Bota

Këta emra mund ta shembin Evropën!

screen-shot-2016-11-20-at-11-02-21-am

Gazetari Andrew Marr u detyrua të mbrojë vendimin e transmetimit të një interviste në BBC, me djathtisten franceze Marine Le Pen. Kritikët thanë se me këtë u fyen ata që ranë në luftë kundër fashizmit. Por, Marr u shpreh se Le Pen mund të jetë një nga sfidat më të mëdha të sigurisë perëndimore. Daily Mail ofron një pasqyrë të politikanëve të diskutueshëm evropianë, që në vitet e ardhshme mund të bëhen presidentë e ta tronditin Evropën, transmeton Telegrafi.

MARINE LE PEN (FRANCË): “Në rrethana të caktuara, mund të bëhet presidente e Francës. Këtë javë, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, tha se bota ka ndryshuar dhe se po vjen koha e saj”, ka thënë gazetari i BBC-së për Le Penin. Djathtistja franceze ia ka uruar fitoren Trumpit duke thënë se fitorja e saj në zgjedhjet presidenciale franceze do të jetë një hap tjetër në “revolucionin botëror”. E trimëruar nga Brexit-i, ka njoftuar se do të nis referendumin francez për të braktisur BE-në.

FRAUKE PETRY (GJERMANI): Politika e dyerve të hapura e kancelares gjermane Angela Merkel, ka ndikuar në rritjen e Alternativës për Gjermaninë, që udhëhiqet nga Frauke Petry, e që në anketa del si forca e tretë në vend. Plani i saj është për të ndaluar burkën dhe për të kufizuar numrin e azilkërkuesve në 200 mijë në vit. Petry – një nënë e katër fëmijëve – beson se Policia duhet të ketë të drejtë për të shtënë tek emigrantët në kufi, ndërsa beson se Islami s’është në përputhje me Kkushtetutën gjermane.

ANDREJ BABIS (ÇEKI): Partia e tij është në koalicionin në pushtet, e ai është kryeministër. U pasurua me gjigantin petrokimike Agrofer, ndërsa sot është njeriu i dytë më i pasur në Republikën Çeke. Me Trumpin e lidh qëndrimi ndaj imigrantëve, ndërsa shpreson të bëhet president i shtetit më 2017.

NORBERT HOFER (AUSTRI): Euroskeptiku Norbert Hofer vazhdon me tentimin e dytë për postin e presidentit austriak. Ai është mbështetës i politikave kundër emigrantëve, është shprehur se Islami nuk ka fend në Austri, ndërsa është kundërshtar i martesave të homoseksualëve, transmeton Telegrafi.

SIV JENSEN (NORVEGJI): Është lidere e Partisë Progresive Norvegjeze. Idhull e ka Margaret Thatcherin. Kundërshton islamizimin e Evropës, ndërsa është skeptike për marrëveshjet mbi ndryshimet klimatike, njëjtë si Donald Trumpi. Aktualisht është ministre e Financave, por shpreson në fuqi më të madhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

GEERT WILDERS (HOLANDË): Për shkak të një fjalimi të vitit 2014, në të cilin thotë se në vendin e tij ka shumë emigrantë nga Maroku, është në gjyq për nxitje të urrejtjes racore. Ky euroskeptik e ka krahasuar Kuranin me “Mein Kampfin” e Hitlerit. Nuk e mbështet ndërtimin e xhamive të reja, ndërsa dëshiron të mbyllen ato ekzistuese e të ndalohet Kurani.

BEPPE GRILLO (ITALI): Ka thënë se fitorja e Donald Trumpit në SHBA është “fundi i një epoke”. Grillo është ish-komedian dhe Lëvizja e tij e Pesë Yjeve është opozita kryesore në Itali. Ai thotë se lufton establishmentet partiake, kundërshton reformat e kryeministrit Matteo Renzi, ndërsa thotë se nëse bëhet president, Italia do të votojë për qëndrimin në eurozonë.

VOJISLLAV SHESHEL (SERBI): Është themeluesi i Partisë Radikale Serbe, ndërsa paralajmëroi kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të majit 2017. Radikalët e tij që dyshohen për krime lufte janë kundër integrimit evropian, janë prorusë, ndërsa në Parlament kanë 22 deputetë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Back to top button