Që nga themelimi i saj në vitin 2002 shoqëria bijë e Lufthansës u kthye në shpresën e koncernit. Qëllimi: Me leverdi për të triumfuar ndaj konkurrencës. Por bilanci i suksesit u errësua nga rrëzimi i avionit në Francë
Realisht Germanwings u themelua si shoqëri fluturimi bijë e Euroëings AG në vitin 1997. Selia që në fillim ndodhej në Köln, ndërsa Lufthansa mbajti një tretën e aksioneve të saj.
Pesë vite më vonë shoqëria Eurowings GmbH u kthye ne Germanwings GmbH. Me pesë avionë të tipit Airbus A3190-100 kjo shoqëri filloi të fluturojë drejt destinacioneve të reja turistike nga aeroporti i Köln-Bonn-it. Fillimisht filozofia e firmës së re bazohej në konceptin “Pa lukse” – pra në emër të çmimeve të leverdisshme të fluturimit duhej hequr dorë nga shërbimet ekstra pa kosto për pasagjerët. Më vonë u afruan tarifa me më shumë komfort dhe u shtua numri i aeroporteve ku aderonin avionët e shoqërisë së re.
Nga viti 2009 Germanwings ka kaluar plotësisht tek Lufthansa. Në kuadër të konkurrencës së ashpër në tregun e shoqërive që fitojnë terren me biletat e lira, Germanwings u bë gjithnjë e më e rëndësishme per Lufthansën. Christoph Franz, në vitin 2011 ende kryetari i bordit të Lufthansës e deklaroi si punë të tijën forcimin e shoqërisë bijë. Kritikët e akuzuan se me forcimin e Germanwings ai po dobëson markën e njohur Lufthansa. “Nuk vlen asgjë nëse ofrojmë një produkt me cilësi të lartë në treg, por që klienti nuk do ta blejë”, kundërshtoi Franz.
Pasuesi i Franz, Carsten Spohr vazhdon të ndjekë kursin e paraardhësit edhe më radikalisht. Si pasojë shumë destinacione të Lufthansës i kanë kaluar Germanwings, dhe sipas Spohr nga viti 2015 shoqëria e fluturimit do të ketë një bilanc pozitiv.
Germanwings do të zhduket në vitin 2015
Por nuk do ta zgjasë shumë dhe emri i njohur Germanwings do të fshihet nga Lufthansa. Carsten Spohr bëri të ditur në fund të vitit 2014 se është duke u planifikuar zgjerimi i markës Eurowings në kontekstin e zgjerimit të ofertave të leverdisshme. “Germanwings ishte e suksesshme, por për arsye kostosh ne do të kalojmë tek Eurowings”, tha Spohr. Nga ana tjetër kjo markë ka shanse të futet më shumë në tregjet europiane.
Shoqëria e re bijë e Lufthansës do të fluturojë edhe destinacione në Amerikë, në rajonet e Oqeanit Indian dhe Afrikë. Çmimi do të mund të jetë 40% më i lirë se tek Lufthansa. që të arrihen këto çmime parashihet të kursehet tek personeli, sepse personeli i shoqërisë Eurowings nuk ka të njëjtat tarifa si Lufthansa.
Ky plan nuk është mirëpritur nga sindikatat dhe është një ndër arsyet e grevave të shpeshta tek Lufthansa dhe Germanwings. Shoqëria bijë e Lufthansës që do të shndërrohet së shpejti në Eurowings është aktualisht pas Lufthansës dhe Air Berlin, shoqëria e tretë më e madhe e fluturimit në Gjermani. Ajo ka një kapacitet prej 85 avionësh dhe punëson më shumë 2000 punonjës. /DW/