Bota

Koment: Franca shpëton edhe njëherë…

lepen

Në Francë aleancat zgjedhore të konservatorëve me socialistët penguan edhe njëherë fitoren e ekstremistëve të djathtë, Frontit Nacional. Por sa herë do t’i shpëtojnë këto aleanca dy partitë e vjetra?

Fitorja e vërtetë ka tjetër pamje. Edhe nëse receta e vjetër e koalicioneve të socialistëve me konservatorët sërish dha efekt për të penguar ngjitjen e Frontit Nacional. Në të dy bastionet e tyre në veri dhe jug fituan kandidatët konservatorë duke ia marrë kështu Marine Le Pen një fitore që dukej gati e sigurtë. Me të drejtë të dy fituesit u shprehën me modesti dhe kujdes.

Partia konservatore dhe ajo socialiste pa koncept

Edhe në raundin e dytë të dy kandidatet popullore të Frontit Nacional arritën 40% të votave. Triumfin e tyre e pengoi vetëm një karakteristikë e kodit zgjedhor francez, ajo lejon në balotazh aleanca kundër një kundërshtari të përbashkët. Por ky nuk është një koncept politik që mund të vazhdojë pa fund.

Që nga dueli mes Jean-Marie Le Pen dhe Jaques Chirac në zgjedhjet presidenciale 2002, vajza e politikanit, Marine Le Pen e ka nxjerrë partinë nga demonizimi dhe e ka ndihmuar të rrisë elektoratin. Pas këtyre zgjedhjeve rajonale është e qartë se në Francë është ngritur një sistem tre partiak. Socialistët si konservatorët e shohin suksesin e Le Pen kaq të shokuar si një lepur gjarprin. Të vjen t’u thërrasësh: Ngrihuni dhe luftoni për konceptin tuaj politik! Sepse tani dihet që Fronti Nacional nuk është një fenomen i përkohshëm.

Pakënaqësia ndaj politikës elitare dhe tëhuajëzimi

Suksesi i ekstremistëve të djathtë bazohet në një populizëm pa kufi. Po ashtu Fronti Nacional di si të apelojë tek ndjenjat e njerëzve të thjeshtë të provincës franceze. Ata ndjehen të braktisur nga elitat pariziane, fjala e tyre nuk dëgjohet. Me këtë kanë të drejtë. Më shumë se kaq: Ata që marrin diplomat e shkollave elitare, baza e funksionarëve të partive të vjetra, e shikojnë popullin nga lart poshtë. Tëhuajëzim mes qeveritarëve dhe qytetarëve.

Ky është terreni ku lulëzon Fronti Nacional. Suksesi i tyre nuk ka të bëjë vetëm me papunësinë, por me ndjesinë e të qenurit i braktisur dhe pa zë. Përveç kësaj ekstremistët e djathtë bëjnë për vete ata që kanë humbur nga modernizimi, një fenomen që vihet re edhe në vende të tjera në Europë. Dhe për shkak të përçarjes së madhe sociale, slloganet e kombit dhe identitetit, “Franca – francezëve” zënë vend tek ata që ndjehen jo vetëm nga jashtë të rrezikuar, por edhe nga të huajt.

Luftë ideologjike kundër Frontit Nacional e pashmangshme

Koha e duhur për partitë e konsoliduara qytetare më në fund të dalin nga kozmosi i Parisit dhe të dëgjojnë shqetësimet e njerëzve të thjeshtë në qytetet e vogla franceze. Nga ana tjetër ato duhet të dalin në një përballje ideologjike me Frontin Nacional. Nuk mund të pështirosesh vetëm nga demagogët e tyre dhe kthesh kokën mënjanë.

Më keq është përpjeka e Nicolas Sarkozysë të parakalojë djathtas ekstremistët e Frontit Nacional. Kjo nuk ka sjellë ndonjëherë sukses. Pse duhet zgjedhësit të votojnë kopjen, kur kanë përpara origjinalin? Në vend të kësaj socialistët dhe konservatorët duhet të ballafaqohen me ideologjinë antieuropiane, nacionaliste dhe armiqësore kundër të huajve të Frontit Nacional. Edhe këtë herë Franca shpëtoi. Ëndrra e Marine Le Pen për të hyrë në Pallatin Elysee është shtyrë tutje. Por në bazë partia e saj është e fortë. Një arsye më shumë t’i bësh një thirrje politikës franceze: Kthehuni në bazë.

Linku: Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button