Bota

Kancelarja e izoluar: Çfarë e motivon aktualisht Angela Merkelin?

Kancelarja Angela Merkel, ka grumbulluar për një dekadë në krye të vendit një kapital të madh politik. Tashmë që pavarësisht krizës së refugjatëve nuk po tregon asnjë shenjë rënieje, ajo ka vendosur ta shpenzojë këtë kapital. Me trashëgiminë e saj të balancuar, ajo ka gjetur më në fund një kauzë për të luftuar mbi të. Por pse pikërisht tani?

merkeli

Kancelarja Angela Merkel, ka grumbulluar për një dekadë në krye të vendit një kapital të madh politik. Tashmë që pavarësisht krizës së refugjatëve nuk po tregon asnjë shenjë rënieje, ajo ka vendosur ta shpenzojë këtë kapital. Me trashëgiminë e saj të balancuar, ajo ka gjetur më në fund një kauzë për të luftuar mbi të. Por pse pikërisht tani?

Nga Markus Feldenkirchen dhe René Pfister

Eshtë plotësisht e paqartë, se si do të përfundojë eksperimenti që kancelarja gjermane ka imponuar mbi kontinentin evropian, qytetarët gjermanë dhe jo më pak mbi partinë e saj. Vendimi i saj i ndjerë verën e kaluar, për të hapur kufirin gjerman për refugjatët, e shndërroi Merkelin në një figurë historike, ndërsa është konsideruar gjerësisht në garë për çmimin Nobel të Paqes.

Por që atëherë, humori ka ndryshuar, dhe jo vetëm në Gjermani. Brenda konservatorëve të Merkelit, ka nga ata që kanë filluar të parashikojnë një qeveri pa udhëheqësin aktuale të partisë. Skenari për rënien e Merkel ende nuk është shkruar, por një draft fillestar i përafërt tashmë ekziston. Kreu i kristiandemokratëve të Bavarisë, Horst Sihofer synon të shtojë presionin mbi Merkelin, deri kur kjo e fundit të ndryshojë kurs.

Ai nuk po përpiqet ta largojë atë nga detyra e kancelares, por në qoftë se ajo nuk pajtohet, ekzistojnë disa figura në kampin konservator që mund të imagjinojnë ministrin e Financave, Volfgang Shojble, të marrë përsipër drejtimin e qeverisë. Nuk është mbërritur ende tek ky moment, por një masë kritike po krijohet gradualisht. Përmes një letre drejtuar kancelares javën e kaluar, 44 deputetë konservatorë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj kursit të Merkelit. Të mërkurën, Austria shpalli vendosjen e një kufiri maksimal për numrin e refugjatëve që mund të pranojë. Merkel po bëhet gjithnjë e më e izoluar.

“Populli gjerman nuk do trazira. Ai së shpejti do ta rrëzojë nga pushteti atë grua”- tha pak ditë më parë kandidati republikan për president në SHBA, Donald Tramp. “Unë nuk e di se çfarë dreqin është duke menduar ajo?” Dhe ai nuk është i vetmi që bën këtë pyetje. Gjysma e botës po pyet se çfarë po e motivon kancelaren gjermane. Çfarë po e nxit Angela Merkelin, një grua e cila e fitoi pushtetin për shkak të pragmatizmit të saj të paepur, dhe që tani po qeveris në mënyrë kaq të pakushtëzuar? Pse ajo nuk ka treguar deri më tani asnjë shenjë serioze, se mund të ndryshojë kurs mbi politikën ndaj refugjatëve, pavarësisht nga fakti se popullariteti i saj është në pikiatë dhe themelet e pushtetit janë shkatërruar?

Shefi Merkelit i stafit, Peter Altmaier, thotë se kjo është bota nga këndvështrimi i Merkel:Për të shmangur një katastrofë humanitare në fund të verës së kaluar, ajo kishte pak zgjedhje, përveçse të hapte kufijtë. Tanimë, detyra e saj është të parandalojë përçarjen e Evropës. Nëse Gjermania do të mbyllte tani kufijtë e saj, kjo nuk do të shënonte vetëm një dështim të regjimit të Shengenit. Rrjedha e refugjatëve do të përmbyste të gjithë Ballkanin dhe do të destabilizonte demokracitë e reja dhe të brishta atje.

Greqia do të mësyhej nga mijëra refugjatë të dëshpëruar nga Siria dhe Iraku, ndërsa Jordania dhe Libani, të cilat tashmë janë duke pritur pothuajse 2 milion refugjatë, mund të jetë shtyheshin më tej në prag të kolapsit. Alternativa është një marrëveshje me Turqinë, vendi përmes të cilit udhëtojnë pothuajse të gjithë refugjatët nga zonat e luftës. Ky është të paktën versioni zyrtar.

Kur flet me njerëzit pranë Merkelit, politikat e saj mbi refugjatët cilësohen si krejtësisht të arsyeshme, si një zinxhir nevojash politike. Një nga arsyet pse Merkeli ka qenë në gjendje të qëndrojë kaq gjatë në këtë detyrë, është se ajo nuk ka luftuar kurrë për një projekt më të madh politik. Ajo nuk kishte synime të mëdha politike. I pëlqente të luante rolin e kancelarit të krizës, i ngjashëm me Helmut Shmidin para saj. Por tanimë, në këtë fazë të vonë të sundimit të saj, ajo papritmas i ngjan një Vili Brandi të hershëm dhe vizionar.

