Analiza

KOMENT / Rreziqet e “demokracisë proceduriale”

Eldar Sarajlic *

Mungesa e një demokracie gjithëpërfshirëse, prej shumë vitesh tashmë, ka nxjerrë në protestë qytetarët në shumë vende në Bashkimin Europian, Lindjen e Mesme, e madje edhe në Shtetet e Bashkuara

bosnjaTrazirat e fundit në Bosnje kanë shfaqur edhe një herë hapur një dilemë të kahershme mbi demokracinë: a është demokracia procedurale, apo substanciale? Me fjalë të tjera, a janë procedurat e kërkuara prej standarteve themelorë demokratikë, si barazia politike, liria e fjalës dhe zgjedhjet e lira, të mjaftueshme për demokracinë? A ka rëndësi rezultati që arrihet përmes procedurave demokratike? A është demokracia cështje e një mënyre të caktuar të të bërit politikë, apo cështje e një brendie të caktuar të vendim-marrjes demokratike?

Filozofëve politikë u pëlqen të thonë që demokracinë nuk e bëjnë vetëm procedurat. Vendimet e marrë prej qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike do të jenë të ligjshëm vetëm nëse reflektojnë disa parime, që burojnë prej brendisë konceptuale të demokracisë. Megjithatë, kuptimi procedurial i demokracisë merret shpesh si një standart dominues, për gjykimin e vlerave dhe vlerësimet politikë. Shpesh, është më e lehtë të shohësh procedurat institucionale se sa të gjykosh rezultatet e tyre, të cilët shpesh herë janë të paqartë, ose kompleksë. Por a është kjo një mënyrë e mërë për të dhënë gjykime mbi demokracinë? Një përgjigje mund të gjendet, nëse i shohim në këtë dritë, ngjarjet e fundit në Bosnje.

Me standarte procedurialë, Bosnje dhe Hercegovina është një shtet demokratik. Institucionet popullohen përmes zgjedhjeve të lira. Ka liri të mendimit, dhe qytetarët janë të barabartë mes tyre. Nuk ka dhunë të dukshme të institucioneve kundër qytetarëve të vet, ka shumë pak (nëse ka) të burgosur politikë, dhe shumica e qytetarëve janë të lirë ta jetojnë jetën si të dëshirojnë. Problemi më i madh procedurial i demokracisë boshnjake është përjashtimi i pakicave nga përfaqësimi politik: grupet e tjerë, përvec tre etnive kryesore (boshnjakë, kroatë dhe serbë), si për shembull hebrenjtë apo romët, nuk kanë përfaqësuesit e tyre në institucione. Pas një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të vitit 2009, sipas të cilit institucionet boshnjakë duket të korrigjojnë shkeljen e të drejtave të njeriut, politikanët kanë zhvilluar negociata konstante, ndonëse deri tani të pasuksesshme, për ndryshimin e kësaj mase proceduriale.

Megjithatë, brendia e demokracisë boshnjake është thellësisht problematike: elita politike është e korruptuar dhe e papërgjegjshme. Përfaqësuesit e zgjedhur as nuk duan t’ia dinë për nevojat e qytetarëve. Ka një nivel tronditës të pabarazisë, shkaktuar më së shumti prej politikave të varfëra publike si dhe aparatit gjigand burokratik. Rezultatet e procedurave politike janë të padrejtë, zakonisht prej tyre përfitojnë grupe të vegjël politikanësh dhe miqtë e tyre, por jo qytetarët.

Mungesa e një demokracie gjithëpërfshirëse ka qenë shkaku që nxorri protestuesit në rrugë dy javë më parë. Ata nuk kundërshtonin mënyrën se si zbatohet demokracia boshnjake nga pikëpamja proceduriale, por mënyrën se si merren vendimet nga zyrtarët e zgjedhur. Ata kërkonin më shumë ndershmëri dhe drejtësi sociale. Donin rezultate më të mirë demokratikë.

Mund të pyesësh, si ka mundësi që zgjodhën rrugën, në vend të kutive të votimit? Zgjedhjet e përgjithshme janë shumë pranë, do të mbahen në tetor të këtij viti. Përgjigja është shumë e thjeshtë. Demokracia proceduriale në Bosnje varet prej mbizotërimit të nacionalizmit etnik. Partitë kryesore politike u bëjnë apel ndjenjave etnike të shumicës së popullsisë, dhe i fitojnë votat përmes taktikave të frikës dhe shfrytëzimit të kujtimeve të luftës, si dhe narrativave të mbushura me antagonizëm.

