Analiza

KOMENT / Alibia e vendit tim, që godet pa derdhur lot

AlibiaNjë herë e një kohë, qëllohej duke derdhur lot, këndonte Si Heyman. Sot vrasim dhe justifikohemi

DON FUTTERMAN*

Kam ndjekur 18 ditët e para të kësaj lufte të përgjakshme nga antipodet, në Australi. Në hemisferën tjetër. Duke qenë larg prej paragjykimeve të opinionit publik botëror, dhe të çliruar nga kufizimet për t’u treguar të gjithëve me çdo kusht superioritetin e tyre moral, australianët reaguan si njerëz normalë, që ashtu si gjithësecili prej nesh kanë arsye dhe ndjenja: askush nuk duhet të jetojë nën tmerrin që të shohë të rrëmbehen dhe të vriten djemtë e tij; asnjë civil nuk duhet të durojë çdo ditë një shi raketash; asnjë qeveri nuk duhet të tolerojë një gjendje të tillë, pa reaguar; dhe asnjë ushtri nuk ka të drejtën të masakrojë familje të tëra dhe qindra civilë, në përpjekjen për të eleminuar militantët armiq. Televizionet australianë kanë dërguar gazetarët e tyre në Gazë dhe në Jeruzalem, dhe me vijimësinë e pamjeve të fëmijëve të vdekur dhe gjymtuar nga bombat, ndjenja popullore ka marrë një tjetër kthesë. Lavjerrësi ka kaluar tashmë nga një mbështetje e vendosur për izraelin, në një neveri për kasaphanën në Gazë.
Pikërisht ndërkohë që numri i të vdekurve në Gazë arrinte 300, një avion i Malaysia Airlines, i drejtuar për në Australi, u rrëzua me një raketë në Ukrainë. Për një moment, mes surreales dhe shqetësimit, dy lajmet kaluan njëri-tjetrin, secili me nga treqind të vdekur. Ndërkohë që australianët reagonin me zemërim dhe lebeti ndaj vdekjes absurde të bashkëkombësve të tyre, Gaza përfundoi në radhë të dytë, larg prej faqeve të para, duke u shndërruar në thjeshtë një lajm kalimtar. Ndërkohë, në Gazë, numri 300 po lihej pas. Kur u ktheva në shtëpi, u zhyta sërish në atë kombinim të çuditshëm ankthi dhe qetësie, trishtimi dhe përhumbjeje, sirenash dhe funeralesh.
Një herë e një kohë, qëllohej duke derdhur lot, këndonte Si Heyman. Sot vrasim dhe justifikohemi. Kemi të gjithë të drejtën. Hamasi qeveris Gazën, por orienton financime të mëdha për ndërtimin e tuneleve dhe blerjen e raketave për të goditur izraelitët. Izraeli, si pasojë, nuk ka zgjedhje tjetër përveçse të bëjë gjithçka që ka në dorë për të asgjësuar militantët e Hamasit: vazhdojnë të na sulmojnë, por Izraeli refuzon të lejojë të terrorizohet dhe duke parë që bëhet fjalë për një luftë në të gjithë fushën, dhe jo një ndeshje futbolli, ne nuk na interesojnë përplasjet e barabarta dhe as reagimet e matur.
E megjithatë, nuk ka nevojë për një ekspert ushtarak, për të kuptuar që nuk po bëjmë gjithçka që duhet të bëjmë për të shmangur sulmet ndaj civilëve në Gazë. Në këtë moment, Izraeli vepron sipas një strategjie të re morale, që i jep dritë jeshile edhe në rast “dëmesh anësorë”, duke i lejuar vetes të asgjësojë të gjithë palestinezët që gjenden në vijën e zjarrit mes nesh dhe militantëve të Hamasit. Kemi vendosur të shkaktojmë vdekje dhe shkatërrim për popullsinë e Gazës dhe t’ia vëmë fajin armikut për brutalitetin tonë. Dhe duke qenë se një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës përbëhet nga minorenë, kjo do të thotë që shteti hebre po masakron një numër të madh fëmijësh. Eshtë një llogari skandaloze dhe vdekjeprurëse, dhe ne nuk do të dalim nga kjo luftë me ndërgjegjen e pastër.
Për shumë izraelitë, numri i të vdekurve palestinezë nuk përbën asnjë problem, përveçse një menaxhim imazhi: Hamasi na detyron të masakrojmë civilët, bashkë me fëmijët, sepse i përdor si mburoja njerëzore, duke u përpjekur që të dëmtojë reputacionin e Izraelit, duke na sfiduar të godasim arsenalët e tyre ushtarakë, të fshehur në shkolla dhe spitale. Sado që do të preferonin të shmangnin vrasjen e civilëve, ushtarët tanë jemi ne – të afërmit dhe miqtë tanë – dhe detyra e parë e ushtrisë izraelite është të bëjë të pamundurën për të minimizuar humbjet tona. E megjithatë, pjesa më e madhe e hebrenjve izraelitë që unë njoh e ka shumë të vështirë të pranojë këtë realitet, dhe në mënyrë sporadike rindizen ndjenja simpatie për të vdekurit pa fytyrë dhe pa emër të armikut, ndonëse jo aq fort sa për të kërkuar fundin e luftimeve për motive të pastër moralë.
Fakti është që nuk e dimë nëse ekziston një tjetër mënyrë për të vazhduar luftën kundër Hamasit, ndonëse pranojmë mizorinë e këtyre vdekjeve. Nuk mendoj se do të jemi ndonjëherë në gjendje të rrëfejmë llogarinë tonë të vërtetë morale. Sigurisht nuk do ta bëjmë tani, teksa rendim drejt strehimeve për t’u shpëtuar raketave, ndërsa numërojmë të rënët tanë, ndërkohë që cilido që guxon të shprehë mbështetjen për palestinezët sulmohet nga politikanët dhe medita sociale. Në luftë, ligjin e bën nacionalizmi.
Por kur të ketë përfunduar gjithçka, do të kujtojmë momentin para acarimit: pafuqinë e presidentit palestinez Abu Mazen, instrumentalizimin nga ana e qeverisë izraelite të rrëmbimit dhe vrasjes së tre adoleshentëve hebrenj si pretekst për të sulmuar Hamasin në Cisjordani, pasitivitetin e kryeministrit tonë, ndërkohë që hebrenjtë ndiqnin arabët në Jeruzalem, që protestonin për hakmarrjen në dëm të një djaloshi të pafajshëm palestinez, i rrëmbyer dhe vrarë edhe ai.
Hamasi nuk ka asgjë për t’i ofruar popullit palestinez, përveç strategjisë së tij dështake të rezistencës me dhunë. Krenaria me të cilën sfidon Izraelin është lavdia e humbësve, që mbahet vetëm për të lartësuar mitin e dëshpëruar të një lufte drejt fundit të hidhur. Nëse palestinezët duan të rikthejnë një rreze shprese në Gazë, duhet të largojnë Hamasin. Por nëse ne duam diçka më të mirë se sa situata e para konfliktit, edhe ne do të kemi nevojë për udhëheqës me një tjetër vizion. /Haaretz/
* Opinionist dhe Drejtor i Moriah Fund, fondacion për demokracinë dhe shoqërinë civile
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button