Bota

Kërcënim me dhunë!

Screen Shot 2016-03-19 at 5.15.57 PM

Pas fitoreve të mëdha në zgjedhjet primare këtë javë, “pyetja nuk është më nëse Donald Trumpi mund të ndalet në marshimin e tij drejt kandidimit në emër të republikanëve”, shkruante këtë javë Karen Tumulty tek washingtonpost.com. Pyetja më jetike është “nëse do të jetë e mundur të përmbahet ajo që ai ka ‘ndërsyer’ në të gjithë vendin”. Kohët e fundit ka patur një përshkallëzim të fortë të incidenteve të dhunës dhe retorikës së ashpër në mitingjet e Trumpit, që e patën kulmin në pothuaj përleshjen mes mbështetësve të Trumpit dhe aktivistëve të “Jetët e zezakëve kanë rëndësi”, gjë që shkaktoi edhe anulimin në sekondat e fundit të një mitingu në Chicago. Po a mund të befasohesh nga këto?

Përtej sulmeve të tij të ashpër kundër imigrantëve, myslimanëve, kundërshtarëve të tij dhe medias, Trumpi ka nxitur rregullisht mbështetësit e tij që të “rrahin paq” protestuesit, duke premtuar madje të paguajë edhe shpenzimet ligjore për ata që arrestohen në sulme të tilla. Mbështetësit e tij janë dëgjuar të thërrasin “kthehuni mbrapsht në Afrikë”, si dhe epitete raciste dhe seksiste.

Trumpi “duket se mendon se kjo dallgë favorizuese do e shpjerë deri në pushtet”, shkruante Noah Rothman tek CommentaryMagazine.com, por shkrirja e vullnetshme në një, e fanatizmit, dhunës dhe populizmit është ‘një formulë për tirani’, me precedente të tmerrshme në histori. Nëse Trumpi vazhdon të shfrytëzojë këta pasione të shëmtuar, ne mund ta gjendemi duke u gremisur “në një humnerë të zezë”.

Të fajësosh Trumpin, “qoftë edhe pjesërisht”, për dhunën në mitingjet e tij “është marrëzi”, shkruante New York Post. Në çdo incident deri tani, nxitësit kanë qenë agjitatorët e majtë, që infiltrojnë në mitingjet e trumpit me qëllimin që t’i prishin. Këta janë të njëjtët radikalë të majtë të dhunshëm, që “ka dekada që kanë pllakosur në këtë vend”, që nga protestat kundër globalizimit në Seattle në vitin 1999, përmes lëvizjes “Occupy Wall Street”, e deri tek protestat e vitit që kaloi në Ferguson. Të gjithë kanë të drejtën e lirisë së fjalës, shkruante Marc Thiessen tek “The Washington Post”, dhe nëse ata që janë kundër Trumpit “do të zhvillonin protesta paqësore jashtë vendit ku zhvilloheshin mitingjet, nuk do të kish patur dhunë”. Fatkeqësisht, kjo nuk do ta kënaqte “instiktin totalitar të të majtës amerikane, për të qepur gojët dhe mos lejuar fjalën e lirë që aq shumë e urren”.

Trumpi nuk ka nxitur dhunë vetëm undër protestuesve, shkruante Eric Levitz në NYMag.com. Ai tani po kërcënon “të ndërsejë minion-ët e tij” në konventën e Partisë Republikane. Në një intervistë këtë javë, Trumpi tha se “mendoj që do të ndodhin gjëra të këqia”, nëse atij i mohohet kandidimi. “Mendoj se do të ketë përleshje”. Ky lloj diskursi nuk do e ndihmojë Trumpin të tërheqë të moderuarit dhe të pavarurit që i nevojiten për të fituar në nëntor, thoshte Ron Elving i NPR.org. Pothuaj tre në katër votues kanë shprehur dyshimin që Trumpi ka temperamentin e duhur për të qenë president. Sa më shumë që ai ndez bazën me kërcënime për të sulmuar kundërshtarët, aq më e vështirë do të jetë për të “që të shkojë përtej kësaj baze në zgjedhjet e përgjithshme”.

Mos prisni që Trumpi të ndryshojë kurs tani, shkruante Paul Waldman në prospect.org. Ai e ndërtoi fushatën e tij mbi zemërimin dhe frikën për imigrantët dhe myslimanët, por u bë vërtetë “helmues” për fansat, kur u dha atyre diçka më të fuqishme se sa çdo lloj propozimi politik: “lejën”. Nëse je ndjekës i Trumpit, tani ndihesh i lirë të shfrysh gjithë zemërimin, frustrimin dhe urrejtjen – edhe nëse merr formën e goditjes së të tjerëve apo grushtimit të tyre në fytyrë – pa patur frikë për pasojat. Krejt papritur, në atmosferë “nis e shfaqet ideja që zgjedhjet do të vendosen në rrugë”, shkruante Jonathan Chait tek NYMag.com. “Kjo është një ide e helmët, e rrezikshme edhe në doza shumë të vogla”./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button