Në vend të cështjeve themelore të politikave publike, fushatat elektorale fokusohen në betejën për pushtet mes tre etno-nacionalizmave. Rezultati i cdo palë zgjedhjeve, qëkurse Bosnja fitoi pavarësinë në fillimin e viteve nëntëdhjetë ka qenë i njëjtë: sundimi i partive etnike dhe dominimi i kategorive etnike në politikë. Edhe partitë joetnike, si SDP, shpesh herë joshen prej kartës së etnisë. Shqetësimi kryesor i politikës boshnjake është shpërndarja e pushtetit institucional mes grupeve etnikë.

Qytetarët boshnjakë që dëshironin ndryshimin, nuk kishin zgjedhje tjetër, përvecse të dilnin në rrugë dhe të kërkonin një demokraci me brendi më të mirë, për arsye se procedurat nuk i lejonin që të ndryshonin natyrën e ligjëratës politike, drejt një tjetër teme. Në një sistem të ngopur me kategori etnike, në të cilin përfaqësuesit e zgjedhur nuk japin llogari përpara atyre që i kanë zgjedhur, nuk ka mënyrë tjetër për të shprehur shqetësimin dhe për të luftuar për barazi, drejtësi dhe ndershmëri. Nuk ka platforma për debate mbi politikëbërjen e përgjegjshme (dhe jo etnike).

Nga ana tjetër, edhe demokracia substanciale, sic thonë shumë politologë, nuk mjafton. Nuk mund të sjellësh demokraci përmes metodave jodemokratike. Edhe procedurat kanë rëndësi.

Vrulli i parë i protestave në Bosnje anoi për nga dhuna: u dogjën shumë ndërtesa, përfshirë edhe selitë e qeverive lokale në Tuzla dhe Sarajevë. Ndërkohë që ishte e pajustifikuar (dhe sigurisht jodemokratike), dhuna e të rinjve boshnjakë kundër institucioneve qeveritarë është e kuptueshme: të neglizhuar në mënyrë sistematike, të shfrytëzuar dhe të keq-arsimuar, atyre u mungojnë mjetet e tjerë të shprehjes politike. Faji ishte i tyri, por vetëm indirekt. Zjarri ishte i vetmi zë që kishin në atë moment. Pasioni për brendinë e demokracisë i coi në drejtimin e gabuar.

Por, vecanërisht interesant në lidhje me këto protesta është reagimi i elitave vendase dhe ndërkombëtare. Për herë të parë në 20 vite, të trembur për pozicionet e tyre në pushtet, politikanët vendas nisën gjetën ngushëllim tek një demogagji shumëngjyrëshe, e cila synonte të zhvlerësonte kërkesat e qytetarëve, mbi bazën e shumëllojshmërisë së supozimeve.

Elita politike boshnjake tha se protestat ishin të orkestruara nga serbët, për të destabilizuar vendin dhe për të sjellë shkëputjen e etnisë serbe. Elitat serbe dhe kroate thanë se protestat ishin të organizuara nga boshnjakët, për të shkatërruar organizimin federal të vendit dhe për ta bërë unitar. Të gjithë bashkë deklaruan se protestuesit nuk kanë legjitimitet për të kërkuar ndryshime në qeveri, përderisa ATA janë të vetmit përfaqësues të të gjithë qytetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe jo një grusht huliganësh që i vunë zjarrin ndërtesave të qeverisë.

Nuk është habi, që përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve fqinjë, shfaqën një mosbegenisje të ftohtë për kërkesat e qytetarëve, dhe vendosën të mbrojnë vlerat e procedurializmit demokratik. Kryeministri kroat, Zoran Milanovic vizitoi qytetin e Mostarit (bastioni i nacionalizmit etnik kroat) dhe shprehu mbështetjen për establishmentin politik ekzistues. Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar, diplomati austriak Valentin Inzko, shkoi aq larg sa të paralajmëronte qytetarët se, nëse trazirat vazhdonin, forcat ushtarake të BE-së mund të vinin në Bosnje për të ruajtur paqen. Nuk pati as edhe një shprehje të vetme të simpatisë, për kërkesat e qytetarëve boshnjakë për vlerat themelore të demokracisë. Vetëm një vlerësim bosh i procedurializmit demokratik si dhe një pranim i ftohtë i lirisë për të protestuar.

