Bota

Korea e Veriut është një vend shumë i pasur. Koreano veriorët janë një popull shumë i varfër. Për fajin e …

Çuditërisht, Koreja e Veriut nuk është vetëm e armatosur deri në dhëmbë, por është gjithashtu vend i pasur. Shumë i pasur.

Një pasuri që shkon përtej imazheve që nga ai vend i largët i botës, dhe jashtë bote, vijnë dhe na e tregojnë si një vend jashtëzakonisht të varfër, popullsia e të cilit vazhdimisht vuan nga mungesa të të gjitha llojeve. Imazhet dhe mungesat që janë dhe mbeten të vërteta, por nuk kanë të bëjnë fare me pasurinë e vërtetë të vendit.

Po, sepse edhe pse tentohet të harrohet, Koreja e Veriut është ndër rajonet më të pasura me minerale në planet.

Fshehur në malet Koreane ka tonelata me ari, argjend, tungsten, zink, vanadium, titan, në të cilët për momentin askush nuk ka qasje.

Pasuri të cilat nuk janë shfrytëzuar si duhet dhe që i bëjnë të vërteta, të dy anët e medaljes koreane, pasi Koreja e Veriut është një vend i varfër dhe i pasur në të njëjtën kohë.

Askush, deri më sot, nuk di saktësisht sasinë e pasurive të minierave koreane. Disa vlerësime, të bëra nga institucionet minerare të Koresë së Jugut, luhaten nga shifra të matura, prej 6000 miliardë dollarë (6 trilionë) në minerale, deri tek ato më optimistet, prej 10.000 miliardë.

Sipas “The Economist”, në qoftë se këto parashikime janë të vërteta, dhe në qoftë se, në një skenar të fanta-politike do të shkohej ndonjëherë në një ribashkim të Koreve, vendi i ri që do të lindte do të ishte një superfuqi, e pasur me burime natyrore, me avantazhet e teknologjisë së Koresë së Jugut dhe arsenalin bërthamor të Kim Jong Un.

Por sot, nuk flitet për një bashkim, dhe faktet thonë diçka tjetër: që Koreja e Veriut është sa e pasur, aq edhe e paaftë përballë të gjitha pasurive të saj. Kjo, për dy arsye. E para është se vendi nuk ka as aftësitë, mjetet, ekspertizën dhe as teknologjinë për nxjerrjen e tyre, dhe paguan një prapambetje teknologjike, që në një masë të madhe është pasojë e pasionit të regjimit për armët, i cili që nga viti 1990 ka bërë që çdo projekt financimi dhe studimi, të synojë ta bëjë Korenë superfuqinë bërthamore që është sot.

Arsyeja e dytë është pasojë e tërthortë e së parës dhe lidhet me garën e armatimit: edhe nëse Korea do të ishte në gjendje të nxirrte burimet e saj, nuk do të dinte se kujt t’ia shiste, pasi është subjekt i sanksioneve tregtare nga vendet anembanë botës.

I vetmi partner tregtar real i Koresë së Veriut është Kina (dhe deri në një farë mase Kanadaja, Rusia dhe Egjipti), që përthith afro 90 përqind të trafiqeve koreano-veriore dhe që, më shumë se të gjithë mund të ishte e interesuar për të patur qasje në burimet e Penianit, qoftë edhe për të justifikuar 10 miliardët e shpenzuar, jo më vonë se 2015-a, për të ndërtuar një hekurudhë pranë kufirit me Korenë e Veriut dhe që sot, nuk përdoret si duhet, ose më mirë, si do të donte Pekini. / BusinessInsider – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button