Analiza

Kinë, kthimi i ideologjisë

Më 30 janar ministri Yuan Guiren justifikoi ndalimin e bërë universiteteve që të përhapin në gjirin e tyre “vlerat perëndimore”. Një profesor i së Drejtës në Universitetin e Pekinit guxon të shtrojë tre pyetje

Shen Kui

Weixin Zhi Chuang

kthimiNdërkohë që pleniumi i katërt i Kongresit të XVIII të Partisë komuniste kineze predikoi një drejtim të vendit në respektim të Kushtetutës dhe ligjeve, fjalimi që ju mbajtët më 29 janar të lë të hutuar. A më lejoni t’ju bëj tre pyetje?

Së pari, si i dalloni vlerat e quajtura “perëndimore” dhe vlerat e quajtura “kineze”? Siç e din secili, fantazma e komunizmit, e cila filloi të endet pothuaj qysh prej dy shekujsh në Evropë përshkoi detet dhe oqeanet para se të mbërrinte në Kinë, duke lindur Partinë Komuniste Kineze. Kushtetuta kineze aktuale shprehet se duhet të qëndrosh i lidhur me markzismin dhe të edukosh sipas parimeve të internacionalizmit, të komunizmit, të materializmit dialektik dhe materializmit historik. Të gjithë parimet e kanë marrë burimin e tyre në Perëndim para se të shtrinin ndikimin e tyre në Kinë. Numri i rasteve kur Lindja ndoqi shkollën e Perëndimit është i pallogaritshëm, a mundet ju, zoti ministër Yuan, të keni dashamirësinë të më tregoni ku gjindet vija ndarëse midis vlerave “perëndimore” dhe vlerave “kineze”?

Së dyti , si t’i dallojmë nga ana tjetër “sulmet dhe shpifjet kundër udhëheqësve të Partisë dhe shpifjet kundë socializmit” [veprime tashmë të ndaluara] të një “reflektimi në momente hutimi të Partisë dhe zhvillimin e realiteteve pak të shkëlqyera” [gjithmonë të rekomanduara]? Asnjë parti politike nuk mund të pretendojë se asnjëherë nuk ka kryer gabime, as dhe që nuk do të kryejë; asnjë shoqëri që e quan veten e saj “socialiste” apo “kapitaliste” nuk mundet më të pretendojë të jetë me një bardhësi të papërlyer. A mundet ju zoti ministër, të keni dashmirësinë të më jepni kriteret që lejojnë të bëhet dallimi midis  “sulmeve” dhe “reflektimeve”, “shpifjeve” dhe “zbulimeve të fakteve”?

Së treti, si i lejohet ministrisë së Arsimit, që ju drejtoni, të zbatojë vijën [e Partisë] që promovon një drejtim në respektim të Kushtetutës dhe ligjit? Nëqoftëse ju keni një përgjigje të qartë dhe të thjeshtë për t’i dhënë dy pyetjeve të mia të para, unë ju ftoj të formuloni sërisht në kohë e duhur diskurin tuaj. Në rast të kundërt unë ju ftoj të jepni prova maturie. Sepse ministria e Arsimit që ju drejtoni përgjigjet drejtpërdrejtë për “nivelin shkencor dhe kulturor të gjithë popullsisë (e zhvilluar nga shteti, sipas nenit 19 të Kushtetutës), për “zhvillimin e shkencave natyrore dhe sociale” (neni 20), për “lirinë e qytetarëve për t’u marrë me kërkim shkencor, krijimin letrar dhe artistik, si dhe aktivitete të tjera kulturore” (e garantuar nga neni 47). Me një fjalë, është e lidhur drejtpërdrejtë me ripërtëritjen e popullit kinez. Nëqoftëse ju shpreheni kaq kollaj për atë që mund ose nuk mund të bëhet, ju rrezikoni fort, në një moment pavëmendje, që të shkelni Kushtetutën dhe ligjet.

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button