Nuk është se Merkeli nuk ka pasur asnjë bindje, kur mori detyrën në vitin 2005. E rritur në Gjermaninë Lindore, ajo besonte në fuqinë e lirisë dhe tregjeve. Por për shkak se votuesit nuk qenë veçanërisht të dashuruar ndaj propozimeve të saj për reforma, ajo hoqi dorë prej tyre. Dhe më herët, ajo fliste shumë rrallë në lidhje me origjinën gjermano-lindore apo besimin e saj. Heshtja qe një element i suksesit të saj, duke shmangur alienimin me gjermano-perëndimorët, ateistët dhe besimtarët katolikë.

Klaus von Dohnani, ish-kryetari socialdemokrat i Bashkisë së Hamburgut, është një mik i vjetër i kancelares. Dohnani i njihte prindrit e Merkelit, dhe ai beson se rrënjët e saj të krishtera janë shumë të dukshme në qasjen ndaj krizës së refugjatëve. “Ajo është vajza e një pastori socialist. Dhe nëna e saj ishte një grua shumë e devotshme. Gjëra të tilla gjenden thellë brenda jush, ato nuk s’mund të zhduken”- thotë ai.

Familja Kasner (Merkel është mbiemri i burrit të parë të kancelares) aderonte në një formë praktike të teologjisë që përfshinte ndihmën ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të pafavorizuarve vijon më tej ai. Merkeli u rrit me parimin që nëse një i huaj është duke qëndruar në shi para derës, ju duhet ta ndihmoni atë, nënvizon Dohnani.

Edhe Pastori Rainer Epelman, një tjetër njohje e vjetër e Merkelit, është gjithashtu i bindur se qasja e saj ndaj krizës së refugjatëve, është e rrënjosur thellë në të kaluarën e saj. “Angela Kasner u rrit e rrethuar nga persona me aftësi të kufizuara, që kishin nevojë për përkujdesje”- thotë ai. Më vonë, vijon Epelman, Merkeli përjetoi gjithashtu ndjesinë sesi është të jetosh nën një rregjim shtypës. Asaj fillimisht nuk iu dha e drejta për të ndjekur universitetin, edhe pse ishte nxënësja më e mirë në klasën e saj. “Një përvojë e tillë padrejtësie mund të thyejë çdo njeri”-shton Epelman. Ndaj, Merkeli mund ta kuptojë fare mirë sesi duhet të jetë për njerëzit që i ikin Shtetit Islamik apo regjimit të Bashar Al-Asadit në Siri.

Kur Merkeli foli në konventën e CDU në mesin e dhjetorit të shkuar, fjalimi i saj i ngjante realisht një predikimi. Ajo kujtoi arritjet e rëndësishme së CDU-së në të kaluarën, të tilla si ankorimin e Gjermanisë në Perëndim dhe bashkimin e vendit. Pastaj ajo paraqiti politikat e veta, si trashëgimtare e këtyre mrekullive të Kristiandemokratëve.

“Themelimi i CDU ishte në të vërtetë një ide e jashtëzakonshme. Një parti që e gjen themelin e saj tek Krishtërimi, në dinjitetin e dhënë nga Perëndia secilit individ. Kjo do të thotë se sot, ata që po vijnë tek ne nuk janë një masë njerëzish. Kjo do të thotë se ata janë individë”. Kur ajo e mbaroi fjalimin pas një ore, edhe dyshuesit dhe skeptikët e duartrokitën për plot 9 minuta.

Vetëm një pjesëtar i audiencës nuk dukej i impresionuar:Volfgang Shojble, ministri i Financave.

Vetëm pak ditë më parë, ai e kishte krahasuar kancelaren me një skiatore të ngathët, që  shkakton ortek në një shpat të pjerrët. Ishte një imazh, që i afrohet konfirmimit të atyre që e fajësojnë Merkelin për fluksin e refugjatëve që vijnë në Evropë. Në gazeta, ka pasur zëra se Shojble ishte i përgatitur të merrte përsipër drejtimin e qeverisë në vend të Merkelit, nëse është e nevojshme. Por a do të ishte hapi i duhur?

Konservatorët gjermanë, besojnë se vetëm Shojble do të jetë në gjendje të mbushë vakuumin që do të linte Merkel. Ai ka qenë shef i shtabit në kancelari, kur Merkeli ishte ende duke punuar si një shkencëtare në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë Lindore. Ai ka shërbyer edhe si ministër i brendshëm, kreu i CDU dhe udhëheqës i grupit të saj parlamentar. Tashmë, në moshën 73-vjeçare, ai mishëron shpresat e atyre që do të donin të shihnin pas Merkelit.

