Agjensia kryesore e inteligjencës së jashtme, Krahu i Hulumtimeve dhe Analizave (e RAW), u formua pas dështimeve të rënda të shërbimit inteligjent në vitet ’60, gjatë luftërave mes pakistanezëve dhe kinezëve. Indira Gandi nxiti krijimin e një agjensie të inteligjencës sipas modelit të CIA-s amerikane dhe vendosi në krye mjeshtrin e spiunazhit Rameshvar Nath Kao.
Në vitin 1977, RAW mori disa indicje shqetësuese, se Pakistani kishte nisur një program bërthamor, por lindi nevoja që kjo të konfirmohet me siguri. Një agjent u dërgua në Kahuta, ku besohej se e kishte bazën programi bërthamor i Pakistanit. Ai me zgjuarsi dërgoi një kontaktin e tij në një sallon parukerie që gjendej në afërsi të objektit ushtarak.
Njeriu i tij mblodhi mostra të flokëve nga shkencëtarët në Kahuta, të cilat u dërguan në Indi për analiza. Flokët përmbanin nivele të larta të rrezatimit dhe uranium, në një gjendje optimale për të prodhuar armë bërthamore. Më pas, agjenti gjeti një spiun brenda objektit që ishte i gatshëm t’ia shiste një plan të projektit në këmbim të parave.
Megjithatë, kryeministri i sapozgjedhur indian Morarxhi Desai, që mendohej se e urrente RAW-n, pa dashje e ktheu mllefin ndaj shërbimit inteligjent të vendit të vet, në një fitore për Shërbimin Pakistanez të Inteligjencës (ISI). RAW kishte nevojë për lejen e kryeministrit për të paguar spiunin në valutë të huaj, por Desai refuzoi. Më keq akoma, në një bisedë telefonike me udhëheqësin ushtarak të Pakistanit Zia-ul-Haq, Desai tha se e dinte mbi objektin bërthamor të Pakistanit në Kahuta. ISI veproi me shpejtësi duke zbuluar dhe asgjësuar informatorët e RAW-t në Pakistan, duke e lënë kësisoj Indinë në terr përsa i përket zhvillimeve nga programi bërthamor. /Bota.al