Analiza

KOMENT / Përse Putini nuk e respekton Perëndimin

obama-putin-betterThomas L. Friedman

Ashtu sikurse mbulimin e lajmeve të politikës e kemi kthyer në sport, të njëjtën gjë po bëjmë edhe me gjeopolitikën. Shumë marrëzira po shkruhen, për mënyrën se si Vladimir Putini tregoi se është “më i fortë” se Barak Obama, dhe se si tani, Barak Obama duhet të tregojë burrërinë e tij. Kështu tërhiqen fuqitë e mëdha në politikën e tribuve të vogla, dhe shkojnë drejt luftërave të mëdha, përfundimi i të cilave është i keq për të gjithë. Ne e ekzagjerojmë shumë forcën e Putinit – të njëjtën gjë bën dhe ai vetë – dhe e nënvlerësojmë shumë forcën tonë, si dhe aftësinë për ta dobësuar përmes mjeteve joushtarakë.

Fillojmë me Putinin. Cdokush që beson, sic ka thënë Putini, se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike” e shekullit 20, është i zhytur në një fantazi të rrezikshme që nuk mund të përfundojë mirë për të, apo për popullin e tij. Bashkimi Sovjetik mori fund sepse komunizmi nuk mund të siguronte rritje të standartit të jetesës, dhe kolapsi i tij në fakt lëshoi energji të pafundme njerëzore në të gjithë Europën Lindore dhe në Rusi. Një Putin i mencur, do ta kishte “riprojektuar” Rusinë në një mënyrë të tillë që të shfrytëzonte këtë energji dhe talent njerëzor.  Ai do të ishte duke u përpjekur sot, për të futur Rusinë në Bashkimin Europian, dhe jo për të nxjerrë jashtë tij Ukrainën. Por nuk është i tillë Putini, dhe asnjëherë nuk do të jetë. Ai është fajtor për fanatizmin e butë të pritshmërive të ulëta mes qytetarëve të tij, dhe preferon ta kthejë Rusinë në një petro-shtet të udhëhequr prej mafias.

Kështu, tani Putini po lufton kundër natyrës njerëzore mes të rinjve rusë dhe atyre në vendet fqinjë – të cilët duan më shumë BE dhe më pak putinizëm. Për ta thënë me terma të tregut, Putini është shumë naftë dhe pak histori. Ai ka pasuruar vazhdimisht vetveten dhe e ka bërë Rusinë gjithnjë e më të varur nga burimet energjetike, në vend të atyre njerëzore. Historia nuk do të jetë e këndshme me të – sidomos nëse cmimet e energjisë do të pësojnë rënie.

Kështu që, le t’ia kursejmë vetes përrallën “Putini përplasi përtokë Obamën”. Kjo nuk është mundje. Fakti që Putini ka marrë Krimenë, një zonë rusisht-folëse e Ukrainës, dikur pjesë e Rusisë, dhe ku shumë qytetarë preferojnë të jenë pjesë e Rusisë dhe ku Rusia ka një bazë të madhe detare, nuk është njësoj sikur të ketë marrë Poloninë. Unë i mbështes sanksionet ekonomike dhe diplomatike për të ndëshkuar Rusinë për shkeljen e normave ndërkombëtare, si dhe faktin që duhet bërë e qartë që më shumë sanksione, qoftë edhe ndihmë ushtarake për Kievin, do të ofrohet për të mos lejuar që Putini të kafshojë dicka më shumë nga Ukraina. Por ne nuk duhet të harrojmë se ajo qoshe e botës do të jetë gjithmonë shumë më e rëndësishme për Putinin se sa për ne, dhe duhet të frenohemi e të mos bëjmë kërcënime për gjëra që pastaj nuk i realizojmë dot.

Ai që më shqetëson mua për Krimenë, është fakti se Putinizmi dikur ishte një rrezik vetëm për Rusinë, ndërkohë që tani po bëhet rrezik për stabilitetin global. Unë isha kundër zgjerimit të NATO-s në drejtim të Rusisa pas Luftës së Ftohtë, atëherë kur Rusia ishte më demokratike dhe më pak kërcënuese. Mbetet një prej gjërave më të marra që ne kemi bërë dhe, sigurisht, ka krijuar shtratin për ngjitjen e Putinit.

Për një kohë të gjatë, Putini ka shfrytëzuar poshtërimin dhe qasjet antiperëndimore që zgjerimi i nATO-s shkaktoi në vendin e tij, për të fituar popullaritet, por kjo duket se është bërë kaq themelore në politikën e tij të brendshme, saqë e ka mbërthyer atë vetë në një “lojë me shumën zero” me Perëndimin. Kjo e bën të vështirë të kuptojmë se si mund të bashkëpunojmë me të për zona më problematike të globit, si Siria apo Irani. Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad po shfaq një sjellje monstruoze, genocidale, e cila gjithashtu rrezikon stabilitetin e Lindjes së Mesme. Por Putini qëndron në krah të tij. Të paktën gjysma e popullit të Ukrainës dëshirojnë të jenë pjesë e Europës, por këtë dëshirë të kuptueshme ai e trajtoi si një komplot të NATO-s, dhe menjëherë preferoi forcën.

Unë nuk dua të shkoj në luftë me Putinin, por është koha që të ekspozojmë dobësinë e tij të vërtetë dhe pikën tonë të fortë. Por, kjo kërkon një strategji afatgjatë – jo vetëm shpërthime zemërimi në takimet me mediat. Kërkon të vësh në shënjestër dy kolonat e forta të regjimit të tij: naftën dhe gazin. Ashtu sikurse tepria e naftës e viteve tetëdhjetë, e organizuar pjesërisht nga sauditët, i uli cmimet e naftës në një nivel të tillë, që nihmoi në kolapsin e komunizmit sovjetik, ne mund të bëjmë të njëjtën gjë sot ndaj Putinizmit, duke nisur zbatimi e politikave afatgjata. Kjo bëhet duke investuar në impiante që lëngëzojnë tepricën e gazit natyror që kemi, dhe ta bëjmë Europën, e cila importon 30 përqind të gazit nga Rusia, më shumë të varur prej nesh.  Unë gjithashtu do të rrisja taksën e benzinës, do të vendosja një taksë për dioksidin e karbonit, si dhe një standart kombtar për portofolin e energjive të rinovueshme – gjëra që, të gjitha do të ndihmonin për të ulur cmimin global të naftës (dhe do na bënte ne më të fortë, me ajër më të pastër, më pak varësi nga nafta dhe më shumë inovacion).

Doni të trembni Putinin? Thjeshtë shpallni këta hapa. Por ju e dini se si ndodh, të fortët në Uashington që duan të shënjestrojnë Putinin, preferojnë më mirë të pyesin 1 përqind të amerikanëve – ushtrinë dhe familjet e tyre – që të bëjnë sakrificën finale, se sa të na kërkojnë të gjithë ne të tjerëve që të bëjmë një sakrificë të vogël në formën e rritjes së vogël të cmimeve të energjisë. Ata, të fortët që nxjerrin gjoksin në Kongres, por që marrin kodrën me vrap kur u kërkojmë një rritje me 10 përqind të taksës mbi benzinën, gjë që do të na e rriste hapësirën e manovrimit, ata nuk do të ngrihen asnjëherë në nivelin e kësaj sfide. Ne do të bëjmë gjithcka për të nxjerrë zbuluar dobësinë e Putinit, cdo gjë që nuk është e vështirë. Dhe ju pyesni ende përse Putini nuk na përfill?

NYT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close