Ushtarët e Koresë së Veriut inkurajohen të vjedhin ushqime në përgatitje për luftë, sipas disa raporteve të përcjella prej të përditshmes britanike, The Independent.
Oficerët po bëjnë një sy qorr për plaçkitjet, dhe në disa raste thuhet se e inkurajojnë, si një mjet për të ruajtur forcën – për shkak të racioneve të pakët të ushtrisë.
“Oficerët po i udhëzojnë ushtarët e tyre, të lodhur pas stërvitjeve, që të hanë misër në ara sepse lufta është pranë”, tha një burim në provincën e Hamgyongut për Daily NK, një portal në internet që fokusohet në shtetin komunist.
“Ata madje po i kërcënojnë ushtarët e tyre, duke thënë: “Nëse bëheni të kequshqyer, pavarësisht lejes për të ngrënë misër, do të keni telashe”.
Një burim tjetër nga Provinca Ryanggang, pohoi: “Ushtarët që mbajnë thasë të mëdhenj misri të papjekur mund të shihen shpesh nëpër tregje. Ata e shesin misrin me çmime të lira për tregtarët me të cilët kanë bërë marrëveshje paraprakisht. “
Në përgjigje, fermerët kanë ngritur poste roje në një përpjekje për të mbrojtur të korrat e tyre.
Tensionet midis Penianit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar në muajt e fundit. Por ato u rritën shumë gjatë kësaj jave, kur Koreja e Veriut lëshoi një raketë mbi ishullin japonez të Hokkaidos. /bota.al