Bota

Kontradikta e çuditshme e Syed Farookut, vrasësit të Kalifornisë

Vrasësi i Kalifornisë kish qenë në Arabinë Saudite. Ishte kthyer me gruan, që e kish njohur online. Person i rezervuar dhe i edukuar, Syed Farook në dukje nuk ushqente pakënaqësi ndaj askujt. Mysliman, në vendin e punës nuk fliste kurrë për fenë

Screen Shot 2015-12-03 at 08.35.55

Dalin detaje të reja mbi dy personat përgjegjës për sulmin në San Bernardino të kalifornisë, që u mori jetën 14 personave. Syed Farook (28 vjeç) kishte lindur në Amerikë dhe ishte i besimit mysliman. Kohët e fundit kishte qenë në Arabinë Saudite, dhe ishte rikthyer pasi ishte martuar me një grua që e kishte njohur në internet, Tashfeen Malik (27 vjeçe). Ky detaj bën të mendohet se mund të ketë patur dhe një motivim ekstremizmi fetar, ngjarja e djeshme në Kaliforni. Megjithatë, për momentin nuk është asgjë e konfirmuar. Çifti kishte një fëmijë gjashtë muajsh. Mëngjesin e sulmit e kishin lënë me gjyshen. Këto hollësi i janë dhënë rrjetit amerikan CNN nga drejtori i Këshillit për Marrëdhëniet Islamike Amerikane në Los Angeles, i cili ka folur edhe për tronditjen që ka pësuar familja Farook, e cila nuk arrin dot të shpjegojë se ç’mund t’i ketë shtyrë dy të rinjtë që të kryejnë këtë vepër kriminale.

Edhe dy kolegë të punës, të mbijetuar gjatë sulmit për shkak se ndodheshin në banjë në momentin kur nisën të shtënat, e kanë përshkruar Farookun si një person të rezervuar dhe shumë të edukuar, që dukej se nuk ushqente pakënaqësi apo mëri ndaj askujt. Farook ishte mysliman, por në punë fliste shumë rrallë për fenë e tij, siç bën të ditur Christian Nvadike dhe Patrick Baccari, një tjetër inspektor sanitar që ndante zyrën me Farookun. Dukej se “jetonin ëndrrën amerikane’, kanë shtuar kolegët. Një ëndërr që përfundoi me gjakderdhje./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button