Rreziqet e demokracisë proceduriale nuk janë karakteristikë vetëm e Bosnjes sot. Shumë vende të tjerë përballen me të njëjtin problem. Mungesa e demokracisë substanciale ka nxjerrë njerëzit në rrugë kudo, në BE, në Lindjen e Mesme dhe madje edhe në SHBA.

Rritja e trazirave pothuajse kudo shfaq hapur problemin e një kuptimi minimalist dhe procedurial të demokracisë, dhe nxjerr në pah nevojën për të riparë pasojat e vendim-marrjes demokratike. Cilat lloj pasojash janë të mjaftueshme për të justifikuar natyrën demokratike të institucioneve politikë? Si mund të përmbushim kërkesat edhe proceduriale, edhe substanciale të demokracisë? Këto janë pyetje jo vetëm për boshnjakët, por edhe për demokratët kudo ku ndodhen.

Eshtë e vështirë gjetja e përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve. Eshtë një detyrë për teoricienët politikë si dhe për ata që e praktikojnë politikën, duke qenë se cdo kontekst do të jetë i vecantë dhe do të kërkojë zgjidhje unike. Por, mund të themi se demokracia nuk mundet, dhe nuk duhet, të kuptohet në mënyrë përjashtuese: të dyja kanë rëndësi, edhe procedurat, edhe brendia.

Kjo është shumë e rëndësishme, nëse duam ta përdorim demokracinë si standart për të bërë gjykime mbi vlerat e lëvizjeve të ndryshme sociale dhe ngjarjeve që ndodhin sot në botë, nga Bosnja në Ukrainë.

Sa për boshnjakët që dalin në rrugë, ata kanë bërë një hap përpara në përpjekjen për të bashkuar dy dimensionet e demokracisë. Pas incidenteve të parë që sollën dhunën dhe shkatërrimin e ndërtesave qeveritare, ata janë konsoliduar, janë përmbajtur për të mos shkaktuar më shumë dhunë dhe kanë filluar të organizojnë grumbullime të pavarura qytetarësh, që do të shërbejnë si forume për diskutimin publik dhe formulimin e kërkesave substanciale që i duhen bërë qeverisë.

Duke respektuar procedurat demokratike që kanë sjellë në pushtet elitën politike ekzistuese, ata do të përpiqen të kontribuojnë për demokracinë në Bosnje duke ofruar ide mbi brendinë e qeverisjes demokratike, që duhet të cojnë përpara drejtësinë sociale dhe sjellin më shumë ndershmëri dhe drejtësi në shoqërinë boshnjake.

Duke organizuar takime në nivele lokalë, qytetarët po synojnë të shkojnë përtej llogoreve të kategorive etnike, dhe të ndryshojnë natyrën e ligjëratës politike në vend. Tani, problemet kryesorë nuk janë etnikë, por socialë. Ata nuk kërkojnë një përfaqësim të ndryshëm, apo më të mirë etnik në institucionet shtetërorë. Ata kërkojnë rezultate më të mirë socialë të funksionimit të institucioneve, standarte dhe shërbime më të mirë socialë, si edhe më shumë drejtësi dhe llogaridhënie.

Zgjidhjet do të kërkojnë pak kohë deri sa të shfaqen. Demokracia është proces i rrëmujshëm, dhe jo një seri masash të qarta që japin menjëherë efekt. Protestat e fundit janë një prej leksioneve më të mirë për demokracinë e re boshnjake. Ajo që duhet të bëjmë, është të ndihmojmë boshnjakët që ta marrin mësimin me ritmin e tyre, dhe jo t’i nxitojmë duke këmbëngulur se demokracia është vetëm procedura, dhe jo rezultate. Do të habitemi kur të shohim që ata do të gjejnë përgjigje, prej të cilave do të mësojmë edhe ne vetë.

Open Democracy Network

Leave a Reply

Back to top button