Shojble, beson se Merkel kishte të drejtë kur hapi kufijtë e Gjermanisë, për refugjatët e bllokuar në Hungari atë mbrëmje në fillim të shtatorit. Por ai do të donte të shihte prej saj një tregues, se Gjermania s’mund të vazhdojë të pranojë refugjatë pa kufizim. Në mes të shtatorit 2015, ai e inkurajoi Ministrin e Brendshëm Tomas de Maizier të kërkojë krijimin e një sistemi, ku Evropa të pranonte një numër të caktuar të refugjatësh. Por nuk do të kalonte shumë kohë kur zv.kancelari Sigmar Gabriel dhe zëdhënësi i Merkel, Stefën Sibert të distancoheshin nga propozimi i de Maizier, çka e zhgënjeu shumë Shojblen.

Vitet e fundit, ky i fundit ka krijuar rreth vetes atmosferën e një burri të moshuar shteti, por kur është fjala për politikën e brendshme, ai ishte prej kohësh një përfaqësues i vijës së ashpër. Ai beson se Merkel i kushton shumë pak vëmendje të ndjeshmërive të djathta. Por të ishte për të, do të kishte shkurtime drastike të përfitimeve për azil-kërkuesit.

Shojble ndërkaq ka përsosur artin e të luajturits së rolit të disidentit, pa u shfaqur haptazi në kundërshtim me kancelaren. Ai është besnik dhe një rebel në të njëjtën kohë – gjë që ndihmon në shpjegimin e popullaritetit të tij, dhe faktin se ai e ka tejkaluar edhe vetë Merkelin në sondazhet e opinionit publik.

Kur ai u pyet nga gazeta “Süddeutsche Zeitung”, pak ditë më parë nëse ai e ndjek Merkelin në krizës e refugjatëve nga bindja apo nga besnikëria, ai u përgjigj:”Ju nuk mund t’i bëni një pyetje të tillë një personi inteligjent”. Kjo ishte një tjetër fjali tipike e Shojbles, që mundëson disa interpretimeve të ndryshme. Nga të gjitha politikanë kryesorë në Berlin, është shefi i Financave ai që ka më shumë gjasa të luajë Brutin.

Por sa larg do të shkojë ai? Njerëzit pranë Merkelit, e ngushëllojnë veten me faktin se Shojble nuk ka rrezikuar as më herët ndonjë rebelim të hapur. Ai s’bëri asnjë përpjekje për të rrëzuar Helmut Kolin, kur kancelari nuk pranoi t’i hapë rrugën një brezi të ri politikanësh në CDU në vitet ‘90. Edhe kur Merkeli e mbajti Greqinë në eurozonë kundër vullnetit të tij, ai gjithashtu nuk u ndie.

Megjithatë, është e vështirë për Shojblen të pranojë pozitën e tij si numri dy në parti pas Merkelit. Tek e fundit, ishte ai që e promovoi Merkelin në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të CDU-së në vitin 1998, duke e zëvendësuar vetë atë si kryetar të partisë, pasi u fundos nga i njëjti skandal i dhuratave të majme që njollosi edhe trashëgiminë e Kolit.

Në analizë të fundit, çdo gjë varet nga CSU-ja e Horst Sihoferit me shokë. Kohët e fundit, ai ka lëshuar kërcënime të reja dhe ultimatume javore. Për të, përballja me Merkelin nuk është vetëm në lidhje me numrin e madh të refugjatëve, por për vetë të ardhmen e partisë. Sihofer ka një teori mbi gabimet në politikë:Problemet nuk janë pasojë e vendimeve të gabuara, por pamundësisë për t’i korrigjuar shpejt ato.

Pavarësisht momentit të saj delikat, Sihofer nuk mendon se Merkel synon në mëyrë të ndërgjegjshme të vërë pozitën e saj në rrezik. “Ajo është në një moshë kur nuk e dorëzon pushtetin me dëshirë. Ajo mund të gatuajë për burrin e saj si tani ashtu edhe më vonë, por politika është jeta e saj”- thotë Sihofer. Fillimi i fundit për çdo kancelar, thotë ai, është kur distanca me bazën e partisë fillon të rritet.

Helmut Shmid u rrëzua kur ra dakord të lejojë raketat bërthamore të NATO-s në Gjermaninë Perëndimore, vëren ai, dhe Gerhard Shrëder kur ndëpreu përfitimet e papunësisë dhe daljes në pension. Merkeli, thekson ai, është sigurisht në gjendje të korrigjojë gabimet e saj.

Ajo ka ende mundësi t’i kthehet pragmatizmit të saj të vjetër, dukë vënë në zbatim Plan B:kthimin mbrapsht të shumicës së refugjatëve në kufirin slloven. Kjo do të lejonte vazhdimin e udhëtimit pa kufij në zonën Shengen, por mijëra refugjatë do të mbeteshin të bllokuar në Ballkan apo në Greqi – dhe Gjermania do të kontribuonte që Evropa të tregonte fytyrën e saj të shëmtuar. “Unë do të ndjehesha tmerrësisht keq për të, nëse ajo do të ndodhet në një situatë ku do të detyrohet të braktisë bindjet dhe të kaluarën e saj”- thotë pastori Epelman.

Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button