste. Merkeli parashtronte një tjetër seri vlerash – humanizmin, bujarinë, tolerancën – për të demonstruar se si forca e madhe e Gjermanisë mund të përdorej për të shpëtuar, dhe jo shkatërruar. Rrallëherë ndodh të shohësh një udhëheqës tek hedh poshtë një identitet kombëtar të vjetër dhe të bezdisshëm. “nëse tani do na duhet të fillojmë të kërkojmë falje për faktin që tregojmë një fytyrë miqësore në situata emergjence”, tha ajo, “atëherë po, ky është vendi im’.

Kështu këtë herë, gruaja që u arsimua si kimiste fizike nuk bëri testime dhe punë në laborator; ajo mori qëndrim. Kundërgoditja ka ardhur shpejt dhe nga të katër anët. Donald Trumpi e quajti Merkelin “të çmendur” dhe i quajti refugjatët “një prej kuajve të mëdhenj të Trojës’. Protestuesit gjermanë e quajtën tradhëtare, bushtër; aleatët e saj paralajmëruan për revoltë popullore, dhe kundërshtarët e paralajmëruan për kolaps ekonomik dhe vetëvrasje kulturore.

Konservatorja Die Ëelt botoi një raport të shërbimeve të fshehtë që paralajmëronte për sfidën e asimilimit të një milionë imigrantëve: “Ne po importojmë vahabizmin, antisemitizmin arab, konfliktet kombëtarë dhe etnikë të popujve të tjerë, si dhe kuptime të ndryshme të shoqërisë dhe ligjit”. Përqindja e mbështetjes për të ra më shumë se 20 pikë, edhe teksa ajo vazhdon të shprehë besimin e fortë që ka në popullin e vet. “Wir schaffen das,” përsërit vazhdimisht. “Mund ta bëjmë këtë”. /TIME

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button