Kina dhe Evropa po kërkojnë të ndërtojnë një stacion qendror njerëzor në Hënë. Përfaqësuesit e agjencive hapësinore kineze dhe evropiane kanë diskutuar bashkëpunimin për një bazë në Hënë, si dhe përpjekje të tjera të mundshme të përbashkëta, sipas zëdhënësve dhe raporteve të mediave.
Puna u zbulua fillimisht nga Tian Yulong, sekretari i përgjithshëm i agjencisë kozmike të Kinës, i cili u dha informacione mediave shtetërore kineze rreth bisedimeve. Pal Hvistendahl, një zëdhënës i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, konfirmoi diskutimet. “Kinezët kanë një program shumë ambicioz për Hënën tashmë”, tha z. Hvistendahl. “Hapësira ka ndryshuar që nga gara hapësinore e viteve gjashtëdhjetë. Ne e pranojmë se për të eksploruar hapësirën për qëllime paqësore, kemi nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar”.
Johann-Dietrich Vörner, drejtori i përgjithshëm i ESA-s prej 22 anëtarësh, e përshkroi propozimin e tij për një “Fshat në Hënë” si një pedanë të mundshme ndërkombëtare, për nisjen e misioneve të ardhshme në Marsi, apo edhe si një shans për të zhvilluar turizmin hapësinor.
Kina ka ardhur relativisht vonë në udhëtimet në hapësirë, por e ka fuqizuar programin e saj që nga fluturimi i parë në hapësirë më 2003, më shumë se 42 vjet pasi një kozmonaut sovjetik u bë i pari që arrinte orbitën. /bota.al