Covid19 lajme nga botaMAIN

Koha për doktorin! Dimri i gjatë që e pret Evropën

Bloomberg

Spitalet e Evropës përsëri po shkojnë përtej limiteve, ndërsa kontinenti po bëhet epiqendra e rikthimit të virusit të frikshëm.

Por gjatë kësaj përballje të fundit, frika më e madhe nuk është mungesa e respiratorëve apo pajisjeve mbrojtëse në spitale, por një mungesë potencialisht më e rëndë: personeli i trajnuar mjekësor. Ndërsa problemi shfaqet më i mprehtë në vendet më të goditura si Republika Çeke dhe Belgjika, madje edhe në ato që mendohet se po e trajtojnë më mirë krizën, si Gjermania, shqetësimi po rritet për atë, nëse mjekët do të jenë përsëri në gjendje të përballojnë infeksionet në rritje eksponenciale.

Më shumë se 5 milion Evropianë janë infektuar dhe mbi 200,000 kanë vdekur. Gjermania dhe Republika Çeke shënuan një numër rekord të rasteve të reja të enjten, një ditë pasi Italia pati gjithashtu numrin më të madh në një ditë të vetme, që nga fillimi i pandemisë. Spanja u bë shteti i parë i Evropës Perëndimore që arriti në 1 milion infeksione.

Në Pragë, ushtria po krijon një spital fushor. Në Belgjikë, qendra e shumë institucioneve kryesore të Evropës, autoritetet po mendojnë të rekrutojnë stafe restorantesh që kanë ngelur pa punë, pensionistë dhe madje edhe refugjatë, për të plotësuar boshllëqet e personelit. Po duket gjithnjë e më e vështirë për vendet në të gjithë bllokun, që të frenohen dhe të mos vendosin izolime të reja.

Situata nuk është aq e rëndë kudo. Mbretëria e Bashkuar ka të ashtuquajturit spitale bilbilë, të projektuar për të përballuar një rritje të beftë të pacientëve me Covid-19, por atyre nuk iu desh të përballen me numrat e parashikuar gjatë valës së kaluar. Shanset që një i sëmurë rëndë të mbijetojë të paktën 28 ditë janë rritur deri 72% për ata që janë shtruar që nga shtatori, krahasuar me 61% që ishin më parë, sipas një raporti të Qendrës Kërkimore mbi Kujdesin Intensiv.

Por, e sigurtë është që Evropën e pret një dimër i gjatë. / Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close